Magjia e tingujve të kitarës u shpërnda gjithandej në Muzeun e Qytetit të Mitrovicës në edicionin e pestë të “Mitrovica Guitar Days”. Ka qenë kitaristi i shquar Marcin Dylla i cili e ka bërë hapjen. E ka dëshmuar epitetin e tij si njëri prej mjeshtërve të kitarës klasike.
E ka hapur koncertin me “Capricco Diabolico” të Mario Castelnuovo-Tedescos dhe ka një hyrje të fuqishme në zbërthimin e stilit dhe teknikave të tij. Dylla shpalos rrëfime nëpërmjet instrumentit dhe kitara në duart e tij duket e pamjaftueshme. Para secilës vepër në repertor, ai e ka paralajmëruar publikun se çfarë e pret. Ka vazhduar me Sonatën nga opera e 23-të e Wenzel Thomas Matiangas, për të përmbyllur me kalimet e shpërthimet e shpejta te “Cinco Piezas” të Astor Piazzolas, kompozitorit modern, i pashmangshëm në repertorin e kitaristëve.
Dylla ka në sirtarë gamti 20 çmime në garat më prestigjioze në gjithë botën prej vitit 1997 deri më 2007, kur mori Medaljen e Artë në “Guitar Foundation of America International Competition” në Los Angeles i njohur si konkursi më prestigjioz i kitarës në botë.
Ka ardhur për herë të parë në Kosovë.
“Është hera e parë në Kosovë, edhe pse njoh kitaristë të mrekullueshëm nga Kosova, një prej tyre është edhe student i imi në Gjermani, dhe dija për njerëzit, e dija sa sensitivë janë edhe muzikalisht dhe e prisja çka do të ndodhte sonte. Shumë bukur, audiencë e qetë dhe duke dëgjuar me shumë vëmendje dhe gjithashtu duke më dhënë mua kënaqësi ta shijoj edhe tingullin më të butë të kitarës”.
Ai gjithashtu ka treguar edhe për master-klasat që tashmë kanë nisur.
“Janë diku dhjetë ose dymbëdhjetë kitaristë që do të luajnë për mua dhe është gjithmonë kënaqësi të takoj të rinj dhe të diskutojmë për gjëra që mund të bëhen më mirë”.
Marcin Dylla, i lindur në Poloni, mori mësimet e para për kitarë në Konservatorin Muzikor Ruda Slaska në Poloni. Prej vitit 1995 deri në vitin 2000 studioi në Akademinë e Muzikës në Katowice me Adi Eanda Palacz dhe më vonë përfundoi studimet në Akademitë Muzikore në Zvicër, Gjermani dhe Holandë.
Pas Mitrovicës, Dylla ka edhe një rrugëtim të gjatë për festivale të tjera, në Itali, Bullgari, Itali, disa koncerte në SHBA dhe në Gjermani.
Koordinatorja e “KosovaArs” Anisa Sudoholli- Mujka ka thënë se gjithçka në hapjen e edicionit të pestë të “Mitrovica Guitar Days” ka shkuar siç e kanë pritur.
Tingujt e kitarës në Mitrovicë do të mbizotërojnë deri me datë 24 shtator, ku të premten skena do t’i takojë një tjetër emri të shquar, italianit Aniellio Desiderio i cili në Itali cilësohet si fenomen.
Me katër koncerte vjen edicioni i pestë. Në program është edhe koncerti i trios së Agron Penit dhe dyshes nga Turqia, që i jep festivalit të tjera ngjyra.