Drejtori i Përfaqësueses së Gjermanisë, Rudi Voller, ka konfirmuar se sulmuesi i Arsenalit, Kai Havertz, do të mungojë në dy ndeshjet e muajit të ardhshëm.
Gjermania më 4 shtator luan ndaj Sllovakisë kurse tri ditë më pas takohet me Irlandën e Veriut, në kuadër të kualifikimeve të Kupës së Botës.
Havertz u lëndua në ndeshjen hapëse të edicionit të ri në Premier League ndaj Manchester Unitedit. Ai ka një lëndim në gju.
26-vjeçari i mungoi Arsenalit edhe të shtunën e kaluar në fitoren 5:0 ndaj Leeds Unitedit. Do t’i mungojë edhe ndaj Liverpoolit.
Të dielën, Arsenali luan në udhëtim te kampioni në fuqi i Anglisë.
“Ai sigurisht që nuk do t’ia dalë, ka një dëmtim në gju. Nuk e dimë saktësisht se si do të shkojnë javët në vijim, nëse do të ketë nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale”, ka thënë Voller.