Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Kënga jehon për Qamilin e Vogël në 100 vjetorin e lindjes

Nuk ka mënyrë më të mirë për ta përkujtuar e nderuar Qamilin e Vogël sesa nëpërmjet këngëve të cilave ai u dha zë. Nëpërmjet tyre edhe shënoi historinë e muzikës popullore. Në 100-vjetorin e lindjes së tij, Gjakova ka bashkuar muzikantët në koncertin ku janë rikthyer disa prej perlave të atij që ishte sinonim i vetë muzikës së mirëfilltë.

Qamili i Vogël do të bëhej shpejt jo vetëm njëri prej zërave më të njohur të qytetit të Gjakovës, po do të jehonte edhe më tej. Kishte shkruar madje epitafin e tij, e më pas ajo do të kthehej në këngë. Për pasurimin e thesarit të këngës popullore e qytetare shqipe, vazhdon të kujtohet edhe sot.

Krijimtaria që ka lënë pas trashëgim e bën të pavdekshme figurën e tij. E madhështon ndër brezat e ardhshëm dhe rikthen nostalgjinë për këngën origjinale shqipe.

Në sallën e teatrit të qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu” janë shpalosur perlat e pavdekshme të Qamilit të Vogël. “M’agoi dita, n’breg t’njaj prroni” është kënduar nga Zenel Doli, “Kah dera të rashë me t’pa” nga Gent Haxhikadrija e “Dija dhe Shpendi” nga Fahrush Azemi.

“Unë kryesisht këndoj këngët e Qamilit të Vogël, Ismet Pejës, Ymer Rizës dhe shumë këngëtarëve që kanë lënë gjurmë në muzikën popullore kosovare në këtë rast, i këndoj me shumë ëndje. Janë perla të pazëvendësueshme, por duhet ditur edhe t’ia japim hakun natyrisht”.

Gjatë jetës së tij, Qamili i Vogël kishte bashkëpunuar me krijues nga të gjitha trevat shqiptare dhe kishte formuar shoqëri të ndryshme artistike muzikore. Qëllimi ishte përhapja e këngës së bukur shqipe.

Drejtori artistik i koncertit, Behar Arllati, ka paralajmëruar se 2023-a është viti i Qamilit të Vogël dhe se gjatë gjithë vitit do të ketë aktivitete të ndryshme, të cilat do të përmbyllen me monografinë kushtuar atij.

“Krijimtaria e tij ka qenë e stërmadhe, shumëdimensionale. Nuk mundemi dhe nuk kemi të drejtë të kufizohemi vetëm në krijimet e tij, por edhe në përhapjen e tyre. I pari në Kosovë ka filluar regjistrimin e këngëve në disqe vinyl. Kontributi i tij nuk përkon vetëm në krijimtari, por ka qenë i gjithanshëm dhe ne ia kemi borxh”.

Qamili i Vogël u ka kënduar edhe vuajtjeve të shqiptarëve ndër shekuj. E tillë ka qenë kënga “Prej shtëpisë kur jam dalë” të cilën e ka interpretuar Shkëlzen Jetishi – Xeni.

“Të këndosh në 100-vjetorin e lindjes së Qamilit të Vogël është kënaqësi dhe nder për ne. Qamili i Vogël është prej kantautorëve më të mëdhenj të muzikës shqipe, sidomos të një periudhe më të hershme, por Qamili ka lënë këto këngë që nuk besoj që ka këngëtar të këngës popullore në të gjitha trojet shqiptare që nuk i këndon. Pëlqehen edhe sot dhe duartrokiten gjithmonë nga ta”.

Kënga e dëlirë dhe e bukur shqipe, secila prej tyre më me kuptim se tjetra është shpalosur më tej duke sjellë në sallë harmoninë dhe harenë. E tillë ka qenë edhe ajo me titull “Hajde moj buzëburbuqe” të cilën e ka interpretuar Edi Furra.

“Gjakova i ka disa treva të veta të muzikës, fatmirësisht një prej tyre është stili i Qamilit të Vogël që ka zënë vendin e tij. Kënaqësia më e madhe është që dita-ditës po vetëdijesohen populli dhe gjeneratat e reja, po i kultivojnë dhe dëgjojnë sepse është një thesar”.

Janë interpretuar edhe elegjia “Pa trash’gim pasken’ kenë” e këngët “Për herë t’parë dashninë fillova”, “Të kam dashur dhe të due”, kënga kushtuar Isuf Myzyrit e “Dil njëherë moj vajzë e bukur”. Kjo e fundit dhe ajo me titull “Kah dera të rashë me t’pa” ka qenë dedikim për dashurinë e tij ndaj Sanije Vokshit.

Në heshtje kishte shkruar epitafin e vetes që më pas u regjistrua në këngë nga muzikanti Ylber Asllanaj. Ajo do të titullohej “Vjersha ime”.

Qamili i Vogël ishte prej këngëtarëve më emblematikë të shekullit të kaluar në të gjitha hapësirat shqiptare e më gjerë. Me zërin e tij të ngrohtë lirik të pastër i rrëmbeu të gjitha shtresat shoqërore jo vetëm te populli shqiptar por edhe më gjerë. Ai jo vetëm që këndonte bukur, por edhe më bukur shkruante.

Artikuj të ngjashëm