Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Shuhet ëndrra, eliminim me nder i Kosovës

1 muaj më parë Muslija gjuan pranë portës
1 muaj më parë Inkuadrohet Zhegrova
1 muaj më parë Turqia në epërsi
1 muaj më parë Asllani godet shtyllën
1 muaj më parë Kosova e rrit presionin
1 muaj më parë Yildiz me rast shënimi
Kosova

Foto: Driton Paçarada

Një prekje e lehtë e Kerim Akturkoglut doli të jetë goditje e rëndë për Kosovën. Goditje që i dha fund ëndrrës së miliona shqiptarëve për paraqitje në Kampionatin Botëror që pas pak javësh fillon në SHBA, Meksikë e Kanada.

Akturkoglu shënoi gol në minutën ef 53-të për fitoren 1:0 të Turqisë ndaj Kosovës, të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”. Ishte finale e plejofit evropian për kualifikim në Kupën e Botës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kështu, Kosova u ndal në pengesën e fundit në rrugën e gjatë për në Botëror. Është një eliminim i dhimbshëm por edhe i denjë e me nder. “Dardanët” kanë luftuar deri në fund në një ndeshje thuajse të barabartë. Dhe mund të jenë krenarë për paraqitjen e po ashtu për rrugëtimin historik. Rrugëtim që jep shumë shpresë se kualifikimet e ardhshme, për Evropian, do të jenë të Kosovës.

Kosova kishte rastet. Kishte edhe periudhat kur dominoi plotësisht në fushë. Rastet i kishte edhe Turqia.

Dhe në fund dallimin e bëri një vendosje jo e duhur e lojtarëve të Kosovës, përkatësisht një aksion i shpejtë i realizuar nga turqit.

Pas disa pasimeve të shpejta, topi erdhi në krahun e majtë te Kenan Yildiz. Ai e ktheu tek Orkun Kokçu, që goditi por jo fuqishëm. Megjithatë pranë portës ishte Akturkoglu që realizoi golin e dëshpërimit të madh për miliona shqiptarë.

Turqia kthehet në Botëror pas 24 vjetësh, ndërsa Kosova duhet të presë një rast tjetër.

Dëshpërtimi do të jetë i përkohshëm e shpresa për sukses do të kthehet shpejt dhe do të jetë e madhe.

Kampanja kualifikuese për Botërorin që “iku nga dora” është garanci për këtë. Fitoret ndaj Suedisë, barazimi e fitorja ndaj Sllovenisë, barazimi me Zvicrën, fitorja madhështore ndaj Sllovakisë në Bratislavë dhe përfundimisht edhe paraqitja e denjë ndaj yjeve të Turqisë.

Kosova nuk shënoi, por golit iu afrua. Fisnik Asllani qëlloi shtyllën e gjatë gjithë ndeshjes kishte tentime, nga Asllani, Vedat Muriqi, Florent Muslija e të tjerët.

Raste të pastërta nuk kishte shumë, por kishte iniciativë, dominim dhe tentime të vazhdueshme.

Në fund festa ishte për turqit, por duartrokitjet ishin edhe për “Dardanët”. Me plot meritë. Ata mund të jenë larguar nga “Fadil Vokrri” me kokën lartë dhe krenarë për luftën maksimale në fushë.

Ademi: Gjithmonë krenar me gladiatorët dardanë

1 muaj më parë / 31 mar 2026 23:43
Agim Ademi

Kryetari i Federatës së Futbollit, Agim Ademi, ka reaguar pas humbjes së Kosovës ndaj Turqisë 1:0 në finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Ai ka thënë se është “gjithmonë krenar me gladiatorët dardanë”.

“Jo çdo mbrëmje sjell rezultatin që e dëshirojmë, por çdo sfidë na bën më të fortë. Sonte, djemtë tanë dhanë maksimumin në fushë, me krenari dhe përkushtim për fanellën që përfaqëson një popull të tërë. Fati nuk ishte në anën tonë dhe, ndonëse nuk e merituam një rezultat të tillë, duhet të pranojmë se edhe humbjet janë pjesë e këtij rrugëtimi. Megjithatë, ato nuk e zbehin as punën dhe as besimin tonë në këtë ekip. Jam i bindur se Gladiatorët dardanë do të rikthehen më të fortë, me më shumë vendosmëri dhe me të njëjtin shpirt luftarak që na ka sjellë deri këtu. Faleminderit tifozëve “Dardanët”, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vëllezërve tanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, por edhe bashkëatdhetarëve tanë kudo që jetojnë e veprojnë, për mbështetjen e pandalur. Kjo humbje dhemb, por qëndrojmë me kokën lart për gjithçka që kemi arritur. E ardhmja do të na sjellë shumë gëzime të tjera. Bashkë vazhdojmë përpara!”, shkruan Ademi në rrjetet sociale.

Akturkoglu: Kemi ëndërruar këtë moment

1 muaj më parë / 31 mar 2026 23:31
Turqia

Photo: Driton Paçarada

Kerem Akturkoglu është shprehur i lumtur pas sigurimit të Botërorit me Turqinë.

“Kanë kaluar 24 vjet. Gjithnjë kemi ëndërruar momente si ky. Shumica nga ne nuk e kujtojnë vitin 2002. Tani do ta bëjmë ëndërrën e më të rinjve realitet duke luajtur në Botëror.

Kupa e Botës është ëndrra e secilit. Edhe kur ëndërron të bëhesh futbollist, e ke ëndërr të luash në Kupën e Botës. Duhet të mbajmë këmbët në tokë. Shpresoj se do të jemi të suksesshëm. Do të shkojmë atje për të pasur sukses”, ka thënë Akturkoglu, që shënoi golin e vetëm.

Foda: Ekipi e përfaqësoi Kosovën në mënyrën më të mirë

1 muaj më parë / 31 mar 2026 23:29
Franco Foda

Photo: Driton Paçarada

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka thënë se të gjithë janë të mërzitur pas disfatës ndaj Turqisë, por ka theksuar se e kanë dhënë më të mirën. 

“Sot jemi të gjithë të mërzitur. U munduam dhe deshëm që të kualifikoheshim në Botëror. Ishte e mundur ndaj Turqisë për 90 minuta dhe jam krenar me ekipin. Mendoj se i gjithë ekipi e ka përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme. Kështu do të shkojmë përpara”, ka deklaruar fillimisht Foda. 

Foda ka theksuar se kanë dashur që ta gëzojnë popullin që ka qenë shumë entuziast, por tani do të shikojnë kah e ardhmja. 

“Dua ta shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë tifozët që ishin në stadium dhe vizituan shtetet tjera kur ishim mysafir. Më e rëndësishmja është ajo që i kam thënë edhe ekipit, kushdo që e përcjellë Kosovën, ta ndiejë këtë në fushë dhe ta shohin se ata e japin shpirtin në fushë”, deklaroi Foda. 

Foda e konfirmoi se te Kosova do të mbetet edhe për një kohë. 

“Synimi ishte kualifikimi në Botëror por të shohim tani për të ardhmen time. Ishim një lojë larg Botërorit, skuadra po zhvillohet mirë. E kam pritur puna dhe mundi shpërblehet. Kjo ka ndodhur me skuadrën. Nuk e kam plan që ta lë Kosovën sepse më pëlqen vendi dhe populli”, deklaroi Foda.
 

Muriqi: Fati nuk e deshi të jemi në Amerikë

1 muaj më parë / 31 mar 2026 23:19
Vedat Muriqi

Photo: Driton Paçarada

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka thënë se fati nuk e deshi që të kualifikoheshin për në Botëror.

Kosova u eliminua pas humbjes minimale nga Turqia në Prishtinë.

“Shumë vështirë. Kemi luftuar prej ditës së parë e deri këtu. E nisëm kampanjën me humbje të thellë dhe menduam se nuk ka kthim. Por vazhduam mirë. Unë jam shumë krenar me bashkëlojtarët e mi. Jam shumë krenar që jam ndër kapitenët. Do të kisha dëshirë ta udhëheq ekipin në Amerikë, por fati nuk e deshi. Unë nuk e di a do të jem, por Kosova do të kualifikohet në një kampionat të madh. Kemi pasur shumë raste. Më dhimbset gjithë ekipi, gjithë shteti. Gjithë kjo përkrahje...”, deklaroi Muriqi.

