Bratislavë, 26 mars – Kosova bëri një rikthim historik për fitore historike në Bratislavë.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e fitoi të enjten mbrëma ndeshjen kundër Sllovakisë me rezultat 4:3 për të arritur në finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Fitorja ndaj Sllovakisë është arritja më e madhe deri më tani për Kosovën.
Finalen për një biletë për Botërorin që mbahet këtë vit në SHBA, Meksikë dhe Kanada, Kosova e luan të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Përballë do ta ketë Turqinë, e cila po të enjten mposhti Rumaninë në Stamboll me rezultat 1:0.
Kosova e nisi keq ndeshjen. Pësoi gol që në minutën e gjashtë. Pas një ndërprerjeje, Aro Muriq u mposht. Realizoi Martin Valjent. Ai shënoi me kokë, në mesin e disa mbrojtësve të Kosovës. Por Kosova nuk u ndal. Kërkoi golin e barazimit, të cilin e arriti në minutën e 21-të.
Veldin Hoxha realizoi me të majtën nga afro 18 metra pas pasimit nga Mërgim Vojvoda.
Sllovakët më pas shënuan tjetër gol për epërsinë e dytë. Lukas Haraslin realizoi në fund të pjesës së parë për 2:1.
Ai realizoi nga gjuajtja e lirë. Edhe pse topi dukej si harkim, ai kaloi krejt mbrojtjen para golit dhe përfundoi në rrjetën e Aro Muriqit.
Me rezultat 2:1 u mbyll pjesa e parë.
“Dardanët” e nisën furishëm pjesën e dytë. Fisnik Asllani realizoi gol me kokë në minutën e 47-të për rezultatin 2:2.
Me supergolin e Florent Muslijës nga gjuajtja e lirë në minutën e 60-të, Kosova kaloi në epërsi 3:2.
Kreshnik Hajrizi realizoi në minutën e 72-të, në epërsinë 4:2 të Kosovës.
David Strelec shënoi golin e tretë për sllovakët në minutën e 94-t. Por festa ishte e Kosovës.
Kosova kishte kampanjë të suksesshme kualifikuese për Kupën e Botës.
Në kualifikimet e rregullta e mbylli në vendin e dytë në një grup të vështirë me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.
Falë arritjes në grup, Kosova siguroi paraqitjen në plejof. Tani është një fitore larg ëndrrës së madhe – kualifikimit në Botërorin e këtij viti.
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka vlerësuar karakterin e treguar të lojtarëve. Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë e lumtur dhe krenare për këtë arritje të jashtëzakonshme.
“Përgëzoj ekipin dhe falënderoj lojtarët të cilët kishin besim në cilësitë e tyre dhe nuk u dorëzuan gjatë 90 minutave. Kjo ka sjellë edhe fitoren. Përgëzoj lojtarët dhe jemi krenar. Ishte ndeshje speciale dhe tash është ndeshja finale. Qysh nesër do të nisim përgatitjet për ndeshjen kundër Turqisë”, ka thënë Foda. “Kam kërkuar nga lojtarët të ruajnë qetësinë pas pjesës së parë. Kemi bërë dy lëvizje taktike në pjesën e dytë. Në pjesën e parë nuk ishim keq, por në përgjithësi pas diskutimeve që patëm reaguam mirë. Kemi dëshmuar që kemi besim në vetvete dhe mund të luftojmë deri në fund”.
Foda ka theksuar se ndaj Turqisë nuk lejohen gabime.
“Ka qenë një ndeshje e shkëlqyer për shikuesit. Kemi luajtur futboll atraktiv. Jam krenar që shënuam katër gola sonte. Kemi pasur edhe posedimin e topit, por në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh që kemi pranuar tre gola. Duhet të shohim në ndeshjet e radhës si të reagojmë, pasi nuk do të jetë e lehtë të fitojmë, nëse pësojmë gola të lehtë”, është shprehur Foda.
Foda e di se në Kosovë entuziazmi do të rritet edhe më shumë pas rezultatit në Bratislavë. Por ai ka theksuar se Turqia është kundërshtare e fortë.
