Kulturë

Kori në festë të shumëfishtë jehon edhe me vepra vendore

Atmosferën festive të fundvitit, Kori i Filharmonisë së Kosovës e ka shndërruar në festë të shumëfishtë duke u dhënë jehonë edhe veprave vendore të cilat dëshmojnë potencialin e muzikës vendore. Kori i cili ka festuar edhe 20-vjetorin, ka nderuar kompozitorët Zeqirja Ballata e Mendi Menxhiqi në përvjetorët e lindjes dhe këtë e ka bërë me interpretim mjeshtëror në koncertin e dirigjuar prej mjeshtrit Rafet Rudi, vepra e të cilit ka qenë po ashtu në repertor

Traditën për të mbajtur koncert festiv në fundvit, Filharmonia e Kosovës e ka vazhduar edhe sivjet. Për koncertin e Korit, janë përzgjedhur vepra atraktive nga repertori vendor e ai botëror që jehojnë me ritmin e festave. Por kësaj here ka qenë festë e shumëfishtë. Me interpretim mjeshtëror janë nderuar kompozitorët Zeqirja Ballata dhe Mendi Mengjiqi në përvjetorët e lindjes. Festë ka qenë edhe për Korin që ka mbushur 20 vjet veprimtari si trupë e Filharmonisë.

Jo rrallë Filharmonia e Kosovës me ritmin e veprave klasike shënon ngjarje e festa. Të enjten mbrëma në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë ambienti ku është mbajtur koncerti e programi i përzgjedhur kanë qenë një lloj dhurate për publikun.

Vjet, në mungesë të sallës, koncerti ishte mbajtur në një hapësirë private në periferi të Prishtinës. Sivjet, prapë në mungesë të sallës, koncerti është dashur të mbahet në hapësirën e kishës me akustikë fantastike, por ku një numri të madh të publikut iu desh ta ndjekë koncertin në këmbë.

Filharmonia e Kosovës nuk ka publik të zgjedhur. Dëshmi është edhe koncerti i fundit ku njerëz të të gjitha moshave ishin për të ndjekur koncertin e fundvitit.

Programi u hap me veprën “Music in the circle” të Mendi Mengjiqit. Zërat e Korit janë gërshetuar në vepër duke u distancuar nga njëri-tjetri. Zërat e grave kanë qenë konstantë dhe e kanë mbajtur ritmin derisa është zhvilluar ai i burrave. Jo shpesh ka zhvillime të mëdha në veprën e cila nuk ka shkëputje vokali për asnjë moment, qëndron e lidhur deri në fund. Me të është shënuar 65-vjetori i lindjes së kompozitorit Mengjiqi.

Image
“Është një vepër ku janë të përmbledhura disa momente nga historia jonë në kuptimin e muzikës së vjetër, që nga koha e Kukuzelit në shekullin XII dhe XIII, që i kam marrë disa motive që janë koincidente në muzikën tonë shqipe”, ka thënë dirigjenti e kompozitori Rafet Rudi kur ka folur për veprën e tij (Foto: Arben Llapashtica)

“O magnum mysterium” e amerikanit Morten Lauridsen është hapur me fjalët me të cilat emërtohet. Ka qenë pjesë liturgjike, sikurse edhe krejt programi i përzgjedhur. Zërat sa shkojnë e bëhet një. Dominues janë të grave derisa të burrave bëhen konstantë. Në fund shkrihen në një dhe mbyllen gradualisht. Kontrasti i kësaj vepre është “Biegga Luohte” e suedezit Jan Sandstrom.

Ka kumbuar që në nisje si vepër më e gjallë. Interpretimi i basit Shaban Behramaj si solist nga radhët e Korit të Filharmonisë ka nisur zhvillimet më pas. Kori ka interaktivitet ndërmjet anëtarëve. Improvizohen edhe cicërimat. Në një pjesë zërat janë tejet të shkurtër dhe me ndërprerje. Është dashur koordinim absolut i tyre. Interpretimi i Behramajt shkon duke u shuar ngadalë, e kështu mbyllet vepra.

Tejet atraktive ka qenë vepra korale “Humoreska” e Zeqirja Ballatës që është luajtur për nder të 80-vjetorit të lindjes së kompozitorit. Ka qenë tejet atraktive e interesante. Humori i veprës e ka thyer seriozitetin e veprave liturgjike. Kur nis interpretimi i krejt Korit, shpesh ndërpritet nga koristi Shaban Behramaj me pika të shkurtra interpretimi që i japin ngjyrë humori veprës së Ballatës, i cili ka qenë i pranishëm në koncert.

“Concerto Fantasy” e Rafet Rudit për violinë dhe kor ka nisur me zërat e lehtë të koristëve ku vokali nuk ndalon. Bashkohet edhe violina me interpretim të ndjeshëm. Një përshpejtim i tingullit i fton edhe gratë në interpretim. Violina në shoqërim të pjesës duhet se i shton ngjyra klasike pjesës liturgjike. Ka qenë minimaliste në disa pjesë. Zërat e sopranos Kaltrina Miftari dhe tenorit Rizah Jahaj shkëputen nga Kori dhe dominojnë derisa pjesa tjetër e formacionit i shoqëron. Nga një pikë tejet dinamike, kthehet përsëri në fillim, në pjesën minimaliste me violinë.

Image
Tejet atraktive ka qenë vepra korale “Humoreska” e Zeqirja Ballatës që është luajtur për nder të 80-vjetorit të lindjes së kompozitorit (Foto: Arben Llapashtica)

Kompozitori Rafet Rudi ka thënë se vepra përfshin momente nga historia e muzikës shqiptare.

