Futbollisti shqiptar i Brightonit, Brajan Gruda synon ta fitojë Kampionatin Evropian me Gjermaninë U21.
Gjermania U21 ka kaluar në finale të Kampionatit Evropian U21 pas fitores 3:0 në gjysmëfinale ndaj Francës të mërkurën. Gjurmë në gjysmëfinalen ndaj francezëve la edhe Gruda, që luan te Brightoni në Premier League. Gruda e realizoi golin për 3:0 në minutën e tretë të kohës shtesë. Ai u inkuadrua në lojë në minutën e 72-të. Gruda është ndarë i kënaqur me golin.
“Jam plotësisht i bindur se do ta fitojmë turneun”, ka thënë Gruda, shkruan “sër.de” të enjten.
Ai është një prej lojtarëve potencial për t’u ftuar në të ardhmen te Gjermania. Në finalen që Gjermania U21 e luan kundër Anglisë të shtunën, do të jetë i pranishëm edhe selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann. Për Grudën më herët interesim ka shprehur edhe Shqipëria. Por ai ka lënë të kuptohet se është duke e pritur një ftesë nga Gjermania.
“Jam i sigurt se disa nga djemtë do të bëjnë një hap përpara”, ka thënë Gruda.
Në fakt, Gruda ka qenë i ftuar te Gjermania vitin e kaluar. Më 3 qershor të vitit të kaluar ishte në bankën e rezervistëve te Gjermania që barazoi pa gola kundër Ukrainës.