Përditësim, 19:28 - Arsenali e ka “shkatërruar” Tottenhamin të dielën në ndeshjen e xhiros së 12-të në Premier League dhe është shkëputur në tabelë.
“Topçinjtë” në stadiumin “Emirates” fituan me rezultatin 4:1.
Leandro Trossard shënoi një gol për vendësit në minutën e 36-të, kurse Eberechi Eze, që kontribuoi me “hat-trick”, realizoi për 2:0 në minutën e 41-të.
Sulmuesi 27-vjeçar i Arsenalit shënoi edhe një herë tjetër për 3:0, një minutë pas pushimit.
Richarlison realizoi për 3:1 me parabolë nga 32 metra, duke e dërguar topin me mjeshtëri mbi portierin spanjoll, David Raya, në minutën e 55-të.
Eze në minutën e 76-të e kompletoi tregolëshin e parë në futbollin e seniorëve.
Arsenali me këtë fitore tani ka 29 pikë pas 12 ndeshjeve, gjashtë më shumë se Chelsea që zë vendin e dytë.
Tottenhami mbetet me 18 pikë në mesin e tabelës.
Arsenali me epërsi pas pjesës së parë
Arsenali i ka shënuar dy gola Tottenhamit në pjesën e parë të ndeshjes derbi të xhiros së 12-të të Premier Leagues së Anglisë.
Pjesa e parë e ndeshjes Arsenal – Tottenham përfundoi 2:0 në të mirë të vendësve të drejtuar nga Mikel Arteta.
Dy golat “Topçinjtë” i shënuan në fundin e pjesës së parë, saktësisht në minutat 36-të dhe 41.
Golin e parë e shënoi Leandro Trossard, kurse të dytin Eberechi Eze.