Kanë nisur dy ndeshjet e para të edicionit të ri të Superligës së Kosovës. Llapi pret Gjilanin, ndërsa Ferizaj luan si vendas ndaj Feronikelit 74. Ndeshjet kanë filluar nga ora 17:00.
Llapi 1:1 Gjilani (Ahmed Januzi 88' / Oltion Bilalli 50')
Ferizaj 2:1 Feronikeli 74 (Edon Sadriu 45+5', Agron Bruqi a.g. 49' / Hasan Hyseni 75' )
Nuhiu i dëshpëruar me rezultatin
Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, ka mbetur i dëshpëruar pas barazimit 1:1 me Llapin të shtunën, në ndeshjen hapëse të elitës së futbollit kosovar, të zhvilluar të shtunën.
“U dëshpërova sepse djemtë luftuan shumë dhe e vetmja formë që Llapi na rrezikonte ishin goditjet standarde apo kornerët. Aty na goditën dhe na morën një tre pikësh, që personalisht mendoj që futbollistët luajtën në formën më të mirë në aspektin taktik, treguan disiplinë taktike. Por në ndeshje të tilla kur krijohen aq raste, pasi shënuam golin e parë, mendoj se ndeshja duhet të mbyllet më herët dhe do të ishte gjithçka më e lehtë”, u shpreh Nuhiu për “ArtMotion”, pas ndeshjes.
Batatina: E rëndësishme ishte të mos pësonim humbje
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka qenë i kënaqur me pikën e fituar ndaj Gjilanit në nisje të kampionatit, dhe ka thënë se e rëndësishme ka qenë që nuk ka pësuar humbje.
“Jam i kënaqur, loja e parë gjithmonë është e vështirë. Për ne ka qenë më e vështirë për ta analizuar Gjilanin, ndërsa ata e kanë pasur më lehtë ta analizojnë Llapin, pasi e kanë parë në katër ndeshje të Evropës. Kur nuk e sheh asnjë ndeshje të kundërshtarit, është e vështirë ta analizosh. Bëmë gjithçka në pjesën e parë, por pranuam gol që nuk duhet pranuar. Reparti defansiv duhej duhej të ishte më i vëmendshëm. Rrezikova, ndryshova skemën, luajta me dy sulmues. Pas ndryshimeve shënuam. Po të kishim qetësinë, do ta shënonim edhe golin e dytë. Djemtë treguan karakter. Nga ndeshja e radhës kemi më shumë mundësi për të pasur njohuri për kundërshtarin. I përgëzoj djemtë për angazhimin dhe luftën në fushë. Gjilani ka ekip të mirë por për ne ishte me rëndësi të mos humbnim”, ka thënë trajneri Batatina për “ArtMotion” pas ndeshjes.
Ferizaj kthehet me fitore në Superligë
Skuadra e Ferizajt e ka nisur me fitore edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll. Ferizaj në kuadër të xhiros së parë e ka mposhtur Feronikelin 74 me rezultatin 2:1.
Pjesën e parë të ndeshjes, Ferizaj e mbylli me epërsinë 1:0. Në minutën e pestë shtesë të pjesës së parë, Edon Sadriu ishte shënuesi i golit. Golin që e realizoi Sadriu ishte i pari në edicionin 2024/2025 në Superligën e Kosovës në futboll.
Në minutën e 49-të, Ferizaj e dyfishoi rezultatin në 2:0, me autogolin e shënuar nga mesfushori i Feronikelit 74, Agron Bruqi.
Hasan Hyseni në minutën e 75-të e realizoi golin e vetëm të Feronikelit 74.
Ferizajt iu anuluan tre gola, një në pjesën e parë dhe dy në pjesën e dytë.
Nga një pikë për Llapin e Gjilanin në ndeshjen e zjarrtë e të tensionuar
Ndeshje e zjarrtë dhe e tensionuar u zhvillua të shtunën në “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në nisje të edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll.
Pati edhe shumë raste të mira shënimi, por në fund, Llapi dhe Gjilani morën vetëm nga një pikë.
Ndeshja e parë e edicionit të ri të elitës së futbollit kosovar u mbyll 1:1.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa pesë minuta pas pushimit, ishin gjilanasit që kaluan në epërsi të parët.
Në minutën e 50-të, Oltion Bilalli realizoi me kokë pas harkimit të Edi Bashas.
Por Llapi i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina nuk u dorëzua dhe i barazoi shifrat dy minuta para fundit.
Blend Baftiu harkoi nga këndi, kurse Ahmed Januzi nga afërsia realizoi për golin që e vendosi rezultatin përfundimtar të kësaj sfide.
Llapi dhe Gjilani kanë bërë shumë ndryshime gjatë afatit kalimtar të verës.
Te Gjilani debutoi trajneri Ardian Nuhiu, që në të kaluarën e ka fituar titullin me Dritën, rivalen e Gjilanit.
Ndeshje dramatike në “Zahir Pajaziti”, Llapi barazon rezultatin
Llapi e ka barazuar rezultatin ndaj Gjilanit në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Shënues ishte sulmuesi Ahmed Januzi në minutën e 88-të, pas harkimit të Blend Baftiut nga këndi.
Feronikeli 74 ngushton epërsinë
Feronikeli 74 e ka ngushtuar epërsinë në udhëtimin te Ferizaj.
Për skuadrën nga Drenasi realizoi Hasan Hyseni. Ai shënoi për mrekulli me gjuajtje të saktë nga distanca në minutën e 75-të.
Ferizaj dyfishon epërsinë
Ferizaj e ka dyfishuar epërsinë në duelin ndaj Feronikelit 74.
Rezultati në 2:0 u vendos nga autogoli i Agron Bruqit, në minutën e 49-të.
Bilalli kalon Gjilanin në epërsi
Pesë minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Gjilani ka shënuar gol në udhëtim te Llapi.
Oltion Bilalli realizoi me kokë, pas harkimit shumë të mirë të Edi Bashas.
Gjilani po udhëheq 1:0.
Baras në Podujevë pas pjesës së parë
Llapi e Gjilani e kanë mbyllur baras pjesën e parë të ndeshjen që po luhet në “Zahir Pajaziti” të Podujevës.
Pjesa e parë ka përfunduar me rezultat 0:0.
Më meritori për këtë rezultat është portieri i Gjilanit, Kenan Haxhihamza, me disa pritje fantastike.
Sadriu e shënon golin e parë të edicionit të ri të Superligës
Edon Sadriu në minutën e pestë të shtesës në pjesën e parë, në ndeshjen Ferizaj – Feronikeli 74, e ka shënuar golin e parë të edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll, 2024/25.
Sadriu nga afërsia nuk gaboi përballë portierit italian Davide Borsellini.
Me golin e tij është mbyllur pjesa e parë.
Ferizaj është duke fituar 1:0.