“Mesazhi është i qartë. Të martën luajmë finale, dhe do të ketë 13 mijë shikues. Nëse do të kishte më shumë kapacitet, ndoshta do të ishin 100 mijë. Jemi afër historisë, jemi një ndeshje larg, por duhet të kemi parasysh që Turqia është skuadër e fortë, ka lojtarë individualë të fortë. Kemi tifozë emocionalë, por duhet të kemi kujdes dhe të mos lejojmë të bëjmë gabime. Suksesi arrihet vetëm duke ruajtur qetësinë”, ka theksuar gjermani 59-vjeçar.
Lojtarët nuk e përshkruajnë me fjalë arritjen historike
Foda ka thënë se ndaj Turqisë do të ketë ndryshime. Kosovës kundër turqve do t’i mungojë Lumbardh Dellova.
“Ishte një dramë, një luftë e vërtetë dhe jemi të lumtur që fituam ndeshjen, tashmë jemi në finale që luhet në Prishtinë. E filluam lojën me stres dhe pësuam gola të lehtë. Por u kthyem dhe jemi të lumtur”, ka thënë Dellova.
Mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, është shfaqur i emocionuar pas fitores historike ndaj Sllovakisë në Bratislavë me rezultat 4:3. “Është vështirë të gjej fjalët e duhura për këtë arritje. Secili i ka meritat e veta. Besoj se e kemi merituar të jemi këtu”, ka thënë Hadërgjonaj. “E kemi edhe finalen të martën. Është speciale, pasi 6 vjet po bëhen që jam atje në Turqi. Për ne e rëndësishme është t’u dhurojmë emocione tifozëve tanë”.
Njëri prej golashënuesve në fitoren e Kosovës, Kreshnik Hajrizi, foli po ashtu me shumë emocion pas ndeshjes.
Hajrizi e shënoi golin për 4:2 në të mirë të Kosovës.
“E kemi ditur që kundërshtari luan mirë në kundërsulme dhe i kemi stërvitur edhe goditjet standarde, por pranuam dy gola. Po luajmë me besim dhe është fantastike. Çdoherë që jam te Kosova mendoj ta jap maksimumin. Trajneri më dha besim si me Suedinë. Mundohem ta jap 100 për qind nga vetja. Edhe nëse ndëshkohem, di ta menaxhoj situatën. Është kënaqësi e madhe dhe e jap maksimumin për shtetin tim”, ka deklaruar Hajrizi.
Përzgjedhësi i Sllovakisë, Francesco Calzona, është shprehur i zhgënjyer për humbjen nga Kosova.
“Jam shumë i zhgënjyer. Është dashur ta menaxhonim më mirë ndeshjen. Bëmë pak gabime, por nuk kam ankesa për ekipin. Lojtarët bënë më të mirën për të marrë rezultat pozitiv”, ka thënë ai pas ndeshjes.
Kapiteni i Sllovakisë, Stanislav Lobotka, ka thënë se Kosova fitoi nga gabimet e tyre. Ai ndien keqardhje për eliminimin nga Kosova.
“Ne e dinim mënyrën se si do të luante Kosova dhe në thelb ne ua falëm golat. Krijuam raste, por gabimet e panevojshme na kushtuan me humbje të ndeshjes. Më vjen shumë keq për këtë”, ka thënë Lobotka.
Bota shkruan për Kosovën
Mediumet më prestigjioze botërore kanë shkruar të enjten për fitoren historike të Kosovës ndaj Sllovakisë dhe afrimin te Botërori i futbollit.
“Dardanët” fituan 4:3 në Bratislavë dhe tani presin të martën Turqinë në ndeshjen finale të plejofit. Në rast fitoreje, Kosova për herë të parë do të paraqitet në një garë të nivelit më të lartë.
“Kosova shokon Sllovakinë për të siguruar finalen e plejofit në shtëpi ndaj Turqisë”, mban titullin artikulli i agjencisë “Reuters”.
E BBC ka shkruar në përmbledhjen për rezultatet se “Kosova ëndërron për Botërorin e parë”.
Lojtarët e Kosovës festuan gjatë në fushë dhe në dhomën e zhveshjes së Stadiumit Nacional të Bratislavës. Shpresojnë në festë të madhe edhe të martën mbrëma në Prishtinë.
