Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Natë historike për Kosovën, Botërori një fitore larg

LIVE: GOOOOOOOOOOOOOOL, KOSOVAAAAAAAAAAAAAAAA

Bratislavë, 26 mars – Kosova bëri një rikthim historik për fitore historike në Bratislavë. 

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e fitoi të enjten mbrëma ndeshjen kundër Sllovakisë me rezultat 4:3 për të arritur në finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Fitorja ndaj Sllovakisë është arritja më e madhe deri më tani për Kosovën.

Finalen për një biletë për Botërorin që mbahet këtë vit në SHBA, Meksikë dhe Kanada, Kosova e luan të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Përballë do ta ketë Turqinë, e cila po të enjten mposhti Rumaninë në Stamboll me rezultat 1:0.
Kosova e nisi keq ndeshjen. Pësoi gol që në minutën e gjashtë. Pas një ndërprerjeje, Aro Muriq u mposht. Realizoi Martin Valjent. Ai shënoi me kokë, në mesin e disa mbrojtësve të Kosovës. Por Kosova nuk u ndal. Kërkoi golin e barazimit, të cilin e arriti në minutën e 21-të.

Veldin Hoxha realizoi me të majtën nga afro 18 metra pas pasimit nga Mërgim Vojvoda. 

Sllovakët më pas shënuan tjetër gol për epërsinë e dytë. Lukas Haraslin realizoi në fund të pjesës së parë për 2:1.

Ai realizoi nga gjuajtja e lirë. Edhe pse topi dukej si harkim, ai kaloi krejt mbrojtjen para golit dhe përfundoi në rrjetën e Aro Muriqit.

Me rezultat 2:1 u mbyll pjesa e parë.

“Dardanët” e nisën furishëm pjesën e dytë. Fisnik Asllani realizoi gol me kokë në minutën e 47-të për rezultatin 2:2.

Me supergolin e Florent Muslijës nga gjuajtja e lirë në minutën e 60-të, Kosova kaloi në epërsi 3:2.

Kreshnik Hajrizi realizoi në minutën e 72-të, në epërsinë 4:2 të Kosovës.

David Strelec shënoi golin e tretë për sllovakët në minutën e 94-t. Por festa ishte e Kosovës. 

Kosova kishte kampanjë të suksesshme kualifikuese për Kupën e Botës.

Në kualifikimet e rregullta e mbylli në vendin e dytë në një grup të vështirë me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.

Falë arritjes në grup, Kosova siguroi paraqitjen në plejof. Tani është një fitore larg ëndrrës së madhe – kualifikimit në Botërorin e këtij viti.

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka vlerësuar karakterin e treguar të  lojtarëve. Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë e lumtur dhe krenare për këtë arritje të jashtëzakonshme. 

“Përgëzoj ekipin dhe falënderoj lojtarët të cilët kishin besim në cilësitë e tyre dhe nuk u dorëzuan gjatë 90 minutave. Kjo ka sjellë edhe fitoren. Përgëzoj lojtarët dhe jemi krenar. Ishte ndeshje speciale dhe tash është ndeshja finale. Qysh nesër do të nisim përgatitjet për ndeshjen kundër Turqisë”, ka thënë Foda. “Kam kërkuar nga lojtarët të ruajnë qetësinë pas pjesës së parë. Kemi bërë dy lëvizje taktike në pjesën e dytë. Në pjesën e parë nuk ishim keq, por në përgjithësi pas diskutimeve që patëm reaguam mirë. Kemi dëshmuar që kemi besim në vetvete dhe mund të luftojmë deri në fund”.

Foda ka theksuar se ndaj Turqisë nuk lejohen gabime.

“Ka qenë një ndeshje e shkëlqyer për shikuesit. Kemi luajtur futboll atraktiv. Jam krenar që shënuam katër gola sonte. Kemi pasur edhe posedimin e topit, por në të njëjtën kohë duhet të kemi parasysh që kemi pranuar tre gola. Duhet të shohim në ndeshjet e radhës si të reagojmë, pasi nuk do të jetë e lehtë të fitojmë, nëse pësojmë gola të lehtë”, është shprehur Foda.

