Futboll

50 milionë për lojtarë mesatarë, legjenda gjermane me qëndrim interesant

Uli Hoeness

Plot 90 milionë euro për Nick Woltemade, afro 150 milionë euro për Alxeander Isak dhe 80 milionë euro për Benjamin Sheshkon. Shifrat e paguara si dëmshpërblim, sidomos në ditët e fundit të afatit kalimtar veror, janë të tepruara.

Sidomos Premier League kaloi në dimension të ri në javët e fundit dhe tani po bëhen pyetje për këtë proces.

Ku do të përfundojë ky trend? Dhe si do të mbahen klubet gjermane në gjithë këtë?

Këtë pyetje ia bën vetes edhe Uli Hoeness, presidenti i nderit i Bayern Munchenit. Të martën mbrëma 73-vjeçari e pranoi Çmimin e Nderit të ligës gjermane, që ndahet çdo tri vjet, për shërbimin e tij ndaj futbollit gjerman. Dhe Hoenes ka diskutuar zhvillimet aktuale në tregun e transferimeve.

 “Vetëm mund të them që mbeta i shtangur nga ajo që ndodhi në futbollin ndërkombëtar në gjashtë deri në tetë javët e fundit”, ka theksuar udhëheqësi shumëvjeçar i Bayernit. Pos president nderi, Hoeness është edhe në bordin mbikëqyrës të gjigantit bavarez.

“Ajo që po ndodh mendoj që është plotësisht e çmendur. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, njerëzit do të fillojnë të pyesin nëse jemi normalë. Unë punoj për 2000 deri në 3000 euro neto në muaj dhe në të njëjtën kohë 30 milionë euro, 40 milionë euro, 50 milionë euro po shpenzohen për lojtarë mesatarë”, ka thënë legjenda gjermane.

Ai ka këshilluar klubet gjermane që t’i përmbahen “rrugës së tyre”. Hoeness e ka diskutuar këtë me kancerlarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, që po ashtu foli me përfaqësuesit e klubeve dhe mbështeti rregullin 50+1.

“Ne gjermanët duhet të marrim përsëri një rol udhëheqës. Duhet të ndjekim rrugën tonë, të tregojmë forcë dhe të mos e bëjmë veten të varur nga paratë e arabëve, fondet amerikane apo oligarkët”, ka kërkuar Hoeness. Ai ka kërkuar po ashtu nga klubet gjermane që të marrin përgjegjësi.

Sipas tij, është e rëndësishme që të vazhdohet me nxjerrjen e lojtarëve dhe ndihmën ndaj tyre, në mënyrë që Gjermania asnjëherë të mos pranojë këto para.

Mundësitë ekonomike në vendet tjera, sidomos në Angli, nënkuptojnë që Bayerni tani paraqitet si autsajder në Ligën e Kampionëve. Hoeness bëri një krahasim të papritur për këtë.

“Mezi pres fillimin e edicionit. Po hyjmë në sezonin e Ligës së Kampionëve ashtu si Hoffenheimi. Dhe ky është shansi ynë”, ka thënë Hoeness.