Erdogani reagon pas kualifikimit të Turqisë në Botëror

1 muaj më parë / 31 mar 2026 23:01
recep tayyip erdogan

Photo: Associated Press

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar pas kualifikimit të Turqisë në Botëror, e cila mposhti Kosovën në finalen e plejofit.

Në një mesazh urimi, Erdogani përgëzoi Kombëtaren turke për suksesin dhe rikthimin në Kupën e Botës pas 24 vjetësh

“E përgëzoj me gjithë zemër ekipin tonë kombëtar të futbollit, djemtë tanë, për fitoren ndaj Kosovës në finalen e plejofit dhe kualifikimin në Kupën e Botës. E uroj ekipin kombëtar, i cili do të valëvitë flamurin tonë me yll dhe gjysmëhënë në këtë skenë më të madhe të futbollit pas 24 vjetësh. Suksese në ndeshjet e grupeve kundër Australisë, Paraguait dhe SHBA-së”, thuhet në mesazhin e tij.

Ai shtoi se ka besim të plotë se futbollistët turq do ta bëjnë kombin krenar edhe në Botëror.

“Kemi besim të plotë se djemtë tanë, si gjithmonë, do ta mbajnë fanellën me yll dhe gjysmëhënë nga fitorja në fitore dhe do ta bëjnë kombin tonë krenar. I puth të gjithë atletët tanë në ballë”, përfundoi Erdogan.

Kosova po sulmon, Asllani rast

1 muaj më parë / 31 mar 2026 22:34
Fisnik Asllani

Photo: Driton Paçarada

Futbollistët e Kosovës po vazhdojnë kërkimin për golin e barazimit.

Fisnik Asllani në minutën e 87-të gjuajti nga jashtë zonës, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri turk. Kosova po pëson 1:0. 
 

Muslija gjuan pranë portës

1 muaj më parë / 31 mar 2026 22:28
Florent Muslija

Florent Muslija në minutën e 81-të pati rast ideal për të barazuar shifrat. 

Gjuajtja e tij nga distanca përfundoi pranë portës. Turqia po udhëheq 1:0 ndaj Kosovës. 
 

Inkuadrohet Zhegrova

1 muaj më parë / 31 mar 2026 22:17
Edon Zhegrova

Seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda, ka bërë zëvendësimin e parë. Edon Zhegrova u aktivizua në vend të Mërgim Vojvodës në minutën e 71-të.

Turqia në epërsi

1 muaj më parë / 31 mar 2026 22:00
Turqia

Turqia ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Kosovës.

Kerem Akturkoglu shënoi në minutën e 53-të.

Shumë raste, por jo edhe gola në pjesën e parë – tensione në fund

1 muaj më parë / 31 mar 2026 21:34
Vedat Muriqi

Photo: Driton Paçarada

Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e takimit Kosovë – Turqi.

Ndeshja ishte kryesisht e hapur, ndërsa raste të mira për shënim kishin të dy përfaqësueset. Megjithatë gola nuk janë realizuar.

Fisnik Asllani ka goditur shtyllën, por edhe turqit ishin të rrezikshëm në disa raste. Atmosfera në stadium është e shkëlqyer, ndonëse në shi dhe në temperatura të ulëta.

Në fund ka pasur edhe tensione në fushë mes lojtarëve.

Asllani godet shtyllën

1 muaj më parë / 31 mar 2026 21:16
Fisnik Asllani

Photo: Driton Paçarada

Kosova i afrohet golit në ndeshjen ndaj Turqisë.

Fisnik Asllani ka goditur traversën në minutën e 29-të me një goditje nga distanca.

Topi u devijua.

Kosova e rrit presionin

1 muaj më parë / 31 mar 2026 21:13
Kosova

Kosova po e rrit presionin ndaj portës turke.

Vedat Muriqi dhe të tjerët luftuan në zonë në minutën e 26-të, por pa konkretizuar.

Kosova jep sinjale pas fillimit të mirë të Turqisë

1 muaj më parë / 31 mar 2026 21:10
Kosova

Pas fillimit më të mirë nga Turqia, Kosova ka nisur të reagojë. 

Pas minutës së 20-të në pozitë të mirë ishin Veldin Hoxha e Fisnik Asllani.

Rezultati mbetet 0:0.

Yildiz me rast shënimi

1 muaj më parë / 31 mar 2026 20:58
Kosova - Turqia

Kenan Yildiz në minutën e 10-të pati rast shënimi për Turqinë në minutën e 10-të. 

Gjuajtja e tij nga brenda zonës u devijua jashtë portës nga mbrojtja e Kosovës. Rezultati mbetet 0:0. 
 

Futbollisti turk: Fishekzjarrët na motivuan, nuk e njohin kombin turk

1 muaj më parë / 31 mar 2026 19:57
Irfan Can Kahveci

Futbollisti i Turqisë, Irfan Can Kahveci, ka folur për fishekzjarrët e hedhura pranë hotelit të ekipit në Prishtinë gjatë orëve të para të së martës, duke thënë se ato nuk ndikuan negativisht te skuadra, përkundrazi i motivuan më shumë.

“Nuk na preku shumë. Ne prisnim gjëra të tilla. Ekipi ynë është një ekip i mirë, cilësor. Ata menduan se mund ta rrëzonin kombin turk, por kjo vetëm sa na motivoi më shumë. Ata nuk e njohin ose nuk e kuptojnë kombin turk”, u shpreh Kahveci për “Hurriyet”.

Mesfushori turk theksoi se synimi i ekipit është i qartë – fitorja dhe rikthimi në skenën më të madhe të futbollit botëror.

“Shpresojmë që do të fitojmë dhe t’u japim fund viteve të mallit”, shtoi ai.

Duke folur për mungesën e gjatë të Turqisë në Kupën e Botës, Kahveci ka thënë se për disa lojtarë kjo ka qenë një ëndërr që nga fëmijëria.

“Disa prej nesh nuk kishin lindur ende kur kemi qenë për herë të fundit atje, për disa ishte një ëndërr fëmijërie. Mendoj se mund ta arrijmë këtë me këtë ekip. Jam krenar për këtë ekip dhe i dua shumë të gjithë”, përfundoi ai.

Ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë pritet të nisë në orën 20:45. Kahveci është në bankën rezervë.

Formacionet zyrtare: Kosova - Turqia

1 muaj më parë / 31 mar 2026 19:18
Kosova

Janë publikuar formacionet zyrtare të finales së plejofit mes Kosovës dhe Turqisë, që nis nga ora 20:45.

Selektori i Kosovës, Franco Foda, nuk ka bërë asnjë ndryshim nga përbërja që fitoi në Sllovaki të enjten.

Formacioni i Kosovës:

Muriq: Vojvoda, Dellova, Hajrizi, Hajdari, Gallapeni: Hoxhaa, Muslija, Rexhbeçaj: Asllani, Muriqi.

Rezervistët

Bekaj, Shaipi, Hadërgjonaj, Aliti, I. Krasniqi, Rashica, Rrahmani, Zhegrova, Berisha, E. Krasniqi, Emërllahu, Zabergja


Ndërkohë Vincenzo Montella i Turqisë ka bërë tri ndryshime, madje duke ndryshuar edhe modulin e lojës. Zelik Çelik do të luajë në vend të Mert Muldur, Ozan Kabak zëvendëson Samet Akaydin, ndërsa Baris Alper Yilmaz i Galatasarayt ka mbetur në bankë. Në vend të tij luan Orkun Kokçu.

Formacioni i Turqisë:

Ugurcan: Çelik, Kabak, Bardakci, Kadioglu: Yuksek, Calhanoglu, Kokçu: Yildiz, Guler Akturoglu.

Rezervistët

Gunok, Bayındır, Elmali, Akaydın, Ozcan, Baris Yilmaz, Gul, Irfan Can Kahveci, Muldur, Karazor, Akgun, Kaan Ayhan

1993 – viti kur nisi historia

1 muaj më parë / 31 mar 2026 17:42 Nga: Arsim Maxhera
Histori - Kosove - Shqiperi 1993

Jo në të gjitha vendet është e evidentuar. Por ndeshja e luajtur më 14 shkurt të vitit 1993 shënon fillimin e rrugëtimit të përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Kosova të martën mbrëma prek pikën bindshëm më të lartë deri më tani. Rrugëtimi mahnitës nisi pasditen e një të diele në stadiumin e Dinamos së Tiranës. 

