Futboll

Chelsea – Liverpool, kryendeshja e xhiros në Angli

Chelsea

Chelsea – Liverpool vlerësohet kryendeshja e xhiros së 35-të të Premier Leagues.

Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 17:30.

Tashmë pikët për skuadrën e Liverpoolit mund të mos jenë shumë të rëndësishme, pasi në xhiron e kaluar e siguroi titullin e kampionit të Anglisë. Megjithatë skuadra e Arne Slot synon të vazhdojë ecurinë pozitive.

Liverpooli kryeson me 82 pikë. Chelsea ka 60 pikë në vendin e pestë.

Skuadrës londineze i duhet fitorja që ta ruajë pozitën e pestë dhe eventualisht të sulmojë pozitën e katërt. Pesë pozitat e para nga elita angleze dërgojnë në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm.

Chelsea është në formë të mirë në shtëpi, ndërsa Liverpooli po luan po ashtu mirë si mysafir.

Liverpooli është i pamposhtur në dhjetë ndeshjet e fundit ndaj Chelseat. Humbjen e fundit e pësoi në vitin 2021. Chelsea ka gjashtë barazime rresht në shtëpi ndaj Liverpoolit, duke llogaritur të gjitha garat.

Skuadra e Enzo Marescas nuk ka humbur në pesë ndeshjet e fundit në ligë. Ka tri fitore dhe dy barazime. Ndërkohë “të kuqtë” kanë vetëm dy humbje këtë edicion.

Ka edhe skuadra tjera që po luftojnë ta sigurojnë një pozitë që dërgon në “Champions”.

Të dielën luhet edhe një tjetër ndeshje interesante. Nga ora 15:00 takohen Brightoni dhe Newcastle Unitedi.

Newcastle ka 62 pikë dhe është në zonën Champions. Brightoni ka 51 pikë në vendin e nëntë.

Të dielën nga ora 15:00 luan Brentfordi me Manchester Unitedin.

Unitedi ka 39 pikë dhe renditet në pozitën e 14-të. Brentfordi ka dhjetë pikë më shumë në vendin e 11-të.

Në pozitën e dytë është Arsenali me 67 pikë.

“Topçinjtë” të shtunën e presin Bournemouthin nga ora 18:30. Bournemouthi ka 50 pikë në vendin e dhjetë.

Deri në fund të ediconit në Premier League janë edhe katër xhiro.