EXPRESS

I riu nga Vushtrria krijon brendin me rroba unike

“Në fillim nuk ka qenë shumë një mirëpritje e njerëzve dhe më kanë thënë ‘bëj fustane’, unë prapë se prapë kam vazhduar të punoj në atë që kam besuar dhe deri tani ka shkuar shumë mirë”, është shprehur i riu nga Vushtrria.

Nuk kalon asnjë ditë në të cilën Arbër Asllani nuk ndërvepron me makinën e qepjes. Aty e ndjen qetësinë dhe dinamikën e punës.

Nga dhoma e shtëpisë së tij, në Vushtrri, ai ka krijuar veshje unike që e bindën atë që ta zgjerojë punën e tij. Karaktere unike që lidhen me kujtimet e fëmijërisë tashmë janë bërë tok në mbajtësen e rrobave që ai i ka dizajnuar.

Izolimi dhe orët online u bënë shkas që Asllani ta zgjerojë horizontin e tij për të shprehur veçantitë e tij krijuese në brendin me emrin “23456 Faces”.

“’23456 Faces’ është një koncept i ri që ka dalë prej brendit edhe emri lidhet me konceptin. Kam mundur ta emëroj me emër timin, por kam vendosur t’i jap diçka më origjinale dhe më domethënëse. Si fëmijë, të gjithë kemi shikuar filma të animuar dhe jemi rritur me ta, e që konsideroj që ka qenë pjesa më e mirë e jetës. Por, pastaj duke u rritur shpesh e kemi krijuar ndonjë figurë duke u bazuar në numrat prej 2 deri në 6 dhe kemi krijuar ndonjë fytyrë në cep të fletores apo librit, andaj në krijimin e këtij brendi kam dashur që tërësisht të fokusohem në memorien që lidhet me rininë dhe fëmijërinë”, tregoi tutje ai.

Produktet që dizajnon ai bëjnë bashkë ngjyra e materiale të ndryshme. Studenti i Fakultetit të Dizajnit të Integruar deri tani ka krijuar kapele, çanta, bluza e këmisha më karakteristike.

“Të gjitha produktet që shihen i kam krijuar unë, janë punëdore dhe një produkt i vetëm, nuk ka pra dy produkte njësoj. E punoj çdo veshje ditore dhe e kam si një plan që çdo javë provoj të krijoj diçka të re prej secilit produkt”, ka shtuar tutje ai.

Materialet që dikur kishin një funksion krejt tjetër, Arbër Asllani i ka përdorur për të krijuar produkte të reja. Në këtë mënyrë, ai dëshiron ta rrisë vetëdijen për përdorimin e materialeve të ricikluara.

“Nuk ka qenë e vështirë që të grumbulloj rroba dhe materiale të vjetra. Secili prej nesh ka diçka që e gjuan gjithë kohën. Kam provuar të mbledh gjëra të familjes dhe kushdo që e njeh punën time, më kontakton kur ka rroba që nuk i përdor”, ka shpjeguar Asllani.

Asllani ka një mesazh për të gjithë që të guxojnë ta shprehin stilin e tyre në çfarëdo formë që ata e ndjejnë dhe kudo që gjejnë mbështetje.

I riu nga Vushtrria, në kuadër të brendit “23456 Faces”, do të sjellë edhe gjëra kreative në botën digjitale si: dizajnimi i GIF-s, Stickers dhe Instagram Filters. Po ashtu, planifikojnë të dizajnohen edhe produkte të veçanta si: kartolina e aksesorë të ndryshëm.

Dhoma është vendi prej nga do të nxjerrë dizajne të veçanta, derisa Asllani së shpejti synon ta hapë studion e tij.