Kur tifozët e Manchester Cityt, rrugës për Huddersfield, këndonin këngë për Yaya dhe Kolo Touren, nuk kanë pritur që të shohin vëllezër të tjerë të zbresin në Yorkshire pas një kohe të gjatë.
Megjithatë, pasi City ishte duke fituar 2:0 ndaj skuadrës së kategorisë së tretë në Carabao Cup, trajneri Pep Guardiola ua dha rastin dy sulmuesve që janë vëllezër, Reigan dhe Jaden Heskey, të cilët janë djemtë e ish-sulmuesit të Anglisë, Emile.
Pasi morën instruksionet në bankë, ku i pranishëm ishte edhe Kolo Toure, tani pjesë e stafit të trajnerëve te City, dhe 10 vjet pas paraqitjes së fundit të Emiles në Kupën EFL, tifozët panë fëmijët e tij që debutuan për klubin.
“Gjashtë lojtarë nga Akademia ishin titullarë”, ka thënë Guardiola. “ Hynë dy të tjerë, vëllezërit Heskey. Mendoj se babai dhe nëna e tyre do të jenë krenarë për fëmijët e tyre. Kjo është më të vërtetë gjë e bukur”.
“Vëllezër me atribute të ngjashme”
17-vjeçar, që është më i vogël, përshkruhet nga faqja e Cityt si “dinak, shumë i mirë në krah”, ndërsa Jaden, dy vjet më i madh, është më “i rritur, punëtor më i madh”, në rolin e mesfushorit.
Dyshja luanin rregullisht te të rinjtë e Cityt, ndërsa pjesë e skuadrës janë nga mosha tetëvjeçare.
Jaden, i cili është kapiten i ekipit U21, shënoi gol në fitoren 4:0 të Cityt ndaj Leedsit, në finalen e Kupës FA për të rinj, në vitin 2024.
Pavarësisht se luajnë në pozita të ndryshme, babai Emile ka thënë se dyshja ka kualitete të ngjashme.
“Ata janë të ngjashëm për mua”, kishte thënë Heskey për “Daily Mail” në muajin gusht. “Ata janë shumë të shkathët. Më i vogli është më i shpejtë, i madhi është si një lloj bishe, siç isha unë. Ata kanë atribute të ngjashme”.
Kundër Huddersfieldit, Jaden luajti 14 minuta, duke e zëvendësuar lojtarin tjetër të Akademisë, Nico O’Reillyn, ndërsa Reigani e zëvendësoi Savinhon pak minuta më pas.
Dyshja ka marrë vëmendjen e shumë klubeve në Angli, por City është parë si skuadra më e mirë për t’u zhvilluar.
“Kam qenë me fat në aspektin se City e ka njërën prej akademive më të mira për t’u zhvilluar”, ka thënë Emile në vitin 2024.
“Kështu që i kam lënë ta shijojnë rrugëtimin. Dhe më pas të hyjnë në ekipin e parë, sepse futbolli U21 nga ekipi i parë është pak më ndryshe. Më pas u duhet një drejtues”.
Kush është Emile Heskey?
Pasi iu bashkua Akademisë së Leicester Cityt në moshën 9-vjeçare, sulmuesi debutoi me ekipin e parë, atëherë në moshën 17-vjeçare. Ishte ndeshje e Premier Leagues kundër QPR-së, në vitin 1995.
Në sezonin tjetër, pas largimit nga elita, Heskey u bë i rregullt te skuadra ku u rrit. I shënoi shtatë gola në 35 paraqitje.
Sulmuesi i ndihmoi “dhelprat” të ktheheshin në Premier League, para se ta shijonin suksesin e viteve 1997 dhe 2000, nën drejtimin e trajnerit Martin O’Neil, kur skuadra e fitoi Kupën e Ligës.
I gjatë 1.87 centimetra dhe i fuqishëm, qendërsulmuesi Heskey ishte ai i cili e mbante topin dhe i fuste të tjerët në lojë. U bë më vonë partner i rëndësishëm me ish-sulmuesin e Anglisë, Michael Owen.
Heskey debutoi tek Anglia në vitin 1999, para se të shënonte rekord të klubit, kur u transferua për 11 milionë euro te Liverpooli në vitin 2000.
Heskey realizoi 22 gola në 56 paraqitje në sezonin e tij të parë të plotë në “Anfield”, kur “të kuqtë” i fituan Ligën e Evropës, Kupën FA dhe Kupën e Ligës.
Ai i kaloi pesë vjet te Liverpooli, para se t’i bashkohej Birmingham Cityt. Heskey i realizoi më pas 16 gola në 78 paraqitje.
Periudha në karrierë kaloi edhe te Wigani dhe Aston Villa, ndërsa për dy vjet luajti në Australi te Newcastle Jets.
Ai e mbylli karrierën me dy sezone te Bolton Wanderers në “Championship”.
Heskey realizoi shtatë gola në 62 ndeshje me Anglinë, dhe u paraqit në dy Kupa të Botës për “Tre Luanët”.
Prindërit dhe fëmijët që luajtën në Premier League
Jaden dhe Reigan shpresojnë që, pas debutimeve me klubin e tyre, të kenë paraqitje edhe në Premier League.
Nëse luajnë në elitën angleze, dyshja do t’i bashkohej listës së lojtarëve që kanë përcjellë hapat e prindërve në Premier League.
Sulmuesi i Cityt, Erling Haaland, është djali i ish-lojtarit të Premier Leagues, Alf-Inge, i cili luajti si mbrojtës në Angli te Leedsi dhe City.
Justin Kluivert, djali i ish-sulmuesit të Newcastlet dhe Holandës, Patrick, paraqitet te Bournemouthi. Ndërkohë, portieri i Danimarkës, Kasper Schmeichel, e shënoi të njëjtin sukses si Peteri, duke e fituar Premier Leaguen me Leicester Cityn, në vitin 2016.
Sulmuesi i Chelseat, Liam Delap, është i biri i ish-mbrojtësit të Stoke Cityt, Rory, ndërsa ish-sulmuesi i Arsenalit, Ian Wright, është babai i dyshes që luajti te Manchester City, Shaun Wright-Phillips dhe Bradley Wright-Phillips.