Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

Filharmonia me mesazh paqeje e bashkimi për pavarësi

Vepra “Hyland” e kompozitorit maltez Joseph Vellas nuk ka qenë e veçantë vetëm për interpretimin e saj premierë, pikërisht në koncertin festiv të Filharmonisë për Pavarësinë e Kosovës. Ajo ka harmonizuar mesazhe paqeje e bashkimi dhe ky ka qenë mesazhi që e ka përmbledhur në koncertin e së enjtes, të dirigjuar prej amerikanit David Hayes.

Orkestra, Kori e solistët sollën ngjyra liturgjike në interpretim nën dirigjimin e amerikanit David Hayes. Sopranoja Adelina Paloja, tenori Klodian Kaçani, altoja Françeska Pjetri, baritoni Erion Sheri, basi Xhieldo Hyseni shpalosën paletën muzikore në koncertin që u mbajt me mbështetjen e veprimtarit e aktivistit Xhim Xhema.

Perkusionet kanë qenë prej simbolikave kryesore të formatit të veprës të cilat kanë ngjarë në tinguj kambanash që sa kanë rënë kanë ndërprerë ato të violinave. Notat e larta në interpretim të solistëve janë përcjellë me muzikën dinamike të Orkestrës në sfond.

Tingujt e butë të violinës i kanë paraprirë interpretimit të Korit që ka ngjarë në liturgji, por në të njëjtë kohë mesazhi është përcjellë nëpërmjet vetë interpretimit. Në disa prej pjesëve ka qenë si kronologji e ngritjes së intensitetit që buçet në momentin më kritik të tij, gjë në të cilën ka gjetur mbështetjen e tupanit.

Mjeshtëror ka qenë drejtimi i formacionit në skenë nga dirigjenti amerikan David Hayes për të cilin ka qenë hera e parë të punonte me Filharmoninë e Kosovës.

“Vepra ishte e kompozuar 10 vjet më parë. Zotëri Christopher Hyland e ka porositur nga kompozitori Joseph Vella. Është vepër që ka të bëjë me paqen dhe bashkimin e njerëzve. Është kombinim i teksteve të ndryshme, poezive dhe gjërave të tjera që përfshihen. Ideja ishte të reflektonim në humanitet, paqen mes njerëzve dhe ky ishte mesazhi qe deshëm të përcillnim në 15-vjetorin e Pavarësisë”, deklaroi Heyes.

Adelina Paloja që magjishëm ka hedhur dritë në pjesë të meshës “Hyland” e ka vlerësuar veprën si premierë historike.

“Një premierë do të thosha historike, sepse vetë historia e saj është e tillë duke ngërthyer më vete edhe njerëz që kanë kontribuar për historinë e Kosovës. Edhe vepra si e tillë promovon paqe nëpër botë. Një vepër shumë delikate dhe e shkruar në mënyrë moderne, jo e lehtë teknikisht për ta interpretuar, por e mora me shumë kënaqësi dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme emocionale e profesionale. E mora me kënaqësi detyrën, andaj emocioni është i jashtëzakonshëm”, tha Paloja.

Tenori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, Klodian Kaçani, është shprehur i nderuar të interpretonte në koncertin me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë. Ka qenë hera e parë për të të ndajë skenën bashkë me Filharmoninë e Kosovës.

“Jam i nderuar që jam pjesë e kësaj feste të Pavarësisë. Ishte mbrëmje fantastike duke prezantuar për herë të parë në Kosovë meshën ‘Hyland’. Jam i lumtur që Kosova po afrohet më shumë me Operën, me muzikën klasike, shpresoj që sa më parë të bëhet teatri i operës dhe të kemi një skenë dinjitoze për gjithë artistët e Kosovës”

Në interpretim të pjesës “L’Idee de Dieu” ka interpretuar në frëngjisht në zë soprano djalë, Nard Gllavurda me vokal të lehtë e të butë.

“Kam mbetur pa emocione dhe kam imagjinuar që nuk ka asnjë njeri që të mos kem emocione. Do të doja prapë të interpretoja me Filharmoninë e Kosovës”.

Filharmonia e Kosovës do të interpretojë për herë të parë në Klinë më 22 shkurt, kur do të mbajë koncert në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje”.

Artikuj të ngjashëm