U përballën Shqipëria dhe Kosova, dy ekipet që përfaqësonin dhe ende përfaqësojnë shqiptarët. 
Shqipëria, që luante ndeshje garuese, fitoi 3:1. Por fitorja ishte edhe për Kosovën. Në Kosovë tashmë po zhvillohej futbolli i pavarur. Luhej nëpër livadhe, por topi nuk ndalej së rrokullisuri. Pos garës kampionale, përkushtimi ishte që të prezantohej edhe vendi, ndonëse në okupim. Dhe kush tjetër pos Shqipërisë do ta ofronte mundësinë për ndeshjen e parë?

“Dita kur u kremtua humbja”, ishte titulli i tekstit të shkurtër të së përditshmes “Bujku” më 16 shkurt 1993. 

“Dëshira e kamotshme e sportdashësve shqiptarë u realizua: dje pasdite në stadiumin e Dinamos në Tiranë u takuan ekipet e zgjedhura të futbollit, përkatësisht ekipet përfaqësueses të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Në një atmosferë vëllazërore dhe mjaft impozante, rëndësia e këtij takimi la nën hije rezultatin. Prandaj, fitorja e merituar e të zgjedhurve të Republikës së Shqipërisë me rezultat 3:1, ishte moment që të kremtojnë edhe kosovarët, meqenëse me këtë takim fillon një epokë e re e sportit gjithëkombëtar”, shkruante “Bujku” që botohej edhe në pushtim.
Sipas raportit të kohës, Kosova ishte e barabartë në fushë vetëm në 20 minutat e parë. Kushtrim Munishi, ish-sulmuesi i njohur, kishte shënuar golin e vetëm për Kosovën.

Sipas “Sportit Shqiptar”, në stadium ishin rreth 3000 shikues. “Seleksioni i Shqipërisë – Republika e Kosovës 3-1” ishte titulli i shkrimit të gazetës “Sporti Shqiptar”.

Kishte thirrje “Kosova – Kosova”, por edhe thirrje për Shqipërinë.

“Ndeshja ishte për ne, deri kur pësuam golin. Kjo nuk mund të mohohet. Një gabim, ashtu siç është në përgjithësi futbolli dhe ne e pësuam”, deklaronte Ajet Shosholli, përzgjedhësi i parë i Kosovës.
Ai foli edhe për sfidat me të cilat po përballej futbolli i Kosovës atëbotë. 

Shqipëria vetëm tri ditë më pas luajti ndeshje kualifikuese për Botërorin 1994. Në “Qemal Stafa” pësoi 2:1 nga Irlanda e Veriut.

Kosova pak ditë më pas luajti ndeshje me Albpetrolin e Patosit, skuadër e Shqipërisë. Më pas i kishte disa ndeshje kryesisht revyale dhe humanitare.

Ndeshje e denjë tjetër ishte ajo e 7 shtatorit të vitit 2002, sërish ndaj Shqipërisë në Prishtinë. Stadiumi, që tani e mban emrin “Fadil Vokrri”, ishte stërmbushur me shikues. 

Me miqësore, por që nuk njiheshin nga FIFA, Kosova luajti deri në vitin 2013. Në fillim të vitit 2014, FIFA i dha leje Kosovës që të luajë miqësore. Në vitin 2016, Kosova u pranua në UEFA e FIFA dhe në shtator të atij viti nisi me ndeshje garuese. Tashmë ka disa cikle kualifikuese për Botëror e Evropian dhe disa kampanja në Ligën e Kombeve.

Dhe çdo gjë nisi në vitin 1993 e jo në vitin 2014, siç paraqitet shpesh. Gati dy dekada dhe mijëra futbollistë që dhanë kontribut, nuk mund të harrohen.

Sa para do t’i fitojë Kosova nëse kualifikohet në Botëror?

1 muaj më parë / 31 mar 2026 17:40
LIVE: GOOOOOOOOOOOOOOL, KOSOVAAAAAAAAAAAAAAAA

Plejofi për kualifikim në Botëror ka rëndësi shumë të madhe edhe në aspektin financiar.

Nëse Kosova kualifikohet në Botëror, FFK-ja do të shpërblehet nga FIFA me plot 9 milionë euro.

FIFA ndan për federata nga 1,3 milionë euro për të mbuluar shpenzimet e logjistikës në Botërorin në SHBA.

Ndërkohë kualifikimi në Botëror shpërblehet me 9 milionë euro të tjerë. Pra të garantuara për çdo federatë që e ka përfaqësuesen të kualifikuar janë 9 milionë euro. 

Ndërkohë suksesi në Botëror sjell të hyra të tjera milionëshe.

Kosova është në finale të plejofit. Luan sonte me Turqinë nga ora 20:45 në Prishtinë.

Mushica: Kualifikimi do të ishte si “Pavarësia e dytë”

1 muaj më parë / 31 mar 2026 17:37
Kushtrim Mushica

Ish-portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Kushtrim Mushica, ka thënë se kualifikimi i mundshëm i Kosovës në Kampionatin Botëror sonte do të kishte vlerë historike, duke e krahasuar me një “Pavarësi të dytë”.

Mushica ishte në skuadrën e Kosovës kur luajti ndeshjet e para zyrtare, kundër Haitit dhe Turqisë. Ai e kujtoi këtë kohë, duke theksuar se emocionet e mëdha të asaj periudhe dhe rëndësinë historike që kishin ato ndeshje për futbollin kosovar. Ai shprehu mirënjohje për Turqinë që pranoi të luante me Kosovën në atë kohë, duke theksuar se rezultati nuk ishte parësor, por vetë fakti që Kosova po hynte në arenën ndërkombëtare ishte një pikënisje e rëndësishme.

“Ishte një kohë që për atëherë ishte historike. Ajo datë vazhdon të mbetet pjesë e historisë. Luajtëm me Haitin e pastaj Turqinë. I kujtoj edhe emocionet e mëdha që kisha. I jemi mirënjohës Turqisë që pranoi të luante me ne. Rezultati nuk ishte parësor. Ishte pikënisje e asaj që kemi arritur”, u shpreh ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, ndeshja e sotme ka një peshë krejt tjetër, pasi Kosova tashmë është thuajse e baraspeshuar me kundërshtarët sa i përket cilësisë. Mushica theksoi se Kosova është bërë shembull për shumë kombëtare për rrugëtimin e saj të shpejtë, duke shtuar se suksesi ka ardhur falë talentit dhe kombinimit të lojtarëve që janë rritur në Kosovë dhe atyre që i janë bashkuar ekipit nga diaspora.

Ai shtoi se një kualifikim eventual do të mund të quhej “Pavarësi e dytë”, pasi atmosfera në qytet para ndeshjes i ka ngjarë festës së Ditës së Pavarësisë, me qytetarë të disponuar dhe optimistë.

Në fund, Mushica kujtoi edhe vitet e ’90-ta, kur futbollistët kosovarë u tërhoqën nga garat e përbashkëta në Jugosllavi dhe krijuan ligën paralele, duke i quajtur heronj të asaj kohe për sakrificën dhe kontributin e tyre në ruajtjen e futbollit kosovar.

“ESPN” e parashikon Kosovën fituese

1 muaj më parë / 31 mar 2026 17:13
Kosova

Mediumi i njohur amerikan, “ESPN”, e ka parashikuar Kosovën fituese të ndeshjes finale të plejofit kundër Turqisë.

“Ekipi i Franco Fodas është i ri, i guximshëm dhe plot ritëm e energji. Lojtarët e Kosovës kanë aftësi të shokojnë një ekip turk të mbushur me talente të nivelit të lartë, përfshirë Arda Gulerin, Hakan Çalhanoglun dhe Kenan Yildizin. Turqia ka fituar dy ndeshjet e mëparshme dhe do të jetë favorite, por stadiumi ‘Fadil Vokrri’ do të jetë i shkëlqyeshëm të martën, dhe një atmosferë pasiononte mund të jetë në favor të Kosovës. Fitues: Kosova”, shkruan ESPN. 