Foda e di se në Kosovë entuziazmi do të rritet edhe më shumë pas rezultatit në Bratislavë. Por ai ka theksuar se Turqia është kundërshtare e fortë.

“Mesazhi është i qartë. Të martën luajmë finale, dhe do të ketë 13 mijë shikues. Nëse do të kishte më shumë kapacitet, ndoshta do të ishin 100 mijë. Jemi afër historisë, jemi një ndeshje larg, por duhet të kemi parasysh që Turqia është skuadër e fortë, ka lojtarë individualë të fortë. Kemi tifozë emocionalë, por duhet të kemi kujdes dhe të mos lejojmë të bëjmë gabime. Suksesi arrihet vetëm duke ruajtur qetësinë”, ka theksuar gjermani 59-vjeçar.

Lojtarët nuk e përshkruajnë me fjalë arritjen historike

Foda ka thënë se ndaj Turqisë do të ketë ndryshime. Kosovës kundër turqve do t’i mungojë Lumbardh Dellova. 

“Ishte një dramë, një luftë e vërtetë dhe jemi të lumtur që fituam ndeshjen, tashmë jemi në finale që luhet në Prishtinë. E filluam lojën me stres dhe pësuam gola të lehtë. Por u kthyem dhe jemi të lumtur”, ka thënë Dellova. 

Mbrojtësi i Kosovës, Florent Hadërgjonaj, është shfaqur i emocionuar pas fitores historike ndaj Sllovakisë në Bratislavë me rezultat 4:3. “Është vështirë të gjej fjalët e duhura për këtë arritje. Secili i ka meritat e veta. Besoj se e kemi merituar të jemi këtu”, ka thënë Hadërgjonaj. “E kemi edhe finalen të martën. Është speciale, pasi 6 vjet po bëhen që jam atje në Turqi. Për ne e rëndësishme është t’u dhurojmë emocione tifozëve tanë”.

Njëri prej golashënuesve në fitoren e Kosovës, Kreshnik Hajrizi, foli po ashtu me shumë emocion pas ndeshjes.

Hajrizi e shënoi golin për 4:2 në të mirë të Kosovës. 

“E kemi ditur që kundërshtari luan mirë në kundërsulme dhe i kemi stërvitur edhe goditjet standarde, por pranuam dy gola. Po luajmë me besim dhe është fantastike. Çdoherë që jam te Kosova mendoj ta jap maksimumin. Trajneri më dha besim si me Suedinë. Mundohem ta jap 100 për qind nga vetja. Edhe nëse ndëshkohem, di ta menaxhoj situatën. Është kënaqësi e madhe dhe e jap maksimumin për shtetin tim”, ka deklaruar Hajrizi.

Përzgjedhësi i Sllovakisë, Francesco Calzona, është shprehur i zhgënjyer për humbjen nga Kosova.

“Jam shumë i zhgënjyer. Është dashur ta menaxhonim më mirë ndeshjen. Bëmë pak gabime, por nuk kam ankesa për ekipin. Lojtarët bënë më të mirën për të marrë rezultat pozitiv”, ka thënë ai pas ndeshjes.

Kapiteni i Sllovakisë, Stanislav Lobotka, ka thënë se Kosova fitoi nga gabimet e tyre. Ai ndien keqardhje për eliminimin nga Kosova. 

“Ne e dinim mënyrën se si do të luante Kosova dhe në thelb ne ua falëm golat. Krijuam raste, por gabimet e panevojshme na kushtuan me humbje të ndeshjes. Më vjen shumë keq për këtë”, ka thënë Lobotka.

Bota shkruan për Kosovën

Mediumet më prestigjioze botërore kanë shkruar të enjten për fitoren historike të Kosovës ndaj Sllovakisë dhe afrimin te Botërori i futbollit.

“Dardanët” fituan 4:3 në Bratislavë dhe tani presin të martën Turqinë në ndeshjen finale të plejofit. Në rast fitoreje, Kosova për herë të parë do të paraqitet në një garë të nivelit më të lartë.

“Kosova shokon Sllovakinë për të siguruar finalen e plejofit në shtëpi ndaj Turqisë”, mban titullin artikulli i agjencisë “Reuters”.