Turqia eliminon Rumaninë
Turqia e ka siguruar paraqitjen në finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026. Turqia të enjten mbrëma mposhti Rumaninë me rezultat minimal, 1:0.
Ndeshja gjysmëfinale e plejofit kualifikues për Botërorin e këtij viti ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë u zhvillua në stadiumin e Beshiktashit në Stamboll.
Golin e fitores 1:0 për Turqinë e shënoi Ferdi Kadioglu në minutën e 53-të.
Ndeshja finale e plejofit luhet më 31 mars. Turqia përballë do ta ketë Kosovën. Ndeshja luhet në Prishtinë.
Florent Muslija me supergol, Kosova në epërsi
Florent Muslija ka realizuar një supergol nga gjuajtja e lirë në minutën e 60-të, ndërsa Kosova po udhëheq 3:2 në Bratisllavë ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e plejofit për Botërorin 2026.
Fillim i furishëm në pjesën e dytë, Asllani barazon rezultatin
Kosova ka nisur furishëm pjesën e dytë. Fisnik Asllani ka barazuar rezultatin në Bratsillavë në ndeshjen Kosovë – Sllovaki. Ai realizoi me kokë në minutën e 47-të. Rezultati i ndeshjes gjysmëfinale të plejofit për Botërorin 2026 është 2:2. Mërgim Vojvoda asistoi.
2-2 Kosovo.
GOOOOOOAAAAAALLLLL FISNIK ASLLANI !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!! THIS GAME IS SO CRAZY !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!! BOTH COUNTRIES ARE GIVING EVERYTHING !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
pic.twitter.com/uE3bML60e0
Kosova në disavantazh në pjesën e parë
Sllovakia ka kaluar sërish në epërsi. Lukas Haraslin realizoi në fund të pjesës së parë për 2:1.
Ai realizoi nga gjuajtja e lirë. Edhe pse topi dukej si harkim, ai kaloi krejt mbrojtjen para golit dhe përfundoi në rrjetën e Aro Muriqit.
Me rezultat 2:1 u mbyll pjesa e parë.
Paraprakisht, sllovakët kaluan në epërsi me Martin Valjentin qysh në minutën e gjashtë.
Por Kosova u këndell dhe mori ritmin. Veldin Hoxha në minutën e 21-të realizoi supergol për të barazuar gjithçka.
“Dardanët” dominuan në posedim të topit, ndërsa vendasit patën më shumë raste.
Te Kosova me kartonë të verdhë në pjesën e parë u ndëshkuan Kreshnik Hajrizi e Lumbardh Dellova.
Hoxha barazon shifrat me supergol
Kosova barazon rezultatin në minutën e 21-të. Veldin Hoxha realizoi me të majtën nga afro 18 metra pas pasimit nga Mërgim Vojvoda. Rezultati është 1:1.
Rast ideal për Vojvodën, pret portieri Dubravka
Mërgim Vojvoda në minutën e 14-të pati rast për të barazuar rezultatin.
Gjuajtja e tij nga brenda zonës, e divijuar nga Adam Obert, u prit nga portieri Martin Dubravka.
Kosova po pëson 1:0 nga Sllovakia.
Shokohet Kosova, pëson gol
Kosova ka pësuar gol që në minutën e gjashtë të ndeshjes ndaj Sllovakisë.
Pas një ndërprerje, Aro Muriq u mposht.
Realizoi Valjent. Ai shënoi me kokë, në mesin e disa mbrojtësve të Kosovës.
Numër i madh i qytetarëve po e përcjellin në shesh në Prishtinë ndeshjen Sllovaki – Kosovë
Një numër i madh i qytetarëve janë mbledhur në shesh në Prishtinë për ta përcjellur ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për Botërorin 2026 në futboll mes Sllovakisë dhe Kosovës.
Nuk po mungojnë fishekzjarret, flamujt e Kosovës dhe brohoritjet.
Kosova në rast të fitores ndaj Sllovakisë më 31 mars në Prishtinë në finale e pret Turqinë.
Nis ndeshja vendimtare e Kosovës në Bratisllavë
Ka filluar ndeshja gjysmëfinale e plejofit për Botërorin 2026 mes Kosovës dhe Sllovakisë.
