Diskriminimi, sekregimi dhe shkelja e lirive elementare të njeriut, i shtyn në revoltim. Me art u kanë shpallur luftë, padrejtësive.
20 nxënës nga 20 trupa teatrore të shkollave fillore në 7 qytete të Kosovës, i bashkoi kampi artistik në një hapësirë artistike në një fshat piktoresk - Kukaj.
Në kohëzgjatje prej 4 ditësh, aktorët profesionistë të trupës rezidente të ArtPolis-it janë duke vazhduar të ofrojnë përvojën e tyre për artin skenik.
Në këmbim, ata po përballen me laramani tematikash të nxënësve, të cilat po duartrokiten fuqishëm nga mentorët e tyre.
“E kam pasur pozicionin e të shtypurës, ka qenë bullizëm rreth trupit. Pastaj jam ngritur dhe kam folur për veten”, ka thënë nxënësja Sara Deda.
Përveç bullizmit ndaj pamjes, në amfiteatrin në Kukaj, ka zënë vend edhe çështja e racizmit.
“Ka qenë shumë kundër personalitetit tim sepse unë jam kundër racizmit. Mirëpo, unë e kam pranuar që unë jam Tina, e kam pranuar rolin dhe kam arritur ta bëj atë skenë”, ka thënë nxënësja Suela Shkodra. “Është diçka më sfidese për shkak që është jashtë natyrës sime ky rol mirëpo ajo është e mira e të qenurit aktor sepse del nga zona e konfortit”, ka shtuar Erblina Luma.
Organizatorët thonë se kjo përvojë do të mbetet e paharruar për ta për shkak të kreativitetit të nxënësve nga klasa e 6-të e deri tek ajo e 9-të.
“Ky trajnim përfshin të gjitha praktikat brenda teatrit duke filluar nga skenari, roli, regjia, kustomagrafia. Këta nxënës e mësojnë se si krijohet një shfaqje dhe pastaj këtë njohuri që i fitojnë këtu e vazhdojnë me klubet e tyre bashkë me arsimtarët që janë kujdestarë të tyre”, ka thënë Venera Ismaili nga Artpolis.
Ndërkaq, aktorët po rikthehen në kohë, duke kujtuar fillimet e tyre përmes nxënësëve.
“Kënaqësia është shumë e madhe për shkak që përveç se mësojnë fëmijët, ata edhe kënaqen me trajnerët. Ne ndjejmë kënaqësi me punën me ta”, është shprehur aktori Elvir Gashi. “Temat janë përzgjedhur nga vet nxënësit. Kanë qenë 15 tema, pastaj ato që kanë marrë më së shumti vota kemi vendosur që t’i trajtojmë. Ata vet e kanë parë se janë tema që preokupohen me to”, ka shtuar aktori Mikel Markaj.
Kampi artistik përveç artit skenik, i kushtoi rëndësi të veçantë edhe ushtrimeve fizike, këndimit e vallëzimit si dhe aktiviteteve të tjera rekreative.