EXPRESS

Kori i Filharmonisë në festë të shumëfishtë

 Traditën për të mbajtur koncert festiv në fundvit, Kori i Filharmonsë së Kosovës e ka vazhduar edhe sivjet. Janë përzgjedhur vepra atraktive nga repertori vendor e ai botëror që jehojnë me ritmin e festave. Por kësaj here ka qenë festë e shumëfishtë. Me interpretim mjeshtëror janë nderuar kompozitorët Zeqirja Ballata dhe Mendi Mengjiqi në përvjetorët e lindjes. Festë ka qenë edhe për Korin që ka mbushur 20 vjet veprimtari si trupë e Filharmonisë.

Jo rrallë Filharmonia e Kosovës me ritmin e veprave klasike shënon ngjarje e festa. Të enjten e kaluar në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë ambienti ku është mbajtur koncerti e programi i përzgjedhur ka qenë një lloj dhurate për festa.

Vjet në mungesë të sallës koncerti ishte mbajtur në një hapësirë private në periferi të Prishtinës. Sivjet, prapë në mungesë të sallës, koncerti është dashur të mbahej në hapësirën e kishës me akustikë të përshtatshme por ku një numri të madh të publikut iu desh ta ndiqte koncertin më këmbë.

Programi u hap me veprën “Music in the circle” të Mendi Meengjiqit, me të cilën është shënuar 65-vjetori i lindjes së kompozitorit.

Një tjetër pjesë është luajtur për të shënuar jubileun e kompozitorit Zeqirja Ballata. Tejet atraktive ka qenë vepra korale “Humoreska”, që është luajtur për nder të 80-vjetorit të lindjes së kompozitorit. Humori i veprës e ka thyer seriozitetin e veprave liturgjike.

“Concerto Fantasy” e Rafet Rudit për violinë dhe kor ka qenë kapitulli tjetër i muzikës klasike shqiptare.

Violina në shoqërim të pjesës duket se u shton ngjyra klasike tingujve liturgjikë. Ajo është pjesë e ciklit “Afresk Arbëresh”.

Kompozitori e akademiku Rafet Rudi ka thënë se vepra përfshin momente nga historia e muzikës shqiptare.

“Është një vepër ku janë të përmbledhura disa momente nga historia jonë në kuptimin e muzikës së vjetër, që nga koha e Kukuzelit në shekullin e 12-të dhe 13-të që i kam marrë disa motive që janë koincidente në muzikën tonë shqipe. Në anën tjetër janë ndikimi apo vazhdimi i preokupimi im me muzikën liturgjike arbëreshe dhe natyrisht këngës tonë shqipe. Kalaja e Shkodrës është një prej temave që ngërthehet në tërë këtë vepër. Është vepër e gjatë, jo e zakonshme për literaturë, është koncert për violinë dhe kor”.

Pjesa “Concerto Fantasy” është shkruar në vitin 2011 enkas për violinisten Sihana Badivuku, e cila e ka luajtur mjeshtërisht edhe në koncertin në kishën katolike “Shën Ndou”.

Në koncert janë luajtur edhe vepra të repertorit botëror koral. Solistë e instrumentistë kanë interpretuar në disa prej tyre. Në piano i ka shoqëruar Andi Duraku.

“Është hera e parë që bashkëpunoj me profesor Rafet Rudin në një koncert ku ai dirigjon. Ishte e jashtëzakonshme puna me të, provat dhe gjithçka tjetër. Jam shumë i kënaqur me përzgjedhjen e programit. Besoj se u pa edhe te publiku të cilët pas çdo pjese duartrokisnin dhe e vlerësonin atë vepër”.

Koristi Shaban Behramaj, i cili ka interpretuar në “Humoreska” të Zeqirja Ballatës, ka thënë se ka qenë interpretim sfidues për shkak të natyrës së veprës.

“Për mua ka qenë kënaqësi shumë e madhe të interpretojë Humoreskën nga profesor Zeqirja Ballata sepse ka qenë goxha sfiduese t’ia japësh tamam karakterin humoresk që e ka kjo vepër. Më duket se sonte publiku e priti shumë mirë. E kam dëgjuar këtë vepër prej vitesh, por kësaj here isha edhe solist në këndim, prandaj ishte kënaqësi e veçantë”.

Filharmonia e Kosovës paraqitjet e fundit për këtë vit do t’i ketë më 16 dhe 17 dhjetor, ku Orkestra do ta interpretojë suitën “The Nutcracker” të rusit Tchaikovsky në përcjellje të shfaqjes së Baletit Kombëtar të Kosovës, “Arrëthyesi”