EXPRESS

Lendita Zeqiraj flet për projektin filmik në ardhje

Janë bërë 4 vjet që nga premiera e filmit “Shpia e Agës” i regjisores Lendita Zeqiraj. Është filmi i parë i metrazhit të gjatë nga Zeqiraj, i cili ka marrë pjesë në mbi 30 festivale e ka arritur suksese të shumta gjatë këtyre viteve. Krejt këtë kohë regjisorja e njohur e ka kaluar duke punuar drejt realizimit të një projekti filmik tjetër, më ndryshe se që publiku është mësuar të shohë deri më tash.

“Filmi i fundit ka qenë i pari i metrazhit të gjatë, edhe pse paraprakisht kam punuar në projekte të tjera filmike që kanë pasur sukses. Si proces ka qenë mjaft i gjatë dhe është një sfidë, sepse është film artistik i cili i ka veçantitë e veta. Tash ka diçka tjetër që më ka zgjuar interesimin dhe deri në atë moment jam bindur se duhet të bëhet një projekt i tillë apo të preket një temë e tillë”.

Zeqiraj nuk ka zbuluar shumë detaje për projektin në të cilin është duke punuar aktualisht. Përpos që vjen si bashkëpunim me një personazh nga një vend tjetër, ajo ka përmendur se trajton një temë ndryshe dhe se mënyrën e realizimit e ka të veçantë.

“Në projektin e ardhshëm do t’i përdor mjetet që i kam më shumë. Unë prej filmit vij nga muzika, piktura, arkitektura e kështu që të gjitha këto janë pjesë që do të mundohem t’i kem në projektin e ardhshëm filmik për të cilin jam duke punuar qe 3 vjet. Ky projekt do të vijë në bashkëpunim edhe me një personazh nga një vend tjetër”.

Për të gjithë regjisorët, aktorët e filmbërësit kosovarë, të cilët ia kanë kushtuar jetën këtij profesioni, Zeqiraj ka thënë se bëjnë një përpjekje të vazhdueshme që Kosova të jetë në hap me kinematografinë botërore.

“Kosova edhe filmi janë shumë të rinj. Çdo fillim është i vështirë, kështu që unë u kuptoj, edhe njerëzit që ia kanë përkushtuar jetën këtij profesioni. E kuptoj sa e vështirë është për të gjithë neve që mundohemi të punojmë në këtë drejtim. Mendoj se duhet të jemi të motivuar, por ndoshta pikërisht këto sfida na bëjnë që të japim sa më shumë prej vetes në mënyrë që të arrijmë që të mos jetë Kosova jashtë rrjedhave të kinematografisë së botës”.

Ndër filmat e saj, si: “Ballkoni, “Exit”, “Fence” e “Shpija e Agës”, ky i fundit ka treguar suksese të shumta.