EXPRESS

Flauta si formë medituese për Erëmira Çitakun

Liria në eksperimentim e karakterizon natyrën e saj prej muzikanteje.

Bota muzikore e Erëmira Çitakut e shtrirë në rryma të ndryshme muzikore, karakterizohet me shpërfillje të rregullave strikte. Ajo është përherë në hulumtim dhe eksperimentim të tingujve bashkëkohorë, raporton KOHA.

Dashuria e saj për instrumentin frymor zuri fill qysh në fëmijëri. Ndërsa periudha e studimeve gërsheton udhëtime e përvoja mes Prishtinës, Francës e Bullgarisë ku mori titullin magjistër dhe doktor në instrumentin e flautës.

“Unë nuk jam mjaftuar vetëm me Kosovën”, thotë ajo.

Projektet “Trekandshi” dhe “Shoshë" të Çitakut e dëshmojnë më së miri diapazonin e saj artistik. Pikërisht në këto projekte, Çitaku kishte hequr dorë nga rregullat.

Erëmira Çitaku është edhe drejtoreshë e festivalit “Tingujt e Falutës”, i cili vitin e ardhshëm shënon edicionin e dhjetë.

“Watercycles” titullohet projekti i saj i radhës që do të kurorëzohet me një performancë live dhe lansimin e web faqes së flautistes kosovare.

Muzika dhe loja në flaut është një formë medituese për Erëmirën.

Çitaku, e cila është profesoreshë në Fakultetin e Arteve edhe gjatë kohës së pandemisë po mban ligjërata me një numër të kufizuar të studentëve.

Tingujt e flautës së Erëmira Çitakut kanë rrugëtuar nëpër skena të disa vendeve evropiane, ndërsa për vitin 2021 e ka në plan ta realizojë edhe një koncert solistik.