Leon Avdullahu nuk e ka përcaktuar ende se cilën shtet do ta përfaqësojë. Avdullahu ndodhet në mes të dy zgjedhjeve, Kosovën dhe Zvicrën.
Gazeta e madhe zvicerane “Blick” ka shkruar se javën e kaluar drejtuesit e Përfaqësueses së Zvicrës e kanë vizituar Avdullahun te klubi i Hoffenheimit. Synimi i vetëm i tyre ishte që ta bindin mesfushorin e talentuar të qëndrojë besnik ndaj Zvicrës dhe që të mos vendos që ta përfaqësojë Kosovën.
Mësohet se Avdullahu është në listën e selektorit të Zvicrës, Murat Yakin, që mund të ftohet për ndeshjet e muajit të ardhshëm që janë të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës që mbahet në vitin 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Pikërisht Zvicra luan ndaj Kosovës dhe ndaj Sllovenisë.
Nga ana tjetër edhe drejtuesit e Federatës së Futbollit e Kosovës janë duke punuar vazhdimisht që ta bindin Avdullahun të luajë për “Dardanët”.
Siç shkruan “Blick” një delegat i Kosovës ishte pranishëm në seancën e parë stërvitore që e mbajti Avdullahu me Hoffenheimin në muajin e kaluar.
Edhe Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në fund të muajit qershor e vizitoi në Basel, Avdullahun.
Mësohet se 21-vjeçari pritet të marrë vendim së shpejti se për cilën përfaqësuese do të luajë.
Avdullahu në të kaluarën është paraqitur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës.