EXPRESS

“Meeting Of Styles” në aksion me ngjyra

Edicioni i 7-të i festivalit ndërkombëtar të grafiteve, “Meeting of styles Kosovo” do të nisë nesër. Pas më pak se 24 orëve, rreth 2000 metra katrorë mure anësore të “Rrugës B” do të nisin të marrin ngjyra e pamje të re. Muralet e realizuara aty në edicionet e para kanë filluar të zbehen. Për këtë tashmë janë mbuluar me ngjyrë të zezë mbi të cilën 120 artistë nga 28 shtete të botës do të lënë shenjat e tyre.

Muralet do të realizohen mbi temën “Critical Mass”, ku pasqyrohet gjendja aktuale në botë dhe bëhet thirrje për veprim.

Koordinatorja për media në kuadër të Festivalit, Anea Kuçi, ka treguar për përgatitjet e fundit një ditë para edicionit të shtatë të “Meeting Of Styles Kosovo”.

“Përgatitjet kanë shkuar goxha mirë. Ndoshta ka pasur ndonjë ngecje të vogla mirëpo secila prej tyre është zgjidhur. Kohët e fundit na ka mbetur vetëm t’i presim artistët. Ata vetëm kanë filluar të vijnë. Dje kanë ardhur një pjesë e tyre edhe sot i presim të tjerët te cilat do të akomodohen në 3 lokacione 2 prej të cilave janë në qendër dhe një në Gërmi. Shtresa e parë e murit tashmë është mbuluar me ngjyrën e zezë mbi të cilën vendosen muralet”.

Në kryeqytet jo rrallëherë hasen hapësira të betonuara të cilat shpeshherë krijojnë atmosferë të zymtë. Ngjyrat e Festivalit i japin gjallëri Prishtinës. E këtë vit gjatë datave 28, 29 dhe 30 korrik përveç nëpërmjet artit urban në programin e tyre kanë edhe muzikë e punëtori për të gjitha moshat.

“Lokacioni këtë vit do të jetë këtu te ‘Rruga B’ janë afër 2000 metra katrore që do të mbulohen me murale. Muralet nuk janë i vetmi aktivitet që do të jetë gjatë festivalit, ka edhe aktivitete të tjera për fëmijë dhe për njerëz të të gjitha moshave. Është punëtoria e artit ku shpërndahen njohuri për masën, ka edhe kreatorë të rinj të cilët do ta shprehin artin e tyre në fusha të tjera pos muraleve”.

Derisa me temën e edicionit të kaluar “Meeting Of Styles Kosovo” ka hedhur dritë mbi të vërtetën me temën “Truth is Light”, sivjet Kuçi ka thënë se po synohet që të ngrihet vetëdija për rolin e secilit individ në masën e gjerë. Cilido veprim i mirë ka ndikimin e vet në të mirën e përgjithshme.

“Tema ka qenë e përcaktuar paraprakisht mirëpo artistët do të kenë mundësi të shprehin stilin e tyre. Tema është ‘Critical mass” apo ‘Masa kritike’ që e nënkupton një lloj mirësie që ne mundemi t’ia dhurojmë njëri-tjetrit dhe pas një kohe kjo do të bëjë që masa të anojë më shumë nga mirësia”.

Kuçi ka bërë të ditur se në këtë edicion ka ndërruar edhe mënyra e aplikimit, por kjo nuk e la lehtësuar punën e përzgjedhjes. Nga 300 artistë anembanë botës më pak se gjysma prej tyre janë përzgjedhur.

“Janë rreth 120 artistë që do të marrin pjesë këtë vit për ti bërë muralet në stilet e tyre. Përzgjedhja është një procedurë e gjatë. Këtë vit ka qenë pak me ndryshe mënyra e aplikimit ku tash është pjesë e websiteit të MOS-it hapësira ku kryhen aplikimet. Kanë aplikuar afër 300 artistë ku prej tyre janë zgjedhur 120. Ka artistë kombëtar dhe ndërkombëtar këtë vit dhe ata ndërkombëtar vijnë 28 vendeve të botës”.

Për 3 ditë, sa zgjatë Festivali, puna e artistëve do të përcillet me muzikë nga këngëtarë e DJ të njohur në vend, ndërsa “Rruga B” do të jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve.