Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Sopranoja me elegancë dëshmon fuqinë vokale

Dritat e kishës “Shën Ndou” janë zbehur në sallën plot, atëherë kur në skenën e improvizuar u ngjit një vajzë e re në moshë, por me potencë e mjeshtri vokale të dëshmuara tashmë. Nën tingujt e muzikës klasike, me kapërcime stilesh e teknikash interpretuese varësisht prej veprave, Urta Haziraj me elegancë ka lidhur epokat, në koncertin e saj solistik, të enjten mbrëma. Zëri i saj herë i vetëm e herë i shoqëruar me instrumente, ishte ai që gati për një orë e futi publikun në magjinë e muzikës.

“I mora disa komente pas koncertit që programi u pëlqeu shumë për shkak se nuk është fokusuar vetëm në një epokë të muzikës, por në stile të ndryshme. Këto kanë qenë ideja dhe koncepti se pse e kam përzgjedhur pikërisht këtë program. Mimikat e publikut tregojnë shumë gjatë performancës. Mundohesha që të fokusohesha edhe te performanca, por edhe t’i shikoja ata. Kështu që po besoj se u pëlqeu i gjithë ky program”, deklaroi Haziraj.

“Normalisht, emocionet pas koncertit janë totalisht ndryshe, sepse muzikantët pas performancës ndihen pak më lehtë, sepse e kanë liruar një lloj të emocioneve të menjëhershme. Pikërisht ky koncert dhe koncertet solistike për secilin muzikant janë tejet të rëndësishme për karrierën artistike. Kështu që po besoj që ky është edhe njëri ndër synimet”, përfundoi sopranoja.

Skena dedikuar sopranos gjatë koncertit qe e mbushur me një kontrast personazhesh. Përderisa koncertet janë tash e sa kohë pjesë e jetës për pianisten Lirika Pula-Kasapolli dhe violinistin Visar Kuçi, për sopranon Urta Haziraj dhe kitaristin Milot Mehmeti kjo eksperiencë është ende e freskët. Ky dallim nuk bëri që të dalloheshin edhe kualitetet e interpretimit.

“Në kitarë performoj prej se kam qenë shtatë vjeç dhe normal që është ndjenjë shumë e mirë, sidomos me Urtën për shkak se sonte tregoi se çfarë zëri potent dhe çfarë performance ka. Normalisht jam shumë i lumtur që ndava punën time dhe veprat të cilat i kam ushtruar në këtë koncert”.

Në publik disa ishin aty nga besimi që kishin në potencialin e sopranos, e disa të tjerë nga kureshtja pikërisht për këtë potencial. Nisur nga besimi, aktorja Ilire Vinca e shijoi performancën.

“Është kënaqësi shumë e madhe kur ne si performues dhe që e njohim skenën, e që skena është profesioni ynë, vjen momenti kur ne e gëzojmë fatin t’i shohim të rinjtë, të cilëve ndonjëherë mundohemi t’u japim ndonjë mësim të vogël, teksa shkëlqejnë në skenë dhe teksa e rrumbullakojnë karrierën e tyre mes përvojës, talentit, përgjegjësisë dhe pasionit. Kështu që për mua ishte kënaqësi shumë, shumë e madhe ta shihja Urtën në një koncert dhe në një program kaq të përzgjedhur dhe kaq të bukur, edhe të butë njëkohësisht, që depërtoi dhe erdhi shumë lehtë te ne, si një fllad pranveror”.

Koncerti i Urta Hazirajt erdhi në bashkëpunim me organizatën “Artpolis”.

Artikuj të ngjashëm