Ndeshja po luhet në Bratisllavë. Në rast të fitores, Kosova në finale të plejofit për biletën në Botërorin 2026 do ta presë në “Fadil Vokrri”, Turqinë më 31 mars.
Sllovakia me formacion sulmues ndaj Kosovës
Sllovakia do të paraqitet me formacion sulmues ndaj Kosovës.
Rreshtimi i Sllovakisë do të jetë 4-3-3.
Përzgjedhësi Francesco Calzona ka vendosur në portë Dubravkan.
Në mbrojtje janë Valjent, Vavro, Obert dhe Hancko.
Në mes të fushës janë Bero, Lobotka dhe Duda.
Në qendër të sulmit është Strelec, i përkrahur nga Haraslin dhe Sauer.
Publikohet formacioni i Kosovës ndaj Sllovakisë
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka bërë publik formacionin për ndeshjen kundër Sllovakisë.
Foda ka vendosur të paraqitet me formacion 5-3-2.
Në sulm paraqitet me Vedat Muriqin dhe Fisnik Asllanin.
Pesëshja e mbrojtjes përbëhët nga Mërgim Vojvoda, Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi, Albian Hajadari dhe Dion Gallapeni, ndërsa në mesfushë luajnë Florent Muslija, Elvis Rexhbeçaj dhe Veldin Hoxha.
Në portë është i zakonshmi Arijanet Muriq.

Cilat janë statistikat e Fodës kundër Sllovakisë?
Kosova nuk është përballur asnjëherë me Sllovakinë në ndeshje zyrtare apo miqësore.
Për herë të parë, Kosova dhe Sllovakia përballen sonte nga ora 20:45 në gjysmëfinalen e plejofit për Botërorin 2026.
Por, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, e ka një ballafaqim ndaj sllovakëve.
Më 6 qershor të vitit 2021, Foda ishte në krye të Përfaqësueses së Austrisë dhe luajti në miqësore ndaj Sllovakisë.
Ajo ndeshje u zhvillua në “Ernst-Happel” në Vjenë dhe u mbyll pa gola.
Kosova do të paraqitet me fanellat e bardha ndaj Sllovakisë
Futbollistët e Kosovës do t’i bartin fanellat e bardha në ndeshjen kundër Sllovakisë.
“Dhoma e zhveshjes e kombëtares së Kosovës është gati – fanellat e vendosura dhe gjithçka në përgatitje për ndeshen kundër Sllovakisë”, shkruan Federata e Futbollit e Kosovës.
Ndeshja Sllovaki – Kosovë nis në orën 20:45. Ndeshja në Bratislavë, është më e rëndësishmja për Kosovën deri më tani. Fituesi i ndeshjes vazhdon ëndrrën për në Botërorin e këtij viti.
“Blick” shkruan për lojtarët e Kosovës
Mediumi i fuqishëm zviceran “Blick” ka shkruar për lojtarët e Kosovës dhe e ka postuar një fotografi të treshes së Hoffenheimit, Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.
Të tre janë të paraqitur në fotografi me festë, duke e formuar shqiponjën dykrenore me duar.
Mediumi zviceran është përqendruar më shumë te lojtarët që më parë kanë luajtur në Superligën e Zvicrës.
“Kosova synon kualifikimin në Kupën e Botës për herë të parë në historinë e saj të shkurtër. Ish-lojtarët e Superligës, Leon Avdullahu 22-vjeçar dhe Albian Hajdari 22-vjeçar, janë lojtarë kyç në bërthamën e ekipit dhe shumë lehtë kanë mundur të luajnë edhe për Zvicrën. Me Fisnik Asllanin 23-vjeçar, i cili njësoj si Avdullahu dhe Hajdari, luan për Hoffenheimin, dhe ish-futbollistin e Baselit, Edon Zhegrovën 26-vjeçar, shteti ballkanik ka sulm të fortë. Pengesa e parë për ta është Sllovakia. Nëse avancojnë, do të përballen me Turqinë apo Rumaninë”, ka shkruar “Blick”.
Flamuri i Kosovës vendoset në fushën ku synohet rezultati historik
Flamur i Kosovës është vendosur në fushën e Stadiumit Nacional në Bratislavë ku sonte Sllovakia dhe Kosova do ta zhvillojnë ndeshjen gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.
