Manchester City ka shpenzuar më shumë se 500 milionë dollarë gjatë 12 muajve të fundit në një përpjekje për të rifituar statusin e ekipit si më i miri në Angli.
Sipas situatës aktuale, nuk do të jetë një zgjidhje e shpejtë.
Një humbje 2:0 në derbi ndaj Manchester United të shtunën u pasua nga një humbje befasuese 3:1 nga Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve të martën. Të dyja ndeshjet nxorën në pah mangësitë në skuadrën e Cityt pavarësisht shpenzimeve të jashtëzakonshme të klubit që kanë vazhduar në janar me ardhjen e Antoine Semenyo dhe Marc Guehi.
Sigurisht, dëmtimet po ashtu kanë ndikuar. Pep Guardiolës, për shembull, i mungon e gjithë vija e mbrojtjes. Aktualisht të lënduar janë qendërmbrojtësit Ruben Dias, Josko Gvardiol dhe John Stones.
Megjithatë, ka ende defekte.
Ende nuk ka një zëvendësues të vërtetë për sulmuesin Erling Haaland, që është jashtë formës për momentin. Ai ka shënuar një gol në tetë ndeshjet e tij të fundit.
Pavarësisht të gjitha transferimeve, City nuk ka nënshkruar me një mbrojtës të djathtë për të zëvendësuar Kyle Walkerin, kështu që është mbështetur te mesfushori Matheus Nunes për ta zëvendësuar atë. Nunes ka bërë një punë të mirë. Por nuk ka gjasa të jetë zgjidhja afatgjatë.
Vendimi i Guardiolës për të luajtur praktikisht me të njëjtin ekip për javët e fundit të vitit 2025 nxori në pah gjithashtu mungesën e besimit të tij te rezervat, disa prej të cilëve - si Omar Marmoush dhe Rayan Ait-Nouri, për shembull - u blenë si pjesë e rindërtimit të kushtueshëm.
Ndeshja e radhës në shtëpi e Cityt është kundër Wolverhamptonit që renditet i fundit me vetëm një fitore deri më tani në Premier League.
Ndërsa City ka fituar vetëm dy nga shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, Wolves po përmirësohet dhe është i pamposhtur në pesë ndeshjet e fundit.
City e nis xhiron e 23-të në vendin e dytë dhe shtatë pikë pas Arsenalit, i cili duke barazuar dy ndeshjet e fundit në ligë kundër Liverpoolit dhe Nottingham Forestit, nuk ka arritur të përfitojë plotësisht nga problemet e fundit të Cityt.
Ndeshjet kryesore
Të dielën, Arsenali pret Manchester Unitedin, i cili do të përpiqet të ruajë performancën mbresëlënëse kundër Cityt dhe ka të ngjarë të luajë përsëri në kundërsulm në “Emirates Stadium”.
Aston Villa, e vendit të tretë, e cila ka pikë të barabarta me Man Cityn, udhëton për në Newcastle.
Liverpooli është shtatë pikë prapa Cityt dhe Villas në vendin e katërt përpara një udhëtimi në Bournemouth.
Lojtarë për t’u përcjellë
Për shkak të krizës në mbrojte të Man Cityt, Marc Guehi do të fitojë rastin për debutim kundër Wolvesit.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, duhet të vendosë se kë do të inkuadrojë në sulm kundër United. Gabriel Jesus, i cili është sërish jashtë forme, dhe Viktor Gyokeres, i cili ka qenë sulmuesi titullar deri më tani këtë sezon apo dikush tjetër. Të dy shënuan në fitoren e Ligës së Kampionëve ndaj Interit të martën.
Mungesat
Ambiciet e papritura të Aston Villas për titull, apo edhe përpjekjet për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve janë goditur nga lëndimi në gju i Boubacar Kamara që mund ta mbajë mesfushorin jashtë për pjesën tjetër të sezonit aktual.
Villa e ndjeu shumë mungesën e Kamaras kur ai këputi ligamentin e kryqëzuar në shkurt të vitit 2024, duke e mbajtur jashtë për tetë muaj dhe duke e detyruar të humbiste Kampionatin Evropian.
Sulmuesi i krahut i Evertonit, Jack Grealish, po vlerësohet se mund të mbetet jashtë fushave për tre muaj, gjë që do të ishte një goditje për shpresat e tij për t’u rikthyer në skuadrën e Anglisë përpara Kupës së Botës.
Kërkesa e tifozëve për ndryshime te West Hami
Trajneri i Tottenhamit, Thomas Frank, pati një pushim këtë javë me një fitore ndaj Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve.
Përpara kësaj, tifozët kishin shprehur pakënaqësinë e tyre me Frankun duke e tallur me këngë që bënin thirrje për largimin e tij gjatë një humbjeje 2:1 ndaj West Ham në ligë fundjavën e kaluar.
Humbja ndaj Burnleyt, i cili është i parafundit në ndeshjen e së shtunës, ka të ngjarë të ringjallë ankesat për trajnerin danez, i cili ka qenë në krye vetëm për shtatë muaj, por është kritikuar për taktikat e tij pragmatike.