Ndeshja pritet të nisë nga ora 20:45.

Bunjaku: Fituam finalen e vogël, ta fitojmë edhe finalen e madhe

1 muaj më parë / 31 mar 2026 17:12
Albert Bunjaku

Ish-sulmuesi i Kosovës, Albert Bunjaku, është shprehur i lumtur për fitoren e madhe të Kosovës U19 ndaj Turqisë U19.

Të hënën në Manavgat, Kosova U19 fitoi 3:1 ndaj Turqisë, në kuadër të Grupit B1 të raundit të parë kualifikues për “Euro 2027”.

Me fitore, Kosova ka siguruar vendin e parë në grup dhe do të luajë në Ligën A në raundin e dytë kualifikues.

Bunjaku është selektor i Kosovës U19, ndërsa në të kaluarën ka luajtur për përfaqësuesen A të “Dardanëve”.

Në miqësoren e 21 majit në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë kundër Turqisë, Bunjaku shënoi golin e vetëm në humbjen 6:1.

Ishte miqësorja e dytë e Kosovës pas lejes nga FIFA.

“Ne e fituam finalen e vogël. Uroj që Kosova ta fitojë edhe finalen e madhe ndaj Turqisë”, ka thënë Bunjaku për Federatën e Futbollit të Kosovës.

Gjatë periudhës 2014-2016, Bunjaku luajti gjashtë ndeshje për Kosovën. Ai shënoi tre gola. Ka luajtur edhe për Zvicrën.

Festë e entuziazëm para ndeshjes që siguron Botërorin

1 muaj më parë / 31 mar 2026 16:48 Nga: Arsim Maxhera
Kosova - Turqia

Photo: Driton Paçarada

Çdo gjë është gati për finalen e plejofit mes Kosovës e Turqisë. Ndeshja ka rëndësi të jashtëzakonshme – siguron pjesëmarrjen në Botëror. Motivimi  te Kosova është maksimal. Deri më tani Kupa e Botës është dukur ëndërr e largët. Tani është një fitore larg. I gjithë vendi po bëhet gati për festë sonte, ndonëse ndeshja nuk vlerësohet aspak e lehtë

Emocione e entuziazëm.

Festë, këngë e brohoritje. Natë pa gjumë, akuza e dyshime.

Dhe momenti i së vërtetës po afron.

Prej orës 20:45 Kosova mund ta arrijë suksesin më të madh deri më tani – kualifikimin në Kupën e Botës në futboll.

Finalja e plejofit me Turqinë nuk ka të bëjë vetëm me sport. Ka të bëjë me shumë më tepër. Me promovimin e shtetit të Kosovës para së gjithash.

Ende pa nisur finalja, shkrimet për Kosovën janë të shumta dhe në mediat më të fuqishme botërore. Për Kosovën dhe ekipin përfaqësues të saj kanë shkruar “The New York Times”, “The Guardian”, “BBC” dhe shumë e shumë media të mëdha dhe prestigjioze botërore.

Rrëfimi i Kosovës është unik. Vetë arritja në finale të plejofit, pra në ndeshjen vendimtare për kualifikim në Kupën e Botës, është sukses i mahnitshëm.

Por ëndrra e të gjithë shqiptarëve është fitorja sonte ndaj Turqisë dhe paraqitja në Botërorin që pas disa javësh fillon në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Në letër, Turqia është favorite. Për shumë arsye: përvojën, nivelin e futbollit, nivelin e lojtarëve dhe klubet ku luajnë ata.

E tillë ishte edhe Sllovakia, ndaj së cilës Kosova fitoi të enjten. Dhe në vjeshtë edhe Suedia e Sllovenia, ndaj të cilave po ashtu fituan “Dardanët”.

Fusha me letër dallon shumë.

Ka të bëjë, ndër të tjera, edhe me motivin e lojtarëve. Dhe motivi i lojtarëve të Kosovës është maksimal. Ka kohë që futbolli është tema numër një në vend. Entuziazmi i së hënës, në të gjithë vendin, ka kohë që nuk është parë.

Rrjedhimisht motivimi nuk do të jetë problem. Dhe kur skuadra është e motivuar, në krye të saj duhet të jetë një strateg, mendjemprehtë.

I tillë është Franco Foda. Ardhja e gjermanit në krye të Kosovës ka ngritur përfaqësuesen në nivel dukshëm më të lartë.

Ndeshja që luhet sonte në “Fadil Vokrri” është dëshmi.

Foda ka gjetur mënyrën e duhur të lojës. Ndërkohë shumica e lojtarëve janë në nivelin më të lartë në karrierë dhe të gatshëm ta dërgojnë Kosovën aty ku shumë shtete vetëm ëndërrojnë – në Kupën e Botës në futboll.

Kupa e Botës nuk krahasohet me asnjë ngjarje tjetër, jo vetëm sportive. Për një muaj i gjithë fokusi do të jetë në SHBA, Kanada e Meksikë.

Sonte për 90 minuta, e ndoshta për 120 minuta e edhe më shumë, vëmendja do të jetë në stadiumin e vogël në Prishtinë.

Stadiumi ka kapacitet prej gati 14 mijë ulëseve, por për finalen që siguron Botërorin është shumë i vogël. Biletat në treg të zi janë shitur për qindra euro. Por edhe me çmim të lartë vështirë janë siguruar.

Si çdo finale, as kjo nuk do të jetë e lehtë. E motivuar maksimalisht është edhe Turqia, që në ngjarjen e madhe nuk ka luajtur që nga viti 2002.

Edhe Turqia do të ketë përkrahje në stadium, nga të paktën 700 shikues.

Tifozët e Turqisë kanë krijuar atmosferë festive në sheshet e Prishtinës. Natyrisht edhe ata të Kosovës.

Në natën mes së hënës e së martës ka pasur fishekzjarrë në afërsi të hotelit ku qëndrojnë lojtarët turq. U njoftuan për dy të arrestuar, kurse fishekzjarrët u ndezën për të lënë pa gjumë lojtarët mysafirë. Mediat në Turqi kanë raportuar shumë për këtë. Ka pasur edhe akuza të pabazuara nga mediat turke, disa prej të cilave duket se janë të interesuara për mbrëmje të tensionuar.

Gjatë ditës megjithatë nuk ka pasur shenja tensioni. Atmosfera ishte e relaksuar.

Dhe tani është koha për shfaqjen në fushë. Shfaqje që shpresohet se do ta dërgojë Kosovën në ngjarjen që deri më tani është dukur ëndërr shumë, shumë e largët – në Kampionat Botëror.

Shtohen masat e sigurisë për ndeshjen Kosovë-Turqi, paralajmërohen bllokime të përkohshme rrugësh

1 muaj më parë / 31 mar 2026 16:26
policia

Foto: Ilustrim

Policia ka njoftuar se janë ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. 

Sipas njoftimit policor, do të ketë prani të shtuar policore në stadium, në qytet dhe në tri “Fan Zona”.

“Me qëllim të lëvizjes së delegacioneve, lehtësimit në qarkullim dhe zhvillimit të ndeshjes, do të këtë bllokime të përkohshme të rrugëve: lokale dhe Nacionale si në vijim rrugët: Tring Ismajli, Agim Ramadani, Eqrem Çabej, Semaforat kryesore, Bulevardi Bill Clinton, Rrethi te Stacioni i Autobusëve, Rruga Hekurudhat, Rruga Tirana (drejt stadiumit), ndërsa gjatë Largimi nga stadiumi drejt aeroportit: Rruga Tirana, Arbëria, rr. Ahmet Krasniqi dhe Autostrada (drejt aeroportit). Rrugë të tjera kanë kufizime të përkohshme në Perimetrin rreth stadiumit, rr. Luan Haradinaj (deri te Ministria e Drejtësisë) dhe rr. Fehmi Agani”, thuhet në njoftim. 

PK-ja ka bërë të ditur se këto bllokime do të jenë të përkohshme dhe do të realizohen në intervale kohore, varësisht nga lëvizjet zyrtare dhe nevojat e lehtësimit në trafik.

