Jo rrallë Prizreni është vlerësuar si qytet i bashkëjetesës multietnike dhe koncerti “Diversiteti dhe trashëgimia kulturore përmes muzikës” ka qenë tjetër dëshmi të shtunën mbrëma. Këngët shqipe, turke, rome, boshnjake e gorane kanë bërë bashkë këngëtarët e këtyre komuniteteve në skenën e “Autostrada Biennale”. Grupi muzikor “Contemporary Ethno Orchestra” ishte dëshmi e shembull për tolerancën e bashkëjetesën ndëretnike. Tingujt e muzikës dhe vargjet e këngëve tradicionale të kthyera në versionin bashkëkohor kanë për qëllim ruajtjen e vlerave kulturore të komuniteteve.
Ritmi i muzikës e kënga në gjuhën amtare kanë qenë ilustrim e prezantim i kulturës para publikut. Feray Dervish, Egje Renda, Tolga Kazas, Fatih Qukiqi dhe Edis Galushi kanë interpretuar për të pranishmit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Projekti ka për qëllim përqafimin e të gjitha vlerave kulture që secila etni i jep në Kosovë. Sonte jemi duke festuar gjithë këto vlera që qytetarët ia japin Kosovës e shoqërisë tonë dhe për mua është nder të jem pjesë e këtij projekti. Në fakt, jo të gjithë jemi profesionistë të kësaj fushe, por jemi aktivistë që punojmë në ruajtjen e vlerave gjuhësore dhe kulturore dhe për këtë na është dhënë ky nder”, deklaroi Galushi.
Kënga shqipe është prezantuar nëpërmjet “O bylbyl” që është interpretuar nga Dhurata Rexhëbeqaj e “Moj Dilbere” nga Melis Bilibani. Ajo turke ka bërë bashkë në skenë ideatorin e koncertit me këngëtarin Tolga Kazas, i cili e ka vlerësuar kombinimin e këngës në dy gjuhë si simbol të bashkëjetesës së dy komuniteteve në Prizren.
“Unë këndoj përafërsisht 30 vjet në gjuhën turke, shqipe e angleze. Për ne është normale të këndojmë gjuhën turke në Prizren e në Kosovë në përgjithësi. Në Prizren është edhe traditë gjuha turke”, tha Kazas.
Të jashtëzakonshme e ka bërë atmosferën bendi i grupit “Contemporary Ethno Orchestra” me energjinë e tij. Artan Elshani në piano, Dukagjin Muhaxheri në saksofon, Granit Paqarada në bateri, Besnik Bobaj në klarinetë, Armend Shala e Fisnik Hoxha me lojë në kitarë dhe Xhemil Gjini në perkusione, e kanë elektrizuar secilin me muzikë.
Koncerti i grupit muzikor ka qenë në kuadër të projektit, nëpërmjet të të cilit synohet prezantimi i artit dhe trashëgimisë së komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ideatori i tij, Besmir Shishko, ka treguar se me koncertin e njëjtë ishin paraqitur edhe në jazz festivalin në Bingen të Gjermanisë në vitin 2019.
“Qyteti ynë Prizreni, pasurinë më të madhe e ka diversitetin kulturor, jetojnë shumë komunitete. Qëllimi im është që gjithë këto t’i përcjellin gjeneratat e reja, në mënyrë që të mos ketë paragjykime mes tyre, por edhe që ne shqiptarët dhe etnitë e tjera të njihemi me trashëgimitë kulturore të njëri-tjetrit”.
“Contemporary Ethno Orchestra” synon rritjen e anëtarëve të grupit dhe depërtimin e qëllimit të tij me pjesëmarrje në festivale e koncerte përtej Kosovës. Koncerti i së shtunës është përkrahur nga Ministria e Kulturës dhe “Autostrada Biennale” në Prizren.