Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

“Feminizmi në art” me mesazh për rolin e gruas

“Feminizmi në art” ka bashkuar nëntë artistë të rinj në atë që cilësohet edhe si aktivizëm me art. Ekspozita e hapur në “Kultplus Caffe Gallery” sjell këndvështrime të ndryshme në përkrahje të kauzave për gratë. Si një mozaik, veprat thurin mesazhe e kauza, sikurse nderojnë edhe figura të shquara artistesh e aktivistesh.

Kuratorja e ekspozitës Diella Valla është njëherësh edhe ideatorja e projektit. Në secilën prej nëntë veprave të shpërndara nëpër katër muret e galerisë “Kultplus” shpalosen profile të ndryshme grash, si nga jeta reale apo edhe ato të krijuara nga vetë artistët, por që në thelb përçojnë mesazhe për rolin e gruas.

“Kjo ekspozitë së pari ka të bëjë me festën e 8 Marsit dhe titullohet “Feminizmi në art”. Gjithsej janë të përfshira 9 piktura përkatësisht jemi koncentruar në mediumin artistik të pikturës ku janë 9 artistë që kanë sjellë vepra që kanë të bëjnë me simbolikën e gruas. Kjo ekspozitë e avokon jo vetëm 8 marsin si një ditë të gruas por avokon edhe barazia gjinore, të drejtat dhe në të njëjtën kohë kemi të bëjmë me përfshirjen e tabuve të ndryshme nëpërmjet figurave të shumta. E vërejmë se pjesa më e madhe e pikturave përfshijnë portrete, autoportrete dhe figuracione”.

Njëra nga pjesëmarrëset e në këtë ekspozitë, Debora Hetemi, ka përzgjedhur një pikturë tejet të veçantë. Ka pikturuar një vajzë mbi zebër.

“Unë figurat e gruas i kam goxha të spikatura në pikturat e mia. Mund të vërehet goxha sikurse kjo që kam përzgjedhur për ta ekspozuar këtu. Arsyeja se pse e kam vendosur zebrën ka qenë për shkak se duke e vlerësuar gruan si shumë të veçantë për karakterin që ajo ka në anën tjetër e kam par zebrën e cila është shumë e veçantë si gjallesë për shkak të vijave që ka dhe për faktin se çdo zebër dallon nga tjetra për shkak të vijave. Asnjëra nuk ka vija të njëjta në trupin e tyre. Kështu kam vendosur që çdo karakteristikë që e veçon zebrën me vendos në pikturë edhe me i vendos gruan dhe zebrën si dy qenie kaq te veçanta”.

Për të përçuar mesazhin e një gruaje të fuqishme, Albiona Berisha ka përzgjedhur ta portretizojë miken e saj, njëherësh kuratoren e ekspozitës.

“Diellën para së gjithash e kam një shoqe shumë të dashur dhe kam menduar me e punu atë si portret. Të paktën që edhe nëpërmjet një imazhi me mbet gjallë, një artiste që i premton shumë artit kosovar”.

Nuk ka kontraste në portretizimin e grave as kur autori i veprës është nga gjinia tjetër. Eris Havolli ka sjellë portretin e ikonës së feminizmit, Frida Kahlo.

“Arsyeja se pse unë e kam zgjedhë Fridën për ta ekspozuar sot më 8 mars është se ajo ka qenë një artiste që ka thyer shumë tabu me artin e saj”.

“Është ekspozita e dytë kolektive në të cilën marr pjesë. Është emocionuese duke e ditë sidomos arsyen se përse po mbahet dhe po shpresoj që nëpërmjet artit kemi me mbërri mi luftu ca gjëra që po e pengojnë shoqërinë”.

Ekspozita “Feminizmi në art” do të qëndrojë e hapur dy javë.

Artikuj të ngjashëm