Kosova i humbi tri ndeshjet e para kualifikuese. Në prill të vitit 2017 në Tiranë, futbollistet e Kosovës u mposhtën nga Shqipëria, Greqia dhe Malta në raundin preliminar të kualifikimeve për Kupën e Botës 2019.
Më pas nuk luajti ndeshje kualifikuese deri më 30 gusht 2019. Dhe në “Fadil Vokrri”, u arrit fitorja e madhe, 2:0, ndaj Turqisë, në nismë të kualifikimeve për Euro 2021. Goli i parë në fitoren e parë të Kosovës në ndeshje garuese e mban firmën e Modesta Ukës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoModesta shënoi edhe të shtunën mbrëma në Karlovc të Kroacisë. Dhe Kosova falë golit mjeshtëror të sulmueses 26-vjeçare fitoi 1:0 ndaj Kroacisë, favorites së grupit.
Kështu ajo kontribuoi në tjetër kapitull të rëndësishëm në historinë e përfaqësueses së Kosovës.
Fitorja ndaj Kroacisë vlerësohet prej më të mëdhave që i kanë shënuar futbollistet e Kosovës, nëse jo më e madhja.
“Ishte e vështirë të paramendojmë se mund të fitojnë ndaj Kroacisë në fushën e saj. Por e kemi dhënë më të mirën prej vetes, kemi luftuar dhe shënuam fitore të rëndësishme. Po ndihemi shumë mirë”, ka thënë Modesta Uka të dielën për KOHËN. Kosova kishte humbur dy ndeshje të kaluara me kroatet.
E pyetur nëse kjo është fitorja më e rëndësishme e Kosovës deri më tani, Modesta ka përmendur edhe fitoren ndaj Turqisë.
“Edhe ajo fitore, e para në kualifikime ndaj Turqisë, ishte shumë e rëndësishme. Por edhe fitorja me Kroacinë ka rëndësi të madhe. Dëshmon që kemi bërë ngritje dhe që jemi në rrugën e duhur. Në prill i kemi dy ndeshjet me Bullgarinë dhe duhet ta konfirmojmë rritjen me dy fitore të tjera”, ka thënë Uka.
Kosova aktualisht po garon në kualifikimet për Kupën e Botës 2027. Është në Ligën C, prej të cilës mund të kualifikohet vetëm në plejof. Favorite e grupit është Kroacia e pas saj Kosova. Bullgaria ishte në vazon e tretë, ndërsa Gjibraltari është autsajder i plotë dhe ishte në vazon e katërt.
Ndaj Gjibraltarit më 3 mars, Kosova fitoi 6:0. Por është fitorja ndaj Kroacisë që vlerësohet. Nëse e fiton grupin, Kosova kalon në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Dhe po ashtu paraqitet në plejof për kualifikim në Botëror.
“Natyrisht ky është synimi ynë. Ta fitojmë grupin, të dalim në Ligën B dhe të luajmë në plejof”, thotë Uka.
Ajo shënoi gol mjeshtëror. Ndonëse në pozitë shumë të pavolitshme, afër vijës fundore, Uka mjeshtërisht u lirua nga lojtaret kroate dhe gjuajti saktë në minutën e 13-të. Gjatë gjithë ndeshjes, Kosova ishte më e mirë se Kroacia. Krijoi më shumë dhe fitorja ka mundur të jetë edhe më e thellë.
“Golin që e kam shënuar nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Thjeshtë kam vepruar ashtu si kam vepruar dhe doli mirë. Disa gjëra që ndodhin në fushë, momente të caktuara, është vështirë të përshkruhen”, thotë Modesta Uka.
Ajo i ka realizuar edhe dy gola të fitores ndaj Estonisë më 8 tetor 2019. Shënoi edhe ndaj Bullgarisë në fitoren 5:1 më 1 dhjetor 2023. Kishte shënuar ndaj Estonisë edhe në vitin 2024 dhe tani realizoi ndaj Gjibraltarit dhe Kroacisë.
Uka është nga Stublla e Epërme, kurse në Austri jeton që nga mosha 14-vjeçare. Tregon se futboll nisi të luajë me djemtë në vendlindje, kurse e kishte zhvilluar vetëm një stërvitje në Prishtinë. Për shkak të udhëtimit të gjatë, dy orë në një drejtim, nuk kishte shkuar më. Në Austri nisi te Sturm Grazi, ku qëndroi plot 11 vjet. Në verën e kaluar iu bashkua Austria Vjenës.
“Më kanë pritur shumë mirë te skuadra e re. Jemi në rrugën e duhur për ta fituar titullin e kampionit. Po ashtu jemi paraqitur me sukses në garën e re për futbolliste, Europa Cup, ku kemi arritur deri në çerekfinale. Pres ta fitojmë titullin e kampionit dhe të paraqitemi edhe në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Uka.
Synimet e saj të mëdha megjithatë janë të lidhura me Kosovën.