Më tej është bërë thirrje për qytetarët që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren, të përdorin rrugë alternative kur është e mundur, të kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Duka i uron suksese Kosovës. Ndoshta sot mund të ishim dy

1 muaj më parë / 31 mar 2026 15:59
Duka i uron suksese Kosovës. Ndoshta sot mund të ishim dy

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u ka uruar suksese futbollistëve të Kosovës në ndeshjen finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026 kundër Turqisë.

Ndeshja zhvillohet sonte nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Ndoshta sot mund të ishim dy… por edhe kështu, jemi një. Me krenarinë që na dha Shqipëria dhe shpresën që na jep Kosova. Forca djemtë tanë!”, shkruan Duka në rrjetet sociale. Duka ka postuar fotografinë e festës së lojtarëve të Kosovës pas fitores 4:3 në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Botërorin e këtij viti ndaj Sllovakisë të enjten e kaluar në Bratislavë.

Tre baballarët e Kosovës – Zhegrova, Hoxha e Rexhbeçaj

1 muaj më parë / 31 mar 2026 15:13
Tre baballarët e Kosovës – Zhegrova, Hoxha e Rexhbeçaj

Federata e Futbollit e Kosovës u ka dhuruar nga një fanellë me emrat e djemve të tyre, Edon Zhegrovës, Veldin Hoxhës dhe Elvis Rexhbeçajt.

“Elvis Rexhbeçaj, Veldin Hoxha dhe Edon Zhegrova tani kanë një rol të ri… jashtë fushës! Si dhuratë të veçantë, secili mori fanellën e Kombëtares me emrin e vogëlushit të tij: Lian, Neyla dhe Mars. Urime për këtë kapitull të mrekullueshëm të jetës!”, shkruan FFK të martën.

Në fotografi me Zhegrovën, Hoxhën dhe Rexhbeçajn ka dalë edhe kapiteni, Vedat Muriqi.

Kapiteni Amir Rrahmani kujton legjendën Fadil Vokrri

1 muaj më parë / 31 mar 2026 14:02
Amir Rrahmani - Fadil Vokrri

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka publikuar një fotografi të legjendës Fadil Vokrri në Instagram.

Prapa shpinës së legjendës Vokrri shihet e varur fanella e Rrahmanit me numrin 13-të.

Rrahmani kujton ish-presidentin e FFK-së në ditën më të rëndësishme të përfaqësueses së Kosovës.

“Dardanët” sonte nga ora 20:45 e zhvillojnë ndaj Turqisë finalen e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Rrahmani nuk luan për shkak të lëndimit. Por ka ardhur në Prishtinë për t’i përkrahur bashkëlojtarët.

Policia: Siguria për ndeshjen sipas standardeve të UEFA-s

1 muaj më parë / 31 mar 2026 14:03
Bajram Shabani

Kapiteni Bajram Shabani, shef i sektorit për planifikim permanent dhe koordinim operacional në Policinë e Kosovës, ka deklaruar se organizimi i sigurisë të martën po realizohet në përputhje të plotë me protokollet e UEFA-s.

Sipas tij, UEFA delegon zyrtarët e saj të sigurisë për ndeshje të tilla, ndërsa protokollet përkatëse tashmë po implementohen nga Policia e Kosovës, e cila është e certifikuar për këtë detyrë.

“UEFA në rastin konkret i delegon përfaqësuesit, zyrtarët e vet që i ka për siguri, të cilët e kanë protokollin e UEFA-s për siguri, ai protokoll implementohet tani edhe nga Policia e Kosovës ngase siç ju thashë edhe më parë, ne jemi të certifikuar për atë detyrë. Policia e Kosovës FFK-ja kanë intensifikuar kontaktet, bashkëpunimin me UEFA-n, pastaj jemi familjarizuar me rregulloret e UEFA-s që janë për siguri dhe për ne si Polici tani kjo është jashtëzakonisht lehtësim i madh ngase në këtë drejtim jemi jashtëzakonisht profesional”, ka thënë ai në emisionin “tre8tre” në KTV.

Shabani ka theksuar se institucionet vendore kanë fituar përvojë të konsiderueshme në organizimin e ngjarjeve të tilla, duke përmendur edhe ndeshjen historike të vitit 2014 në stadiumin “Adem Jashari” mes Kosovës dhe Haitit si një pikënisje të rëndësishme.

Për shtimin e numrit të zyrtarëve policorë, Shabani ka thënë se PK-ja ka planifikuar një numër të mjaftueshëm dhe do të shtojë prezencën në terren, me qëllim që tifozët ta shijojnë atmosferën festive pa probleme.

“Policia e Kosovës ka planifikuar numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë. Do të shtojë numër, veprime që janë ndërmarrë në mënyrë që kjo ndeshje të kalojë pa ndonjë incident, që tifozëritë ta shijojnë atmosferën festive”, ka thënë ai.

Shabani ka bërë të ditur se qytetarët janë njoftuar që do të ketë bllokime të përkohshme të disa segmenteve rrugore për shkak të masave të sigurisë dhe organizimit të operacionit.

Zhegrova e nis festën e ditëlindjes, desertin pas ndeshjes

1 muaj më parë / 31 mar 2026 13:56
edoni

Superylli i Kosovës, Edon Zhegrova, festën e ditëlindjes e ka nisur sot më ndryshe.

Në prag të ndeshjes historike me Turqinë, bashkë me lojtarët e Kosovës ka fryrë qirinjtë e ditëlindjes së 27-të, porse festën e vërtetë, sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, do ta ketë pas ndeshjes.

“Urime ditëlindjen, Edon Zhegrova! Plani ishte ta prisnim tortën në drekë... por e lamë për "desert" pas ndeshjes. Sepse festa e vërtetë fillon atëherë!”, thuhet në  postim.

E se cila ishte dëshira e ditëlindjes, sipas FFK-së, është e lehtë të supozohet.

“Po e paramendojmë se e dini cila ishte dëshira e Edonit kur i fryu qirinjtë? E thjeshtë, por e madhe: Kupa e Botës 2026”, thuhet në postimin e Federatës.

Kosova i mirëpret turqit, festë e kafe falas në shesh

1 muaj më parë / 31 mar 2026 13:37
Kosova-Turqia

Photo: Driton Paçarada

Atmosferë festive ka nisur të mbretërojë të martën në mesditë, kur kanë mbetur më pak se tetë orë deri në nisjen e ndeshjes historike Kosovë-Turqi në futboll.

“Dardanët” presin turqit në “Fadil Vokrri” në ndeshjen vendimtare. Fituesi shkon në Kampionatin Botëror të futbollit.

Surle e tupanë kanë shoqëruar tifozët, ndërsa sheshi është mbushur edhe me shitës të shalleve e fanellave të të dyja përfaqësueseve.

Fotot: Driton Paçarada/KOHA

Një kafene madje u ka ofruar falas kafe tifozëve turq duke shkruar se “turqit kanë paguar gjithçka me ndihmën dhënë Kosovës më 1999”.

“Sot rivalë, por gjithmonë miq. Kafe e çaj falas për të gjithë tifozët turq. Ju e keni paguar më 1999 – sot nuk keni asnjë borxh. Faleminderit”, shkruan në mes të sheshit.

Arrestohen dy të dyshuar për fishekzjarrët pranë hotelit ku po qëndron Kombëtarja e Turqisë

1 muaj më parë / 31 mar 2026 13:12
Fishekzjarrët

Dy persona janë arrestuar nën dyshimin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm në Prishtinë.

Rasti ka të bëjë me fishekzjarrët që janë lëshuar gjatë mbrëmjes të së hënës pranë hotelit ku po qëndron kombëtarja e Turqisë në futboll.

Zëdhënësi i Policisë, Enis Pllana, ka thënë për KOHËN se të dyshuarit janë ndaluar për 48-orë.

“Dy persona të arrestuar, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48-orë”, ka thënë Pllana.

Në rrjete sociale kanë qarkulluar pamje të këtyre fishekzjarrëve të ndezur rreth orës 01:00 pas mesnatës.

Cana e cilëson ndeshjen me Turqinë si një prej ditëve më të rëndësishme pas Pavarësisë

1 muaj më parë / 31 mar 2026 12:15
Lorik Cana

Kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana, ka thënë se ekipi përfaqësues i Kosovës ka avancuar ndjeshëm në fushë në periudhën e fundit.

