EXPRESS

“Side by side” si rrëfim poetik për jetën, dashurinë e vdekjen

Njësoj sikurse transformimi i hapësirës, sopranoja Besa Llugiqi e pianisti Misbah Kaçamaku kanë zbërthyer me tis elegance botët e kundërta të Schumannit dhe Sraussit, por që të përbashkët kanë poezinë e bukur dhe muzikën e jashtëzakonshme. Janë vepra që i japin peshë fjalës, me tregimet për jetën dashurinë dhe vdekjen. Koncerti ka qenë si një rrëfim poetik.

Sopranoja Besa Llugiqi e pianisti Misbah Kaçamaku kanë qenë dueti i koncertit “Side by side”. Vepra që flasin për dashuritë që kanë përfundim tragjik në njërën anë e ato që flasin edhe për natyrën, humbjen e vdekjen, e ndërtojnë programin me vepra të bukura që bazën e kanë te poezia gjermane. Në këtë mes, tingujt solo të pianos në veprën e Mozartit e ilustrojnë natyrën e errtë të temës së koncertit. 

Biblioteka Kombëtare e Kosovës jo rrallë është një prej hapësirave ku organizohen ngjarjet kulturore. Të premten mbrëma enterieri i hollit të objektit ka qenë me imazh më ndryshe.

Sopranoja Llugiqi e pianisti Kaçamaku me elegancë janë shfaqur në skenë. Në pjesën e parë ka interpretuar ciklin e këngëve “Frauenliebe und leben” të gjermanit Robert Schumann. 

Në përgjithësi ato janë thellësisht emocionale e serioze. Fillimisht janë edhe harmonike me një dozë e më pas transformohet në një lloj elegjie, deri në atë pikë sa solistja përçon rrëfimin e personazhit që humbet forcën, zërin. 

“Pjesa e parë e tregon një ngjarje nëpërmjet një cikli të tetë këngëve, dashurinë dhe jetën e gruas. Shtjellon mënyrën se si ajo dashurohet, martohet, lind fëmijë dhe në fund i vdes i dashuri. Përfundon tragjikisht por ka një përmbajtje të jashtëzakonshme. Ka shumë art në të”, thekson Llugiqi.

Në pjesën e dytë të programit dyshja ka interpretuar gjashtë këngë të kompozitorit gjerman, Richard Strauss. Janë kryesisht melankolike, të ndjeshme, thellësisht emocionale. 

Sopranoja Llugiqi ka thënë se secila prej këtyre pjesëve ka rrëfimin përkatës të veçantë.

“Pjesa e dytë, janë tregime të shkurtra në një a dy minuta, por secila flet për jetën, për vdekjen, natyrën, humbjen e për dashurinë. Në të dyja versionet është sfiduese për këngëtarin, por që është edhe një super-kënaqësi të interpretosh sepse është një muzikë e mrekullueshme dhe e gërshetuar shumë mirë me poezinë që në fakt duhet më shumë t’i japësh rëndësi fjalës, duke e ngjyrosur me muzikë dhe kjo e bën shumë unik këtë program”, deklaron ajo.

Ndarjen e dy pjesëve e ka bërë pianisti i njohur Misbah Kaçamaku. Ka luajtur pjesën për piano solo “Fantasie në e-mol KV 396” të Mozartit. Është një prej pjesëve më të njohura për piano edhe pse vepra u përfundua nga dikush tjetër. 

Kaçamaku ka thënë se vepra shkonte me konceptin e koncertit dhe me atë që e quan si temë e zymtë e komplet ngjarjes. 

“Kjo vepër është gjetur pasi ka vdekur Mozarti, por ka qenë si një lloj skice. Realisht e kam marrë këtë vepër pasi vetëm pjesën e parë e ka shkruar Mozart dhe ka qenë e planifikuar për violinë, sonatë dhe piano. Pjesën e mesme dhe përfundimin e ka bërë dikush tjetër. Ka mundur të vërehet dallimi midis pjesës së parë dhe dy të tjerave. Ka qenë ideja e integrimit të publikut pasi besoj se shumica nuk e di prejardhjen e veprës dhe më është dukur se vijnë me atë mendim se është Mozart, por në të vërtetë dëgjojnë krejt diçka tjetër. Kjo ka qenë ideja e përzgjedhjes së veprës”, thotë ai.

Rrëfimin e të njëjtit koncert, dyshja e ka shpalosur edhe të dielën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.