Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë një postim pas ndeshjes së Shqipërisë me Letoninë.
Duka ka shkruar se barazimi 1:1 nuk ishte rezultati që synohej. Por Duka mbetet optimist.
“Kemi bërë gjysmën e ndeshjeve eliminatore dhe gjysma tjetër e mbetur na imponon të jemi me mendësi e energji krejt të tjera. Nuk arritëm të merrnim fitoren, por gara vazhdon, kemi ende dhe një gjysmë rruge përpara. Asgjë nuk është mbyllur dhe asgjë nuk ka mbaruar për asnjë nga rivalët tanë. Natyrisht, na duhet të rikthehemi në shtator më të kthjellët dhe më me uri e grintë për të marrë maksimalen e për të bërë rezultat e fitore edhe aty ku askush tani nuk mund ta mendojë”, ka shkruar Duka.
Ai është kritikuar shumë së fundit nga tifozët e Shqipërisë. Madje është fyer edhe gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi.
Duka ka paralajmëruar analizë nga shtabi teknik, që shpreson se do të prodhojë reagim të menjëhershëm.
“Luajtëm katër sfida, kemi edhe katër të tjera. Njohim forcën e rivalëve sikundër edhe ata njohin mirë peshën dhe rrezikun tonë. Do të luajmë deri në sekondën e fundit të gjitha shanset e mundësitë tona që ende i kemi në këmbët tona! A mund të merrnim më shumë? Natyrisht po, por ky është futbolli! A kemi gabime në lojë që kerkojnë të analizohen me qetësi e maturi. Patjetër. Si çdo ekip tjetër. Ne do të vazhdojmë fort dhe me besim garën tonë ende të hapur. Sepse, ne jemi Shqiperia! Do të provojmë e sakrifikojmë deri në pasin e fundit të mundësive që kemi”, ka shkruar presidenti i FSHF-së, Duka.