“Shi, erë dhe mot i ftohtë në Bratislavë, dhe në termat futbollistikë, kjo është qetësia para stuhisë”, shkruan UEFA.
Për Kosovën është ndeshja më e rëndësishme deri më tani. “Dardanët” luajnë për herë të parë në plejofin kualifikues për Botëror.
Ndeshja nis në orën 20:45.
Kualifikimi në Botëror do t’i shpërblehej Kosovës me plot 9 milionë euro
Plejofi për kualifikim në Botëror ka rëndësi shumë të madhe edhe në aspektin financiar.
Nëse Kosova kualifikohet në Botëror, FFK-ja do të shpërblehet nga FIFA me plot 9 milionë euro (10,5 milionë dollarë).
FIFA ndanë për federata nga 1,3 milionë euro për të mbuluar shpenzimet e logjistikës në Botërorin në SHBA.
Ndërkohë kualifikimi në Botëror shpërblehet me 9 milionë dollarë të tjerë (7,8 milionë euro)
Pra të garantuara për çdo federatë që e ka përfaqësuesen të kualifikuar janë 9 milionë euro.
Ndërkohë suksesi në Botëror sjell të hyra të tjera milionëshe.
Kosova është në gjysmëfinale të plejofit. Luan sonte me Sllovakinë në Bratislavë.
Nëse e mposht Sllovakinë, në finale të plejofit luan me Turqinë apo Rumaninë, të martën në “Fadil Vokrri”.
Policia me masa të rrepta sigurie në Bratislavë
Policia e Sllovakisë do të kujdeset për mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Sllovakisë dhe Kosovës, në kuadër të gjysmëfinales së plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Policia e Sllovakisë ka thënë se ka marrë të gjitha masat e sigurisë së përgjithshme për këtë ndeshje. Ndeshja luhet sonte në Stadiumin Nacional Në Bratislavë dhe nis në orën 20:45.
“Qëllimi i masës së sigurisë do të jetë mbrojtja e jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve, sigurimi i rendit publik, si dhe siguria dhe rrjedha e qetë e trafikut rrugor në Bratislavë. Ne u bëjmë thirrje tifozëve që planifikojnë të marrin pjesë në këtë ngjarje sportive të ndjekin udhëzimet e organizatorit dhe policisë dhe të mos kryejnë veprime të paligjshme para, gjatë ose pas përfundimit të ngjarjes sportive në stadium ose në afërsi të tij", njofton policia sllovake në rrjetet sociale.
Ndeshja në Bratislavë është klasifikuar zyrtarisht si një ngjarje me rrezikshmëri të lartë.
“Policia e trafikut, policia e trazirave dhe policia kriminale do të monitorojnë situatën gjatë masave të sigurisë dhe do të jenë të gatshme të përgjigjen në mënyrë operative sipas zhvillimit të saj”, shkruan tutje në deklaratë.
Kosova do të ketë mbështetje të madhe nga tribunat. Kosovës i takojnë pesë për qind të biletave. Por nuk përjashtohet mundësia të ketë shumë më shumë tifozë në përkrahje të “Dardanëve”. Deri më tani nuk është shënuar asnjë incident.
Stadiumi në Bratislavë ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulësesh.
UEFA citon KOHËN: “Në Bratislavë për suksesin historik”
Artikulli i KOHA.net për ndeshjen historike të Kosovës në futboll ndaj Sllovakisë, është cituar nga uebfaqja zyrtare e UEFA-s.
“Në Bratislavë për suksesin historik” është titulli i KOHËS në prag të ndeshjes gjysmëfinale të plejofit për kualifikimin në Botërorin 2026.

“‘Në Bratislavë për suksesin historik’ shkruan e përditshmja kosovare KOHA duke i bërë thirrje ekipit kombëtar. Kosova nuk ka luajtur kurrë në një Kupë Bote dhe ndjenja e pritjes nënkupton se ata do të kenë mbështetje të madhe sonte”, shkruan në artikullin e UEFA-s.
KOHA po raporton direkt nga Bratislava. Për çdo zhvillim para, gjatë dhe pas ndeshjes mund të klikoni KËTU.
