Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

“Solfegjo fillestare” për hyrje në botën e muzikës

“Solfegjo fillestare” është titulli i librit të autoreve Violeta Krasniqi dhe Kristina Perkola, i cili merr peshë jo vetëm për përmbajtjen e misionin që ka, por edhe si libri i parë i këtij lloji në shqip. Vjen me gjuhë të thjeshtë e atraktiv nëpërmjet ngjyrave, sepse u dedikohet atyre që janë në fillet e rrugëtimit muzikor.

Puna shumëvjeçare në mungesë të literaturës në shqip u bë pika kryesore që shtyu dy mësueset e muzikës të botonin këtë libër, i përuruar të premten e kaluar në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku japin mësim të dy autoret.

“Ideja për krijimin e një libri të tillë është shumë moti për mua, sepse kam bërë një përvojë shumë të gjatë në mësimdhënien e solfegjos, dhe unë vetë kam pasur probleme dhe shqetësime për mungesë të literaturës. Ka disa vjet që me Kristinën kemi filluar mbledhjen e materialeve, krijimin e ushtrimeve. Natyrisht me një punë sistematike dhe serioze arritëm që më në fund ta botojmë librin”, deklaroi Krasniqi.

Libri është menduar në atë mënyrë që talentet që mësojnë solfegjo të gjejnë kënaqësi në të, dhe kështu mësimi të bëhet më i thjeshtë.

Libri është pëlqyer shpejt nga nxënësit, dhe kjo u dëshmua me interpretimin e disa prej veprave që përmban libri.

“Duke u bazuar në faktin që libri u dedikohet moshave të reja, respektivisht moshave gjashtë, shtatë, tetëvjeçare, atëherë edhe libri përkon me këto grupmosha dhe përkon me metodikën e mësimdhënies së solfegjos, që nënkupton zhvillimin e aftësive muzikore, zhvillimin e veshit muzikor, ndjenjës melodike dhe ritmike, duke e konceptuar librin në një formë të tillë që gradualiteti të jetë në fokus, dhe po ashtu marrja e informacioneve të reja dhe të shkojë prej atyre të njohura tek ato të panjohura, prej atyre më të thjeshta deri te ato më të ndërlikuara. Kështu që synimi kryesor i këtij libri është zhvillimi i aftësive muzikore tek fëmijët që dëshirojnë ta mësojnë profesionalisht muzikën”, tha Perkola.

Ky libër bashkoi figura me karrierë të kahershme në sferën e muzikës. Besa Luzha, që ishte recensente, e konsideron këtë libër të rëndësisë së veçantë për nxënësit.

“Ne nuk kemi literaturë në gjuhën shqipe. Natyrisht, nxënësit kanë punuar me libra në gjuhë të tjera. Është shumë mirë që një fëmijë i klasës së parë kur vjen në shkollën e muzikës ta ketë një tekst ku janë ushtrimet e solfegjos muzikore me nota, por ku i ka edhe shpjegimet e duhura, ushtrimet, detyrat, këngët e ndryshme që janë në gjuhën shqipe. Janë shumëngjyrëshe. Ato e afrojnë nxënësin, e bëjnë interesante lëndën e solfegjos, që është pak e vështirë për fillestarët, se ka të bëjë me zhvillimin e veshit, duhet me ditë të këndosh tingujt në lartësi dhe gjatësi të ndryshme. Kështu që besoj që kjo e konkretizon mësimin për ta”.

Libri pos mësimeve në solfegjo përmban edhe ushtrime, që për nxënësit është një mundësi më shumë për të zgjeruar dijen.

Autoret pos që morën lëvdata nga kolegët e tyre që ishin të pranishëm, u nderuan edhe me mirënjohje nga drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Jeta Dida-Bujari.

Artikuj të ngjashëm