Sipas tij, ndeshja me Turqinë në plejofin për Botërorin 2026 është një nga ditët më të rëndësishme për Kosovën pas shpalljes së Pavarësisë.

“Pas shpalljes së pavarësisë mund të jetë një nga ngjarjet më të afirmimit të shtetit të Kosovës dhe të vlerave që ka rinia aty tek ne. Turqia mbetet favoritja e madhe, ajo është e sigurt dhe e mirë nga ana teknike. Një vend që mbetet favorit i madh, por fokusi i ekipit të Kosovës pas ndeshjes së Zvicrës ka ndryshuar diçka. Ekipi i Kosovës ka ndryshuar jo vetëm mënyrë taktike, një dorë dhe një meritë të jashtëzakonshme edhe për trajnerin, por ka ndodhur diçka brenda ekipit, ku kanë gjetur një forcë, vetëbesim dhe një shpirt luftarak, dhe prej aty ka pasur një lloj ndryshimi brenda ekipit të Kosovës. Kanë bërë një fazë kualifikuese me Slloveninë dhe Suedinë dhe duke eliminuar një skuadër si Sllovakia, që mbetet një skuadër e mirë. Tani mbetet shkalla e fundit dhe sfida më e madhe dhe më e vështirë është shkalla e fundit”, ka thënë ai për “Euronews”.

Cana ka thënë se përgjegjësia kur përfaqëson shtetin është e pakrahasueshme.

“Ajo që i bën të luajnë mirë është të kuptojnë se çfarë fati dhe përgjegjësie kanë të përfaqësojnë vendin e vet, është një mundësi e jashtëzakonshme. Pjesa e profesionalizmit mbetet kryesore për arritje, për të qenë sa më të përgatitur, por emocionalisht, atë që skuadra arriti është të bëhet një dhe të mbledhë të gjithë ndjenjën e përbashkët, por jo vetëm për ta. Sepse kur përfaqëson vendin tënd, nuk është diçka që krahasohet me klubet, dhe besoj se këta djem kanë bërë diçka të jashtëzakonshme me punën e tyre dhe të trajnerit. Por merita kryesore është e atyre që luajnë në fushën e gjelbër”, u shpreh Cana.

Federata thirrje tifozëve: Të gjithë në këmbë, të jemi lojtari i 12-të

1 muaj më parë / 31 mar 2026 11:44
ffk

Federata e Futbollit të Kosovës u ka bërë thirrje tifozëve që në ndeshjen ndaj Turqisë, në finalen e plejofit për kualifikim në Botërorin e futbollit, të mos qëndrojnë ulur në tribuna.

Në një shkrim në Facebook, FFK-ja ka thënë se sonte është një natë që nuk përsëritet.

“Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit. Nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë. Jemi vetëm një hap larg Botërorit. Një hap që për shumëkënd ka qenë ëndërr e largët për dekada. Një shans që mund të vijë vetëm një herë në jetën tonë. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt. Stadiumi nuk është teatër. Nuk ka skenar të shkruar, nuk ka audiencë pasive. Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë. Dardanët në fushë kanë nevojë për atë shtysë që nuk matet me statistika, por ndjehet në çdo sprint, në çdo duel, në çdo goditje”, thuhet në thirrjen e FFK-së.

FFK-ja ka bërë thirrje për respektim të kundërshtarit edhe gjatë intonimit të himnit.

“Por sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shndërrohet në një arenë ku edhe kundërshtari i sotëm e ndjen peshën e një kombi të tërë. Një vend ku çdo metër i fushës fitohet edhe nga tribuna. Mos e ndal këngën kur topin e kemi ne. Mos e ndal atmosferën kur e kanë ata. Sepse energjia që krijohet nga tribuna është më shumë se atmosferë, është presion, është motivim, është avantazh. Bileta për në Botëror nuk është vetëm një arritje sportive. Është një mundësi për të treguar Kosovën para botës, për të promovuar identitetin, historinë dhe krenarinë tonë në skenën më të madhe të futbollit. Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i tërë. Beso. Këndo. Brohorit. Sepse sonte, historia mund të shkruhet me zërin tënd”, thuhet në thirrjen e FFK-së.

“Dardanët” kërkojnë falje që s’po mund t’i përmbushin të gjitha kërkesat për bileta

1 muaj më parë / 31 mar 2026 10:53
Dardanët

Tifogrupi “Dardanët” ka kërkuar falje që nuk kanë arritur t’u përgjigjen të gjitha kërkesave për t’u pajisur me bileta për ndeshjen e madhe të Kosovës me Turqinë.

Kosova e pret Turqinë të martën në “Fadil Vokrri”. Biletat ishin shitur shpejt, madje para se të dihej se Kosova do të arrinte finalen e plejofit për kualifikim në Botëror.

“Ndjejmë keqardhje të thellë që nuk kemi arritur t’u përgjigjemi të gjithë të interesuarve për t’u pajisur me bileta për finalen e madhe Kosovë – Turqi. Kërkojmë sinqerisht falje që nuk kemi mundur t’i përmbushim të gjitha kërkesat e panumërta, me mijëra të tilla, që tejkaluan çdo pritshmëri të imagjinueshme. Kjo kërkimfalje është e ndier, sepse na vjen keq për secilin prej jush që shprehu dëshirën për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje madhore për vendin tonë, por që, fatkeqësisht, nuk do të mund të jetë i pranishëm. Megjithatë, ky është kapaciteti i sektorit të tribunave që mbulojmë ne; nuk kemi mundësi as ta zgjerojmë dhe as të bëjmë të pamundurën. Ju lutemi për mirëkuptim dhe besim se, brenda përgjegjësive tona, kemi bërë dhe po vazhdojmë të bëjmë maksimumin”, thuhet në një reagim të “Dardanëve” të martën, në ditën e ndeshjes.

“Dardanët” kanë bërë thirrje që tifozët të mos e përfundojnë misionin vetëm me mbërritjen në stadium.

“Sot, përgjegjësinë për mbarëvajtjen e ndeshjes duhet ta ndiejmë të gjithë, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në mbështetjen e pakursyer ndaj ekipit tonë kombëtar. Duhet të motivojmë dhe të shtyjmë përpara futbollistët tanë drejt suksesit kulminant. Secili prej nesh duhet të japë më shumë se në ndeshjet e kaluara. Secili duhet të ndihet i përfshirë dhe të kontribuojë me kapacitetet e veta në organizim. Secili duhet të ngjitet në shkallët e stadiumit me vendosmëri dhe energji të pashtershme. Secili duhet të mbajë mbi vete përgjegjësinë e përbashkët për ta jetësuar ëndrrën tonë. Secili duhet të jetë aktiv, jo pasiv. Dhe, mbi të gjitha, sot secili duhet të vishet me ngjyrat e Kosovës: me shall, bluza apo duksa kombëtare”, thuhet tutje në thirrjen e “Dardanëve”.

Shkrimet për koreografi anti-osmane, pamjet janë të vjetra

1 muaj më parë / 31 mar 2026 09:28
Shkrimet për koreografi anti-osmane, pamjet janë të vjetra

KOHA ka konfirmuar se janë pamje gjatë përgatitjes së një prej koreografive nga tifo-grupi mitrovicas “Torcida” shumë kohë më parë.

“Kjo është tepër! Kosovarët po përgatisin koreografi anti-osmane”, është titulli i një prej shkrimeve të mediumit turk “SonDakika”.

Ky medium e ka vlerësuar “skandaloze koreografinë”.

Megjithatë pamjet që janë marrë për bazë, të shpërndara në rrjetet sociale, janë të vjetra dhe nuk kanë të bëjnë me ndeshjen Kosovë – Turqi. 

KOHA ka konfirmuar se janë pamje gjatë përgatitjes së një prej koreografive nga tifo-grupi mitrovicas “Torcida” shumë kohë më parë.

Bëhet fjalë për një koreografi që fitoi simpati e shumë sportdashësve e ku shfaqen edhe Isa Boletini e Adem Jashari dhe flamuri kombëtar.

Duket që disa mediume turke kanë tendencë për të tensionuar situatën para ndeshjes.