Kryetari Ademi takon tifozët: Uroj për një fitore historike
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka takuar të enjten gjatë ditës tifozët e Kosovës në Bratislavë. Ai ka falënderuar tifozët dhe gjithë shqiptarët për përkrahjen e madhe. Ademi ka uruar për fitore historike ndaj Sllovakisë.
“Jam pafundësisht krenar kur shoh se si bashkëatdhetarët tanë kanë udhëtuar nga çdo kënd i globit, nga SHBA-të dhe Kanadaja, nga Skocia, Gjermania, Austria e Belgjika, e deri te shtetet skandinave për të qenë krahu i djathtë i djemve tanë. Ky nuk është thjesht një udhëtim. Është dëshmia më e pastër e atdhedashurisë dhe rrugëtimit tonë të përbashkët drejt ëndrrës së madhe. Sonte, përballë nesh është sfida më rëndësishme në historinë tonë të futbollit kundër Sllovakisë. Por, me këtë përkrahje madhështore pas shpine, djemtë tanë në fushë nuk do të jenë vetëm. Falënderoj nga zemra tifo-grupin ‘Dardanët’, qytetarët e shumtë të Kosovës, bashkëatdhetarë nga të gjitha vendet e botës që po i qëndrojnë djemve tanë përherë afër në çdo arenë dhe për energjinë që i japin Kombëtares së Kosovës. Uroj me gjithë shpirt që djemtë tanë sonte t’i përcjellë fati dhe t’ua shpërblejnë këtë mund e këtë besim me një fitore historike”, shkruan Ademi në rrjetet sociale.
Çfarë kishte thënë portieri sllovak i Finlandës për lojtarët e Kosovës?
Mediumi sllovak “Sport” ka publikuar një shkrim të gjatë për rrugëtimin e Kosovës. Ndër të tjera ka publikuar edhe një deklaratë të portierit të Finlandës me origjinë nga Sllovakia, Lukas Hradecky.
Pas pranimit në UEFA e FIFA në vitin 2016, Kosova debutoi në kualifikimet për Kupën e Botës “Rusia 2018”. Në ndeshjen kundër Finlandës më 5 shtator 2016, “Dardanët” barazuan 1:1. Golin e barazimit 1:1 e kishte shënuar Valon Berisha nga penalltia në minutën e 60-të.
“Ata u angazhuan shumë, na shkaktuan shumë probleme. Ishin vërtet të mirë dhe e merituan pikën. Ndihej sikur po përjetonin diçka të veçantë. Kishte shumë tifozë pas vetes. Ata brohorisnin dhe krijuan një atmosferë të mrekullueshme. E di që shumë njerëz nga Kosova jetojnë në Turku, të tjerët erdhën nga Suedia".
Portieri 36-vjeçar me rrënjë nga Sllovakia, luan për Monacon në Ligue 1 të Francës. Ai për Finlandën ka luajtur 102 ndeshje. Është kapiten i përfaqësueses së Finlandës.
“Ka njerëz të infiltruar në Bratislavë”, udhëheqësi i Dardanëve thërret për kujdes
Udhëheqësi i tifozëve "Dardanët", Lulzim Berisha, u ka bërë thirrje tifozëve të Kosovës që të kenë kujdes në Bratislavë, disa orë para ndeshjes me Sllovakinë.
Megjithëse ka thënë se deri tash gjithçka ka shkuar mirë, ai u ka bërë thirrje tifozëve të Kosovës që gjenden në Bratislavë sot të mblidhen bashkë në rast se “mos na ndodhë diçka”.
“Besoj se gjithçka do të shkojë mirë, besoj në sigurinë e tifozëve tanë dhe ftoj të gjithë të vinë që të jemi bashkë që të mos na ndodhë diçka sepse siç e dimë Sllovakia nuk e njeh Kosovën dhe besojmë se ka shumë njerëz të infiltruar këtu që ndoshta tentojnë ta destabilizojnë atmosferën”, ka thënë ai në emisionin “tre8tre”.
Kosova e luan sonte ndeshjen më të rëndësishme deri më tani.
Në Stadiumin Nacional në Bratislavë, Kosova luan me Sllovakinë nga ora 20:45, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.
Kosovës i mungojnë kapiteni Amir Rrahmani dhe lideri i mesfushës, Leon Avdullahu.