Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Asllani: Ndonjëherë pasoj me sy mbyllur

fisnik asllani

Fisnik Asllani është i lumtur që është kthyer te goli, por edhe më tepër për ecurinë e Hoffenheimit në Bundesligë.

Sulmuesi i Kosovës të shtunën shënoi gol në fitoren 3:0 të Hoffenheimit ndaj Freiburgut. E realizoi golin e parë të ndeshjes.

Asllani nuk kishte shënuar gol që nga 13 dhjetori. Tani i ka shtatë gola e katër asistime në 21 paraqitje kampionale.

Për më tepër Hoffenheimi po marshon drejt Championsit.

E mban vendin e tretë, menjëherë pas Bayernit dhe Borussia Dortmundit.

Edhe Asllani nuk e fsheh krenarinë që përfaqëson Kosovën Futboll Asllani nuk e fsheh krenarinë që përfaqëson Kosovën

Asllani ka thënë se i rëndësishëm është suksesi i skuadrës.

"Është fitore e merituar, edhe me këtë diferencë golash. Ishim pak të pafat në pjesën e parë, por kemi shpërblyer veten në të dytën. 'Ne' është parësore në ekipin tonë. Kemi përvetësuar rutinat tona", ka thënë Asllani, shkruan faqja zyrtare e Hoffenheimit.

Asllani ka lënë të kuptohet se është përshtatur shumë mirë në skuadër.

"Ndonjëherë e pasoj topin me sy mbyllur, pasi e di saktësisht se ku është dikush. Kur punët shkojnë mirë, natyrisht shumë gjëra janë më të lehta. Por duhet të punosh për këtë", ka theksuar ylli i ri kosovar.

Albian Hajdari në mbrojtje dhe Leon Avdullahu në mesfushë janë pjesë e pandashme e formacionit startues te Hoffenheimi, njëjtë si te Kosova.

Asllani 23-vjeçar ka pranuar se ishte me fat te goli.

Edhe Asllani shënon pas një kohe të gjatë Futboll Asllani shënon pas një kohe të gjatë

"E kam goditur topin me pjesën e pasme të kokës dhe për fat shkoi pak nën shtyllë. Është gjë e madhe të thyesh rekordet e klubit. Është shenjë fantastike se puna e madhe shpërblehet dhe që po fitojmë kaq shumë ndeshje rresht në shtëpi. Tani synimi i radhës është të marrim tri pikët e radhës në Koln. Shkojmë hap pas hapi", ka thënë Asllani.

Goli i tij është lajm i mirë për tifozët e Kosovës, pak më shumë se një muaj para ndeshjes me Sllovakinë.