E BBC ka shkruar në përmbledhjen për rezultatet se “Kosova ëndërron për Botërorin e parë”.
Lojtarët e Kosovës festuan gjatë në fushë dhe në dhomën e zhveshjes së Stadiumit Nacional të Bratislavës. Shpresojnë në festë të madhe edhe të martën mbrëma në Prishtinë.

Turqia eliminon Rumaninë

Turqia e ka siguruar paraqitjen në finale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026. Turqia të enjten mbrëma mposhti Rumaninë me rezultat minimal, 1:0.

Ndeshja gjysmëfinale e plejofit kualifikues për Botërorin e këtij viti ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë u zhvillua në stadiumin e Beshiktashit në Stamboll.

Golin e fitores 1:0 për Turqinë e shënoi Ferdi Kadioglu në minutën e 53-të.

Ndeshja finale e plejofit luhet më 31 mars. Turqia përballë do ta ketë Kosovën. Ndeshja luhet në Prishtinë.

Moti mund t’i “prishë” taktikat e ndeshjes Sllovaki - Kosovë

7 muaj më parë / 26 mar 2026 12:47
Moti-Sllovaki

Stadiumit nacional i Sllovakisë, "Tehelne pole”

Pas një dite plot diell, dje, kryeqyteti sllovak sot "u zgjua" me një mot krejt tjetër. Shiu ka filluar në mëngjes e nuk pritet të ndalet gjatë gjithë ditës. 

Sonte nga ora 20:45, Kosova zhvillon ndeshjen më të rëndësishme deri më tani - gjysmëfinalen e plejofit për kualifikim në Botëror, ndaj Sllovakisë. 

Sipas parashikimeve më të fundit të motit për Bratislavën, sonte pritet të bie shi i madh dhe i vazhdueshëm. Temperaturat do të jenë të ulëta, rreth 3-7°C me mundësi edhe për një përzierje shiu me borë të lehtë në orët e vona të natës. 

Përkundër se fusha e stadiumit nacional të Sllovakisë, "Tehelne pole” është solide, shiu mund të krijojë vështirësi gjatë ndeshjes. Terreni i lagësht do ta ndryshojë edhe stilin e lojës në aspektin taktik. Aleat i kujt mund të jetë shiu?

Qyteti i Bratisllavës sot (Foto: KOHA) Moti: Accuweather

VIDEO:

Sa para ia kishte premtuar Kurti Përfaqësueses së Kosovës për fitore ndaj Sllovakisë

7 muaj më parë / 26 mar 2026 11:31
Kurti shperblimi

500 mijë euro ia pati premtuar në nëntor kryeministri Albin Kurti Përfaqësueses së Kosovës në rast se do të fitonte ndaj Sllovakisë, ndeshje që sonte, 26 mars, luhet në Bratisllavë. 

Kurti pati premtuar gjatë mbledhjes së Qeverisë më 27 nëntor, 1 milion euro shpërblim në rast se Përfaqësuesja e Kosovës do të kualifikohet në Botërorin 2026. Qeveria pati ndarë 250 mijë euro për suksesin historik të Kosovës për kualifim në plejof të Botërorit. 

“Në fazën e radhës hyjmë me plot vetëbesim. Në rast të fitores ndaj Sllovakisë zotohemi për shpërblim 500 mijë euro. Në rast të kualifikimit në Botëror zotohemi për 1 milionë euro shpërblim”, pati thënë Kurti në nëntor.

Në rast fitoreje ndaj Sllovakisë, Kosova do ta luajë ndeshjen vendimtare për kualifikim në Botëror në Prishtinë me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.

 

Medium sllovak: A do të jetë gjysma e stadiumit me tifozë të Kosovës?

7 muaj më parë / 26 mar 2026 10:59
Stadiumi Nacional i Sllovakisë në Bratislavë i njohur si  “Tehelne pole”

Stadiumi Nacional i Sllovakisë në Bratislavë i njohur si “Tehelne pole” (Foto: KOHA)

Mediumi sllovak “Sport24” ka shkruar për atmosferën që tifozët e Kosovës kanë krijuar në qendër të Bratislavës që të mërkurën.

