Flautistja Erëmira Çitaku në projektin e saj të fundit ka bërë një ndërlidhje midis ciklit të ujit e shpërndarjes digjitale të muzikës. Projektit i ka dhënë formë duke përdorur muzikën, poezinë e videoinstalacione. Si një projekt multimedial, “Watercycle” u konsiderua udhëtim muzikor përrallor e meditues. Koncerti i është dedikuar flautistit dhe mjeshtërit të instrumenteve frymore tradicionale, të ndjerit Shaqir Hoti
Flautistja Erëmira Çitaku për projektin e saj të ri ka tërhequr një paralele midis dy botëve komplet të kundërta. Për videoperformancën “Watercycle”, që u dha të dielën mbrëma në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u frymëzua nga procesi i shpërndarjes së muzikës në platforma digjitale dhe cikli i ujit në natyrë. Koncerti iu dedikua flautistit dhe mjeshtërit të instrumenteve frymore tradicionale, të ndjerit Shaqir Hoti, i cili vdiq më 10 prill të këtij viti, në moshën 85-vjeçare.
“Watercycle” ishte dashur që të realizohej vitin e kaluar, mirëpo për shkak të pandemisë ishte shtyrë për sivjet. Vetë ideatorja e projektit Erëmira Çitaku ka thënë se ideja ishte që të përdoren sa më shumë motivet tradicionale.
“Në këtë rast kam përdorur frymorët, siç janë flauti dhe okarina. Kam nder që të luaj disa tinguj në okarinën e parë, të cilën e ka bërë i ndjeri Shaqir Hoti. Ajo shumë mirë përputhet me ë gjithë atë që kemi ndërtuar në muzikë, por kjo vepër nuk ka të bëjë vetëm me muzikën, është edhe një video e cila paraqet shumë pamje në lidhje me konceptin e ndërtuar”, ka thënë ajo.
Tingujt e okarinës e ato të flautit nga Çitaku, shoqëruar nga Zane Abazi, Hysnije Latifi e Yllka Simnica ishin vetëm një anë e këtij koncerti. Ana tjetër ishte një poezi e shkruar nga vetë flautistja e që u interpretua si këngë jugu, duke thyer kështu interpretimin klasik e duke e bërë edhe më të dallueshme tradicionalen krahas eksperimentales.
“Lëre mllefin e syve të pranojë rrjedhën e lumit, lërë urrejtjen të kthehet në paqe pas valëve të oqeanit, lëre besimin të mbrojë shpellat e mendjes që të shpien në dritë, lëri ngjyrat e muzikës të të përqafojnë me gëzimin e dashurisë”, ishin fjalët që u interpretuan në shqip nga Donikë Dugolli dhe në anglisht nga tenori Luan Durmishi.
Erëmira Çitaku: “Kam nder që të luaj disa tinguj në okarinën e parë, të cilën e ka bërë i ndjeri Shaqir Hoti...” (Foto: Arben Llapashtica)
Durmishi ka thënë se “Watercycle” është një balancim i duhur midis teknologjisë dhe natyralitetit të tokës.
“Është një muzikë e cila është komplet medituese dhe jashtëzakonisht e bukur e që është ndryshe prej projekteve të tjera që Erëmira i ka bërë në bashkëpunim me mua dhe Liburnin (Jupolli), pasi që një kohë të gjatë ne jemi treshe e muzikës kontemporane ose eksperimentale”, ka thënë Durmishi. Ka theksuar se brenda këtij projekti ka shumë emocione të secilit prej tyre, e ka potencuar se treshja e tyre – Erëmira Çitaku, Luan Durmishi e Liburn Jupolli – gjithmonë në projektet e tyre mundohen të sjellin diçka të re.
E gjithë performanca është shoqëruar me një video të realizuar nga Lum Çitaku, që ka 15 vjet përvojë në arte vizuale. Oqeane, dete e lumenj ishin vetëm disa prej pamjeve që ofroheshin e që ishin një udhëtim më vete vizual. Kësisoj shikuesit mund të dëgjonin muzikë, por edhe të shihnin njëkohësisht diçka vizuale. Bashkë jepej një imazh i plotë.
Kompozitori Liburn Jupolli, i cili u paraqit në piano, ka thënë se brenda këtij projekti kanë gërshetuar elemente të “world music”, pak një pjesë eklektike, ka edhe improvizim a muzikë ambientale.
“Edhe siç është edhe njeriu nga elementet kyç të veprimtarisë së Ermirës që është marrja e elementeve shumë specifike prej traditës sonë folklorike dhe trajtimit në kuadër të estetikave”, ka thënë ai. Për Jupollin, ky ishte koncerti i parë pas pandemisë, kështu që ka thënë se është i lumtur që iu rikthye bashkëbisedimit me publikun nëpërmjet muzikës.
“Ermira është një prej personave më imagjinativë të skenës së muzikës klasike, në mes të klasikes dhe eksperimentales. Ka shumë fantazi, ka shumë hapësirë, ka shumë tregim, ka poezi. Do të thotë janë elemente që do të arrije t’i shihje ndoshta në një përrallë ose kur viziton një muze”, ka thënë ai, duke potencuar se muzika dhe kryesisht idetë e Ermirës janë mjaft vizuale.
“Watercycle” vjen si udhëtim muzikor përrallor e meditues (Foto: Arben Llapashtica)
Flautistja u ka dhënë mundësi të pranishmëve, por edhe disa të rinjve të përfshirë në projekt që të shihnin një botë tjetër. Koncerti ishte një ikje nga repertori klasik duke shpalosur një përvojë goxha interesante.
Edhe për këngëtaren Donika Dugolli kjo ishte hera e parë që u bë pjesë e një projekti të tillë multimedial.
“Është hera e parë që po marr pjesë në projekte të tilla që janë multimediale, por e kam gjetur veten shumë mirë. Kam marrë pjesë me shumë kënaqësi në këtë projekt pasi që është multimedial, videoperformancë dhe është shumë interesant koncepti dhe e bën me të veçantë fakti se i dedikohet të ndjerit Shaqir Hoti”, ka thënë Dugolli, e cila ka kryer studimet bachelor në Degën e Pedagogjisë Muzikore në Fakultetin e Arteve.
Para “Watercycle”, projekti i fundit autorial i flautistes Erëmira Çitaku ishte audio-CD-ja me titullin “Trekandshi” e lansuar në vitin 2018. Ajo njihet për improvizim muzikor, të cilin e kombinon me veprat multimediale dhe videoperformanca, ngjashëm si te “Watercycle”.