Mediat turke ankohen për fishëkzjarrët para hotelit të Turqisë

1 muaj më parë / 31 mar 2026 09:21
Mediat turke ankohen për fishëkzjarrët para hotelit të Turqisë

Futbollistët e Turqisë nuk e kishin natën më të qetë në prag të ndeshjes me Kosovën.

Para hotelit të tyre në Prishtinë janë hedhur fishekzjarrë.

Mediumet turke kanë publikuar pamje nga ndezja e fishekzjarrëve.

“Sondakika” ka shkruar se “ky incident ka ngritur tutje tensionin para ndeshjes”.

Kompanitë e basteve caktojnë kuotat për ndeshjen Kosovë-Turqi

1 muaj më parë / 31 mar 2026 09:19
Kosova

Kompanitë e mëdha të basteve e kanë vlerësuar Turqinë favorite përballë Kosovës në finalen e plejofit kualifikues për Botërorin e këtij viti.

Ndeshja Kosovë-Turqi zhvillohet sonte prej orës 20:45 në Prishtinë. 

Për fitore eventuale, Kosova e ka kuotën 4.00, ndërsa barazimi 3.50, derisa fitorja e Turqisë llogaritet me kuotë 2.00.

Kuota për Kosovën ishte edhe më e lartë ditë më parë.

A priten ndryshime në formacionin e Kosovës

1 muaj më parë / 31 mar 2026 08:58
Kosova

Kosova është në seri prej gjashtë ndeshjeve pa humbje.

Për më tepër është në finale të plejofit për kualifikim në Botëror. Është ndeshja më e madhe në histori dhe përzgjedhësi Franco Foda pritet t’i përmbahet vendosjes në fushë që solli këtë sukses mahnitës.

Kosova sonte ndaj Turqisë, në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45, do të luajë me sistemin 5-3-2, që në sulm shndërrohet në 3-5-2.

Edhe formacioni nuk pritet të ketë ndryshime në krahasim me fitoren 4:3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë, të enjten.

Aro Muriq do të jetë në portë e para tij në mbrojtje Albian Hajdari, Lumbardh Dellova e Kreshnik Hajrizi.
Mërgim Vojvoda e Dion Gallapeni do të jenë në krahë, kurse në qendër të mesfushës Elvis Rexhbeçaj e Veldin Hoxha. Para tyre do të vendoset Florent Muslija, kurse Vedat Muriqi e Fisnik Asllani në sulm.
Muriqi do të jetë edhe kapiten.

Turqia, natyrisht, e di se si luan Kosova. Por kjo nuk do të thotë se Foda do ta ndryshojë sistemin. E dinin edhe Suedia, Sllovenia e Sllovakia.

Bota shkruan për historinë që mund ta shkruajë Kosova

1 muaj më parë / 31 mar 2026 08:30
kosova

Mediumet më të mëdha botërore kanë shkruar për Kosovën në prag të ndeshjes historike të futbollit me Turqinë.

Në orën 20:45, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë arena vendimtare për kualifikim në Botëror. Skuadra fituese do të shkojë në SHBA, Meksikë e Kanada për Kupën e Botës.

“Kosova në eufori ëndërron historinë e Botërorit”, ka shkruar BBC.

“Kosova e vogël në prag të historisë së Kupës së Botës, para ndeshjes finale kualifikuese ndaj Turqisë”, ka shkruar agjencia “Reuters”.

Edhe në Itali kanë shkruar për shtetin e vogël që ëndërron Botërorin. “Kosova për historinë, vendi i vogël ëndërron Botërorin: nga Muric te Zhegrova, sa shumë Itali”, ka shkruar “Corriere della Sport”.

“The Guardian” ka shkruar se “çdo gjë është e mundshme për Kosovën”.
Ndërkohë titulli i një komenti të Alex Torres për mediumin spanjoll “AS”, është: “Ndeshja që Fadil Vokrri është dashur ta shikonte”.

Sipas autorit, asgjë që Kosova ka arritur nuk do të ishte e mundur pa ish-presidentin e federatës, legjendën Vokrri. Torres ka shkruar për përvojën personale që kishte me Vokrrin e ndjerë, për planet dhe synimet e tij.

“Nesër Kosova përballet me Turqinë duke e ditur që fitorja ia siguron vendin në Kupën e Botës. Do të luajë në stadiumin që e mban emrin e Fadil Vokrrit. Është e trishtueshme dhe e padrejtë që ai nuk do të jetë aty për ta parë, por kujtimi i tij do të jetë i gjallë në mendjen e spektatorëve. Asgjë nuk do të ishte e mundur pa të”, shkruan në artikullin e “AS”.

Revista gjermane “Kicker” ka shkruar ndër të tjera për bonusin që është premtuar nga Qeveria e Kosovës në rast të kualifikimit në Botëror. 1 milion janë premtuar për fitore në finale, por “edhe më shumë”.

Ndërkohë mediumet e fuqishme turke kanë dërguar ekipet e gazetarëve në Kosovë. Ato po e përcjellin në çdo hap përfaqësuesen turke, por edhe Kosovën. 

Corriere dello Sport: Kosova për historinë, vendi i vogël ëndërron Botërorin

1 muaj më parë / 31 mar 2026 08:30
LIVE: GOOOOOOOOOOOOOOL, KOSOVAAAAAAAAAAAAAAAA

Gazeta e njohur italiane “Corriere dello Sport” i ka kushtuar një artikull ndeshjes së sotme historike mes Kosovës dhe Turqisë.

Në shkrimin e saj, media italiane ndalet te rrugëtimi i veçantë i Kosovës, një përfaqësuese që përfaqëson më shumë se futboll. E ndërtuar mbi histori emigrimi, rikthimi dhe identiteti, kjo përfaqësuese përbëhet nga lojtarë të shpërndarë në të gjithë Evropën. Nga 23 të grumbulluarit, 13 kanë lindur jashtë vendit, ndërsa vetëm 10 në Kosovë, duke e bërë ekipin një përzierje të fortë të diasporës dhe rrënjëve vendase.

“Përzierje rrënjësh, largimesh, rikthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë nëpër Evropë. Kosova ëndërron Botërorin e saj të parë dhe sot ajo Amerikë nuk duket më aq e largët. Fitorja dramatike në Sllovaki, një 4-3 që i dha edhe më shumë peshë ambicieve, ka ndezur përfundimisht entuziazmin e një kombëtareje të re si shtet, por tashmë e pasur me histori, identitet dhe përkatësi. Më shumë se një kombëtare, Kosova është pothuajse një hartë gjeografike sentimentale. Nga 23 të grumbulluarit, 13 kanë lindur jashtë dhe vetëm 10 në vend. Zvicra, Gjermania, Suedia, Kroacia, madje edhe Belgjika: harta e Kosovës kalon nga aty, nga bijtë e diasporës të rritur larg, por që kanë mbetur të lidhur me një fanellë që për shumë prej tyre përfaqëson diçka shumë më të thellë se thjesht futbolli. Është një skuadër e ndërtuar mbi dy shpirtra: ai i atyre që kanë qëndruar dhe ai i atyre që janë larguar. Dhe ndoshta pikërisht kjo është pika e saj më e fortë”, shkruhet në artikull.

Në qendër të vëmendjes është edhe kapiteni Amir Rrahmani, i cili pavarësisht dëmtimit pritet të jetë pranë skuadrës për ta mbështetur në një nga sfidat më të rëndësishme. Artikulli thekson gjithashtu ndikimin e madh që ka Italia në këtë përfaqësuese, duke nisur nga vetë Rrahmani e deri te lojtarë të tjerë që kanë lidhje me kampionatin italian.

Në stol, trajneri Franco Foda përshkruhet si figura që mishëron më së miri identitetin “e përzier” të Kosovës. “Si futbollist dhe më pas si trajner, e ka bërë disiplinën markën e tij, por në Kosovë ka gjetur diçka ndryshe: një skuadër për t’u formuar jo vetëm taktikisht, por edhe emocionalisht. Ka qenë tashmë trajner i Austrisë në Euro 2020, por që nga viti 2024 është trajner i një dhome zhveshjeje ku bashkëjetojnë thekse, rrugëtime dhe shkolla të ndryshme futbolli, të bashkuara megjithatë nga i njëjti qëllim”.

