Në shkurt, Lindon Emërllahu u transferua nga Ballkani te Cluji, për dëmshpërblim prej 700 mijë eurosh.
Në mars, Rapid Bukureshti e zyrtarizoi transferimin e Drilon Hazrollajt nga Malisheva për gati 1 milion euro, kurse në fillim të këtij muaji, Drilon Islami, që së fundi luajti për Prishtinën, iu bashkua Clujit si lojtar i lirë.
Emërllahu, Hazrollaj e Islami janë lëvizjet e fundit që janë bërë nga kampionati i Kosovës për në atë rumun. Por a janë transferimet e fundit për këtë vit? Natyrisht që jo.
Lëvizje drejt Rumanisë mund të bëjë edhe Dion Gallapeni, mbrojtësi i krahut të majtë. Për transferimin e mbrojtësit të Prishtinës dhe Kosovës, ka shkruar mediumi rumun “Digisport”.
Mediumi i njohur rumun ka shkruar se Rapidi është në negociata të avancuara me futbollistin e talentuar, që së fundi është paraqitur te Kosova nën drejtimin e selektorit Franco Foda.
Rapidi përfundoi i pesti në Superligën e Rumanisë në sezonin e kaluar dhe ka shfaqur synime të mëdha për sezonin e ri me trajnerin e ri të ekipit, Costel Galca.
“Ata duan ta përforcojnë skuadrën në pozitat ku ka pasur vështirësi dhe synojnë që ta rrisin nivelin e skuadrës me Gallapenin në krahun e majtë të mbrojtjes”, shkruan edhe mediumi tjetër rumun “Iamsport.ro” për 20-vjeçarin.
Gallapeni ka zhvilluar 37 paraqitje për Prishtinën në sezonin e kaluar, duke shënuar pesë gola e duke dhuruar tetë asistime. Vlera e Gallapenit në treg vlerësohet të jetë 650 mijë euro, sipas faqes “Transfermarkt”, që merret me vlerësime e statistika të lojtarëve.
Me ekipin A të “Dardanëve” debutoi në ndeshjen kthyese të Ligës së Kombeve në udhëtim tek Islanda.
Në miqësoret e këtij muaji, Gallapeni u paraqit në të dyja miqësoret e fituara thellë nga Kosova. Kosova fitoi 5:2 ndaj Armenisë e 4:2 kundër Komoreve.
Gallopeni nuk është i vetmi që ka rënë në sytë e klubeve rumune gjatë edicionit 2024/2025 në Superligën e Kosovës.
Se lëvizjet që janë bërë gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, nuk janë të fundit, e thotë edhe menaxheri nga Kosova, Kastriot Telaku.
Ai thotë se shumica e klubeve elitare të Rumanisë kanë kthyer sytë kah klubet e Kosovës.
“Kohët e fundit, interesimi i ekipeve rumune për lojtarët e klubeve të Kosovës, është jashtëzakonisht i madh. Interesimi është rritur marrë parasysh faktin që thuajse të gjithë lojtarët që janë transferuar nga Kosova, e kanë dëshmuar veten dhe e kanë rritur besimin tek ekipet rumune”, thotë Telaku, që ka nën menaxhim disa lojtarë të Kosovës.
Në vitet e fundit skuadrat elitare të Rumanisë kanë afruar shumë futbollistë kosovarë. Interesimi i klubeve rumune për lojtarët nga klubet e Kosovës u rrit pas paraqitjeve të mira që kanë bërë në Rumani, fillimisht Albion Rrahmani dhe Ermal Krasniqi e më pas edhe disa të tjerë.
“Sigurisht, Albioni dhe Ermali me paraqitjet e tyre në ligën rumune, pa diskutim që kanë hapur një portë të madhe, por edhe lojtarët si Meriton Korenica, Lindon Emërllahu, Astrit Selmani, me paraqitjet e tyre kanë forcuar këtë bindje në maksimum. Ermali ka bërë dy herë lëvizje në Rumani”, është shprehur Telaku.
Albion Rrahmani ishte shitur për 600 mijë euro te skuadra e Rapidit nga Ballkani i Suharekës. Rapidi më pas e shiti për 5 milionë euro te Sparta Praga në Çeki. Paraqitje të mira në Rumani, përkatësisht te klubi i Clujit dhe Rapidit pati edhe Ermal Krasniqi. Siguroi transferim të rëndësishëm në karrierë. U transferua nga Rapidi te Sparta për 2 milionë euro. Cluji kishte shpenzuar për Krasniqin 350 mijë euro. E transferoi nga Ballkani.
Përvoja te Cluji rumun nuk i zgjati shumë edhe Armend Thaqit. Luajti vetëm katër ndeshje, ndërsa u kthye te Gjilani në shtator të vitit të kaluar. Ka pasur edhe disa të tjerë që kanë luajtur në Rumani. Shumë të tjerë vazhdojnë të luajnë në klube të ndryshme rumune e që pritet të bëjnë lëvizje të tjera të rëndësishme në karrierë.
“Afati kalimtar është i gjatë, por ka interesim edhe për lojtarë të tjerë nga liga e Kosovës prej klubeve rumune. Presim të shohim se si do të zhvillohen gjërat. Kemi kontakt me thuajse shumicën e klubeve sa u përket lojtarëve nga liga e Kosovës. Interesimi po rritet vazhdimisht marrë parasysh se lojtarët tanë po adaptohen më lehtë në Rumani dhe në aspektin e karakterit qëndrojnë shumë mirë”, ka theksuar Telaku.
Ai ka përmendur disa lojtarë që mund të jenë interesant për tregun rumun, por edhe nga klube të shteteve tjera. Ai thotë se lojtarë për t’u shikuar janë Laurent Xhylani, Krenar Dulaj, Engjëll Ajazaj, Omer Bajraktari e disa të tjerë.