EXPRESS

“Liburn Jupolli Ensemble” provon lirinë në botën e çudirave muzikore

“Muzikë e çuditshme” është përkufizimi që mund t’i bëhet asaj që solli Liburn Jupolli me shokë. E tillë, në kuptimin e artit që shkrin kufijtë, provon lirinë në ekstremet e saj. Në festivalin “Tingujt e flautit” sjell një frymë krejt tjetër kompozimesh e interpretimesh

Muzika që sjell Liburn Jupolli me ansambël është krejt unike. E tillë vlerësohet edhe krijimtaria e kompozitorit, por ajo që ilustrohet në “Defy Them” në kuadër të festivalit “Tingujt e flautit”, e përforcon këtë konstatim. 

Repertori me vepra origjinale e ka bërë të veçantë koncertin e së enjtes mbrëma në qendrën për muzikë alternative, rock, punk dhe metal. 

E dallueshme është energjia e jashtëzakonshme që instrumentistët e përkthejnë në vepra origjinale të Jupollit. Ato shpesh kulmojnë me përfshirjen e krejt instrumenteve, por edhe dinë të bëhen minimaliste, për nga numri i instrumenteve që futen në lojë e për nga tingujt e tyre. 
Është vetë Jupolli ai që i inkurajon anëtarët e ansamblit për më shumë energji në të njëjtën kohë sa edhe vetë luan në piano e me muzikë elektronike. 

Ai ka thënë se muzika të cilën e kanë luajtur është përzierje e zhanreve që bashkohet në mënyrë natyrale. 

“Për ta bërë këtë është dashur të kalojmë një proces, në të cilin jemi duke kaluar, pak më jo të zakonshëm nga çfarë kalon një ansambël. Fillimisht kemi incizuar një nga një me shtatë pjesë që janë xhiruar rreth vitit 2023. Kështu i kemi formuar pjesët. Disa janë të shkruara, një pjesë është kontribut i instrumentistit bashkë me mua gjatë incizimit. Në këtë mënyrë, gradualisht formohen pjesët. Disa janë në këtë mënyrë, disa që janë dëgjuar këtu janë më të shkruara. Pra kanë partiturë më fikse. Me raste ka folklor”, ka thënë Jupolli.

Kur pushon ritmi, loja e disa instrumenteve shpërfaqet. E krijojnë një atmosferë të paqartë, abstrakte. Tingujt janë të shthurur e minimalë. Muzika tradicionale shqiptare gërshetohet me stile e zhanre bashkëkohore. Jupolli luan edhe me sharki e lahutë ndërsa flautistja Yllka Simnica, pos me instrumentin që e zotëron, e sjell këtë frymë edhe me kavall e fyell të shokës. Ajo ka thënë se muzika që e kanë luajtur ka qenë shumë më ndryshe nga çfarë është dëgjuar zakonisht. 

“Është shumë më ndryshe prej asaj çfarë kemi studiuar dhe çfarë jemi mësuar të dëgjojmë. Ishte shumë kënaqësi së pari të luaj me Liburnin, të jem pjesë e ansamblit. Unë kam luajtur me flaut, fyell të shokës okarinë dhe kavall kësaj here. Besoj se u ka pëlqyer, e di që ka qenë diçka shumë më ndryshe, më e re nga ç’ jeni mësuar të dëgjoni ju dhe ne”, theskon Simnica.

E veçanta e këtij koncerti ka qenë edhe përfshirja e instrumentit Octo të cilin e ka krijuar vetë Jupolli.
Me të ka luajtur kitaristi Galdon Reçica. Ka thënë se instrumenti ka shumë veçanti. 

“Çfarë e karakterizon këtë instrument është se ndahet në çerek dhe mikro- tone që domethënë mundet ta bëjë një input shumë më të gjerë dhe të imitojë disa instrumente folklorike që janë edhe në popuj të tjerë. Gjithashtu, ka një dalje, output, për secilën dalje që e ka. Octo mund të lidhet me tetë amplifikatorë të ndryshëm dhe secili prej telave të amplifikohet veçmas, po ashtu të eksperimentojë. Kur e kemi bërë tregimin e saj e kemi marrë dhe e kemi lidhur me 36 pedale të ndryshme me efekte të kitarës”, deklaron Reçica.

Trumbetisti Philipp Labhart ka thënë se për të pjesëmarrja në ansambël është mundësi unike për të luajtur atë që ai e quan si stil të lirë muzikor. 

“Të jem i sinqertë unë vetëm këto kohë të fundit po e bëj këtë muzikë avangarde që është stil i lirë muzikor. Për mua është përvojë shumë e mirë sikurse edhe të jem këtu si i huaj, si zviceran, të eksperimentoj gjëra si këto, sidomos me njerëz si Liburni që po bëjnë gjëra të veçanta. Më ka pëlqyer atmosfera dhe ishte befasuese që goxha njerëz erdhën për të dëgjuar muzikën tone”, ka theksuar Labhart.

Muzika tradicionale shqiptare e ajo e huaj, bashkë me pop, jazz, rock, elektronike, klasike e jo vetëm, e ndërton avangardën e kompozitorit e të “Liburn Jupolli Ensemble” me shprehje muzikore novatore e gjithëpërfshirëse.