“Është një vepër ku janë të përmbledhura disa momente nga historia jonë në kuptimin e muzikës së vjetër, që nga koha e Kukuzelit në shekullin XII dhe XIII, që i kam marrë disa motive që janë koincidente në muzikën tonë shqipe. Në anën tjetër, janë ndikimi apo vazhdimi i preokupimit tim me muzikën liturgjike arbëreshe dhe natyrisht, këngës sonë shqipe. Kalaja e Shkodrës është një prej temave që ngërthehet në tërë këtë vepër. Është vepër e gjatë, jo e zakonshme për literaturë, është koncert për violinë dhe kor”, ka thënë Rudi i cili gjithashtu e ka dirigjuar koncertin e së enjtes.

Pjesa “Concerto Fantasy” është shkruar në vitin 2011 enkas për violinisten Sihana Badivuku, e cila e ka luajtur mjeshtërisht edhe në koncertin në kishën katolike “Shën Ndou”.

Sipas kompozitorit Rudi, vepra përfshin detaje e motive të muzikës arbëreshe, ato të Jan Kukuzelit e të muzikës shqipe. I takon ciklit të veprave të kompozuara ndër vite. Ai e ka vlerësuar potencialin e Korit të Filharmonisë së Kosovës, duke thënë se ai “ka kompetencë të plotë të rreket me literaturë të madhe të autorëve botërorë e atyre vendorë”.

“Ka arritur nivel, viteve të fundit ka suksese të shumta me realizimin e veprave të mëdha. Praktikisht, ky kor duhet të ketë fizionominë që duhet ta ketë një kor filharmonik. Qoftë me programe a capella, qoftë me programe të veprave madhore vokalo-instrumentale”, ka vlerësuar Rudi.

Image
Pjesa “Concerto Fantasy” është shkruar në vitin 2011 enkas për violinisten Sihana Badivuku, e cila e ka luajtur mjeshtërisht edhe në koncertin në kishën katolike “Shën Ndou” (Foto: Arben Llapashtica)

Në shtator të vitit të kaluar, Kori kishte interpretuar një tjetër pjesë të ciklit “Afresk arbëresh” të Rudit. “Kurorë glëmbash” për soprano, kor, flaut dhe piano të kompozitorit të shquar kishte qenë vepër vokaliste e shoqëruar me instrumental.

Një pjesë korale e kompozitorit Eric Whitacre për kor, piano dhe perkusione ka nisur me zërat e shthurur në kombinim me ata të pandryshuar në vijë vokaliste. Loja e perkusioneve sjell lojë krejt tjetër. E trazon ritmin dhe e ndryshon rrjedhën e tij. Koristët nisin pjesën tjetër të veprës me performancë artistike me duar, lojë me gishtërinj e shuplaka të pakoordinuara. Në fund mbesin veç tingulli i kërcitjeve të gishtërinjve që sa shkojnë e shuhen. Në perkusione kanë luajtur Patris Berisha, Meriton Zajmi dhe Jetar Thaqi, ndërsa si solistë, basi Harris Bajraktari, tenori Etrit Nura dhe sopranoja Elona Sadiku. Me tinguj pianoje ka shoqëruar Andi Duraku.

“Është hera e parë që bashkëpunoj me profesor Rafet Rudin në një koncert ku ai dirigjon. Ishte e jashtëzakonshme puna me të, provat dhe gjithçka tjetër. Jam shumë i kënaqur me përzgjedhjen e programit. Besoj se u pa edhe te publiku që pas çdo pjese duartrokiste dhe e vlerësoi atë vepër”, ka thënë Duraku.

“Cantate domino” e japonezit Ko Matsushita ka qenë shumë harmonike. Është interpretuar edhe një herë të fundit pas duartrokitjeve të publikut.

Koristi Shaban Behramaj, i cili ka interpretuar në “Humoreska” të Zeqirja Ballatës, ka thënë se ka qenë interpretim sfidues për shkak të natyrës së veprës.

“Për mua ka qenë kënaqësi shumë e madhe të interpretoj ‘Humoreskën’ nga profesor Zeqirja Ballata, sepse ka qenë goxha sfiduese t’ia japësh tamam karakterin humoresk që e ka kjo vepër. Më duket se sonte publiku e priti shumë mirë. E kam dëgjuar këtë vepër prej vitesh, por kësaj here isha edhe solist në këndim, prandaj ishte kënaqësi e veçantë”, ka thënë Behramaj derisa ka konsideruar se vepra të tilla japin mundësi për paraqitje më të theksuar skenike. E ka vlerësuar shumë të rëndësishëm edhe bashkëpunimin me dirigjentin Rafet Rudi.

Image
Sivjet, prapë në mungesë të sallës, koncerti është dashur të mbahet në hapësirën e kishës me akustikë fantastike, por ku një numri të madh të publikut iu desh ta ndjekë koncertin në këmbë (Foto: Arben Llapashtica)

“Për mua ka qenë sfidë më vete, por diçka shumë e bukur të realizohet bashkë me profesor Rafet Rudin, dirigjenti i cili ka dhënë shumë indikacione të mira për mua dhe që më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë për të gjetur rrugën se si trajtohet vepra, sepse nganjëherë këto janë pika të shkurtra solo, por shumë të vështira të definohen dhe të gjendet se çfarë kërkohet nga vepra”, ka thënë Behramaj.

Filharmonia e Kosovës paraqitjet e fundit për këtë vit do t’i ketë më 16 dhe 17 dhjetor ku Orkestra do ta interpretojë suitën “The Nutcracker” të rusit Tchaikovsky në përcjellje të shfaqjes së Baletit Kombëtar të Kosovës, “Arrëthyesi”.