Futboll

Drita në Madrid për ndeshjen e fundit të fazës së ligës

Drita

Pas udhëtimeve në Finlandë e Irlandë, skuadra e Dritës së Gjilanit ka udhëtuar për në Madrid të Spanjës. Atje do ta luajë ndeshjen e fundit të fazës së ligës në “Conference League”.

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, të enjten nga ora 21:00 përballet me skuadrën e La Ligas spanjolle, Rayo Vallecano.

Për shkak të nivelit të ligës dhe për shumë arsye të tjera, Rayo Vallecano është favorite e madhe ndaj skuadrës gjilanase.

Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Campo de Futboll de Vallecas”, që ka kapacitet prej 14 mijë e 708 vendesh.

Një xhiro para fundit, Drita është e 19-a në fazën e ligës. I ka tetë pikë nga pesë ndeshje. Nga tetë pikë i kanë edhe Omonia e Qipros, Lausanne-Sport e Zvicrës, Noah e Armenisë dhe Jagiellonia Bialystok e Polonisë. Nga nëntë pikë i kanë pesë skuadra, e nga dhjetë, pesë të tjera. Dhjetë pikë në vendin e shtatë i ka Rayo Vallecano.

Pas fazës së ligës, përkatësisht pas xhiros së gjashtë, tetë skuadrat e para avancojnë direkt në një të tetën e finales. Skuadrat prej vendit të nëntë e deri në vendin e 24-t, avancojnë në plejofin e fazës nokaut. Dhe skuadrat prej vendit të 25-të deri në vendin e 36-të, eliminohen.

Edhe pesë skuadrat me nga shtatë pikë janë aktualisht në zonën që avancojnë në fazën nokaut. Ndërkohë ato me nga gjashtë pikë janë jashtë zonës. Rrjedhimisht shumë opsione janë të hapura për xhiron e fundit.

Por është e sigurt që Rayo Vallecano kërkon fitore për të avancuar direkt në një të tetën e finales.
Në La Liga, Rayo Vallecano është në vendin e 13-të me 18 pikë. I ka katër fitore, gjashtë barazime e gjashtë humbje. Së fundi luajti të hënën në shtëpi me Betisin, ndërsa ndeshja përfundoi pa gola. Javën e kaluar fitoi në udhëtim ndaj Jagiellonias në Ligën e Konferencës, ndërsa në La Liga kishte pësuar 1:0 nga Espanyoli. Më 1 dhjetor luajti 1:1 në shtëpi me Valencian. Rayo e ndali në barazim pa gola Real Madridin më 9 nëntor, por ka pasur telashe me efikasitet së fundi.

“Si trajner më duhet të gjej zgjidhje. Problem është shënimi i golave. Por duhet të përmendim edhe gjërat pozitive, për shembull që kemi mbajtur portën të paprekur”, ka thënë pas ndeshjes së fundit trajneri i Vallecanos, Inigo Perez.

Te kjo skuadër luan mbrojtësi me përvojë i Shqipërisë, Ivan Balliu. Ai megjithatë nuk ka rol të madh në skuadër. Këtë edicion i ka shtatë paraqitje në La Liga. 

Drita për herë të parë ka arritur në fazën e ligës, që zëvendëson fazën e grupeve në kupat evropiane. Nisi me barazimin 1:1 me KuPS-in në Finlandë në xhiron e parë. Më pas barazoi 1:1 në shtëpi me Omonian e Qipros. Në xhiron e tretë fitoi 1:0 ndaj Shelbourne në Irlandë e më pas fitoi 1:0 ndaj Shkëndijës së Tetovës në Prishtinë. Javën e kaluar u mposht thellë, 3:0 nga AZ Alkmaari holandez në Prishtinë. Por me tetë pikë është në pozitë solide për avancim në fazën nokaut.

Rayo Vallecano tashmë e ka pritur skuadrën tjetër shqiptare, Shkëndijën e Tetovës. Në kuadër të xhiros së parë e mposhti 1:0. Shkëndija i ka shtatë pikë në vendin e 21-të. Në xhiron e fundit, të enjten nga ora 21:00 luan në udhëtim me AEK Larnacan e Qipros.