Tutje në artikull thuhet se zemra teknike e skuadrës rreh sidomos mes sulmit dhe mesfushës së avancuar. Ish-lojtari i Lazios, “pirati” Vedat Muriqi, mbetet pika kryesore në sulm dhe fytyra më e njohur e grupit. Përkrah tij është talent i pastër si Edon Zhegrova i Juventusit, i lindur në Gjermani por i rritur edhe në Kosovë, një lojtar i aftë të ndezë fantazinë, por që mbeti në stol gjatë 90 minutave të gjysmëfinales kundër Sllovakisë. Në portë, portieri i Sassuolos Arijanet Muriq, në mbrojtje, Mërgim Vojvoda i Comos. Në mesfushë, përvojë dhe vrap me Valon Berishën, një tjetër bir i diasporës, dhe cilësi të shpërndarë në një skuadër që përzien fizikalitetin ballkanik me formimin e Evropës Qendrore.

“Corriere dello Sport” shkruan se nuk është rastësi që Kosova, edhe pse një realitet ende i ri në futbollin ndërkombëtar, ka ndërtuar tashmë një identitet të vetin. Nuk ka thellësinë e të mëdhenjve, por ka entuziazëm, intensitet dhe një motivim të veçantë. Për shumë nga këta djem, arritja në Botëror do të thoshte shumë më tepër sesa pjesëmarrje në një turne: do të ishte përmbushja e një identiteti sportiv dhe kombëtar ende në ndërtim. Dhe atëherë po, ëndrra është reale. Jo e lehtë, por reale. Kosova beson dhe mbështetet te 13 mijë tifozët e Prishtinës, por edhe te bijtë e saj të shpërndarë nëpër kontinent.

BBC: Kosova në eufori ëndërron historinë e Botërorit

1 muaj më parë / 31 mar 2026 08:05
Kosova

Mediumi prestigjioz BBC ka shkruar për rrugëtimin historik të Kosovës drejt finales së plejofit që në rast fitoreje të martën do t’i çonte “Dardanët” në Kampionatin Botëror të futbollit.

Në një shkrim në ditën e ndeshjes ndaj Turqisë, BBC-ja ka kujtuar se 10 vjet më parë Kosova nuk e ka pasur asnjë ndeshje kualifikuese për Botëror e tash e ndajnë 90 minuta nga turneu më i madh i futbollit.

Aty është cituar përzgjedhësi Franco Foda që pas fitores ndaj Sllovakisë tha se “kemi një stadium me vetëm 13 mijë ulëse, por po të kishim edhe 100 mijë do të mbusheshin”.

Është theksuar se Turqia është favorite, por është vënë në pah se Kosova e ka zakon të thyejë parashikimet. Kosova është pa humbje në pesë ndeshjet e grupit, që prej humbjes 4:0 në fillim nga Zvicra. Ka luajtur me Suedinë, Slloveninë e më pas në plejof eliminoi Sllovakinë.

Nëse Kosova luan në Botëror, do të ishte pjesë e Grupit D dhe do të përballej me Australinë në Vancouver më 13 qershor, Paraguain në San Francisco gjashtë ditë më pas dhe me SHBA-në në Los Angeles më 25 qershor.

Në këtë artikull ka folur edhe ish-kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj, që ka kujtuar ndeshjen e parë të Kosovës, miqësoren me Haitin më 2014. Ai ka thënë se ishte 17-18 vjeçar dhe se lojtarët përballeshin me probleme me klubet.

Ai ka thënë se do të jetë në ndeshjen e së martës.

“Kemi kaluar nëpër shumë kohëra të vështira në luftë dhe pas luftës ishin problemet ekonomike – dhe ende janë probleme ekonomike”, ka thënë Rashkaj. “Njerëzit duan të ndihen sikur po mund të bashkohen dhe po ndihen se jemi të fortë. Ekipi kombëtar u ka dhënë njerëzve këtë ndjenjë se jemi të fortë, që mund të bëjmë emër në Evropë. Na bën edhe më krenar që njerëzit ta shohin popullin e Kosovës si kontribuues në botë”.

Finalja për histori - Kosova është gati

1 muaj më parë / 31 mar 2026 08:00
Kosova

Për një ndeshje vendimtare për kualifikim në një ngjarje të madhe futbolli kanë ëndërruar shumë gjenerata. Kanë sakrifikuar shumë po ashtu.

Dhe momenti i së vërtetës erdhi.

Të martën prej orës 20:45, Kosova luan me Turqinë në “Fadil Vokrri”. Në rast të fitores mund të fillojë planifikimin e udhëtimit për në SHBA. Ajo që fiton të martën në fushën e stadiumit në Prishtinë, siguron kualifikimin në Kupën e Botës në futboll që pos në SHBA në verë mbahet edhe në Kanada e Meksikë.

Turqia synon të kthehet në ngjarjen globale pas 24 vjetësh. Në vitin 2002 në Kore të Jugut dhe Japoni ishte renditur e treta.

Kosova atëbotë ëndërronte edhe për miqësore. Ndeshjet kualifikuese as që ishin në horizont. Futbollistët e Kosovës, që ndërkohë nisën të quhen “Dardanët”, kanë luajtur kohë pas kohe, me përfaqësuese e skuadra, deri në vitin 2014. FIFA atë vit dha leje për miqësore. Në vitin 2016, Kosova u pranua në UEFA e FIFA dhe nisi me ndeshje garuese.

Gati dhjetë vjet pas, Kosova është vetëm një fitore larg Kampionatit Botëror. Është ky sukses i mahnitshëm. Natyrisht i ëndërruar që kur Kosova nisi me ndeshje, në fillim të viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.

Ngritjen e madhe, “Dardanët” e bënë pas ardhjes së përzgjedhësit Franco Foda dhe rritjes së profesionalizmit rreth ekipit përfaqësues. Në kualifikimet për Botërorin 2026 ishin autsajderë në grupin e fortë me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë. Por dy fitoret me Suedinë, fitorja e barazimi me Slloveninë dhe barazimi me Zvicrën sollën vendin e dytë në grup dhe plejofin. Gjysmëfinalja e plejofit u kalua me sukses – me fitore 4:3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë.

Mijëra shqiptarë ishin në Bratislavë. Dhe entuziazmi para finales me Turqinë është i pabesueshëm. Kërkesa për biletë është e jashtëzakonshme. Biletat u shitën para se të sigurohej finalja dhe tani në treg të zi kanë çmim prej qindra eurove. Por edhe me to vështirë sigurohet një e tillë.

Stadiumi ka kapacitet prej gati 14 mijë ulëseve. Shumë pak për një ndeshje si kjo e së martës mbrëma.

Te Kosova janë të vetëdijshëm për rastin e madh që e kanë. Megjithatë janë të vetëdijshëm se euforia e tepruar mund të jetë edhe e dëmshme. Selektori Franco Foda ka kërkuar fokusim maksimal, ndërsa Vedat Muriqi ka premtuar më të mirën e mundshme.

“Pas pavarësisë mund të jetë lumturia më e madhe e shtetit tonë. Dëshira jonë është maksimale. Besojmë fuqishëm në fitore, nëse bashkohemi të gjithë”, ka thënë Muriqi.

Pritjet prej tij dhe lojtarëve të tjerë janë të mëdha.

Futbolli ka bërë që për pak kohë të harrohen zhvillimet e tjera në vend. Edhe zhvillimet “e rënda” politike. Të gjithë e duan suksesin madhështor. Qeveria të hënën ndau 500 mijë eurot e premtuara për fitoren ndaj Sllovakisë dhe premtoi 1 milion euro, e edhe më shumë, për fitore ndaj Turqisë.

Përfitimet, jo vetëm financiare, do të jenë shumë të mëdha për Kosovën në rast të kualifikimit në Botëror.

Por nuk do të jetë lehtë. Turqia ka në përbërje emra të njohur të futbollit si Arda Guler, Kenan Yildiz e shumë të tjerë. Po ashtu ka fituar tri ndeshjet e kaluara me Kosovën.

Turqia po ashtu do të ketë përkrahje të shikuesve në Prishtinë. Tashmë shumë tifozë të saj janë në Kosovë.

Por shpresat janë të mëdha që këtë herë festa do të jetë për Kosovën.