Dhe ka bërë pyetjen nëse gjysma e shikuesve në stadium do të jenë mbështetës të Kosovës.

Zyrtarisht, Kosovës i takojnë 5 përqind të biletave, përkatësisht rreth 1300 bileta gjithsej. Prej tyre 300 janë për kategorinë e parë e 1000 për tribunën e tifozëve. 

Biletat e tjera janë shitur vetëm duke dhënë një numër telefoni të Sllovakisë. Por bileta edhe në tribuna të tjera janë blerë nga shqiptarë, një pjesë e tyre që jetojnë në Sllovaki. 

Ndërkohë ka shqiptarë që kanë ardhur edhe nga shumë shtete evropiane.

Sipas federatës sllovake, hyrja në stadium do të mundësohet vetëm duke prezantuar një mjet identifikimi, që duhet të përshtatet me emrin në biletë.

Në tribunat e tjera, pos asaj për mysafirë, zyrtarët e FFK-së kanë thënë se nuk do të lejohen simbole të Kosovës.

Kosova pritet t’i përmbahet sistemit të njëjtë, përkrahet nga mijëra shikues

7 muaj më parë / 26 mar 2026 10:34 Nga: Arsim Maxhera
Dardanët

Kosova e luan sonte ndeshjen më të rëndësishme deri më tani.

Në Stadiumin Nacional në Bratislavë, Kosova luan me Sllovakinë nga ora 20:45, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botërorin 2026.

Kosovës i mungojnë kapiteni Amir Rrahmani dhe lideri i mesfushës, Leon Avdullahu.

Por sistemi i lojës nuk pritet të ndryshojë. Me sistemin 5-3-2, që në sulm shndërrohet në 3-5-2, Kosova ka pasur kampanjë impresive në kualifikimet e rregullta. Me këtë sistem i shënoi tri fitore dhe i arriti dy barazime. Dhe përzgjedhësi Franco Foda nuk pritet të heq dorë prej tij.

Me shumë mundësi përkrah Vedat Muriqit në sulm do të jetë Fisnik Asllani. Pas tyre Florent Muslija.

Në mesfushë do të jetë Elvis Rexhbeçaj, e pos tij pritet Veldin Hoxha apo Valon Berisha.

Mërgim Vojvoda pritet në krahun e djathtë, Dion Gallapeni në të majtin, ndërsa në qendër Albian Hajdari, Lumbardh Dellova dhe Kreshnik Hajrizi apo Fidan Aliti.

Në portë do të jetë Aro Muriq.

Mbështetja e tifozëve për Kosovën pritet të jetë e madhe.

Ka pasur shenja të atmosferës në Bratislavë që të mërkurën mbrëma. Mijëra shqiptarë janë në Bratislavë tashmë, ndërsa grumbullimi  zyrtar i tifozëve fillon në ora 14:00.

Në rast të fitores, Kosova të martën e pret Turqinë apo Rumaninë në “Fadil Vokrri”.

Përfundimisht Sllovakia pa kapitenin Skriniar ndaj Kosovës

7 muaj më parë / 26 mar 2026 10:25
Milan Skriniar

Perfaqësuesja e Sllovakisë në futboll, do të paraqitet pa kapitenin Milan Skriniar kundër Kosovës. 

Skriniar nuk është përfshirë në listën zyrtare për ndeshjen kundër Kosovës.

Ndeshja Sllovaki-Kosovë luhet sonte nga ora 20:45.

Kapiteni i Fenerbahçes, Skriniar, nuk është ende gati për ndeshje pas lëndimit të pësuar në shkurt.

Foda largon dy lojtarë nga lista

7 muaj më parë / 26 mar 2026 10:24
Foda

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka dorëzuar listën me emrat e lojtarëve për ndeshjen kundër Sovakisë në Bratislavë.

Ndeshja gjysmëfinale e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026 luhet sonte nga ora 20:45. Është ndeshja më e rëndësishme deri tash për “Dardanët”.

Për ndeshjen kundër sllovakëve, Foda nuk llogarit në mesfushorin Vesel Demaku dhe mbrojtesin Leard Sadriu.