Futboll

Gjilani – Dukagjini, ndeshja e parë e xhiros së 12-të

SC Gjilani

Me ndeshjen Gjilani – Dukagjini fillon xhiroja e 12-të e Superligës së Kosovës në futboll. Kjo ndeshje zhvillohet të shtunën nga ora 13:00 në fushën me bar artificial në Gjilan.

Për të dy skuadrat, pikët vlerësohen shumë të rëndësishme. Gjilani ka synime të mëdha këtë edicion, por është vetëm i teti me 13 pikë. Ndërkohë Dukagjini synon të largohet nga pozita e parafundit, që në fund dërgon në kategorinë e dytë. Ekipi nga Klina i ka vetëm 11 pikë në vendin e nëntë. 

Xhiroja e 12-të vazhdon të dielën me dy ndeshje, ndërsa të hënën janë dy të tjera.

Suhareka – Drita dhe Prishtina – Ferizaj janë ndeshjet që zhvillohen të dielën. Të hënën janë takimet Malisheva – Llapi dhe Feronikeli 74 – Ballkani.

Kampioni në fuqi, Ballkani, udhëheq në tabelë me 19 pikë, sa i ka edhe Malisheva. Drita është e treta me 18 pikë, por i ka dy ndeshje më pak të luajtura.