EXPRESS

“FemArt” nis maratonën me “Kalle tutën”

Me thirrjen “Kalle tuten” ka nisur edicioni i 11-të i festivalit “FemArt”. Mbrëmja e së martës bëri bashkë figura të jetës kulturore në vend dhe para tyre solli shfaqjen “Fefu dhe shoqet e saj”, si pikënisja e shtatë ditëve plot ngjarje në kuadër të festivalit. Shfaqjes i parapriu interpretimi emocional i këngës me titull “Kalle tutën”, interpretuar nga Zana Berisha, përcjellë me kitarë nga Urim Maliqi.

Hapësira e “Menzes Ramiz Sadiku” ka qenë e vogël për krejt të pranishmit. Zana Hoxha, drejtoreshë e “Artpolisit” që e organizon festivalin, ka thënë se publiku i “FemArt” është fantastik dhe e ka bërë të lumtur në natën e hapjes së festivalit.

“Të gjitha kishim emocione sonte, aktoret, regjisorja e edhe publiku. Po më duket e kemi kallë tutën sonte ne si ‘FemArt’ se filluam sonte. Ajo frika që a po fillon mirë, a po ndodhë diçka papritur, por jam shumë e lumtur sepse ‘FemArt’ e ka publikun fantastik edhe me këtë numër të jashtëzakonshëm jam e lumtur që filluam kaq fuqishëm dhe po shpresoj që kështu të vazhdojmë gjatë 7 ditëve në Prishtinë dhe Mitrovicë. Janë 28 ngjarje, 15 shtete që prezantohen dhe janë rreth 200 artiste dhe aktiviste nga vende të ndryshme te botës”.

Shfaqja “Fefu dhe shoqet e saj” erdhi nën regji të Arlinda Morinës me trupën e aktoreve të “Artpolis”.

Fefu, një grua e moshës së mesme, i fton për darkë shoqet e saj. Ato vijnë të hareshme, të lumtura dhe plot ambicie për jetën. Mbrëmja e tyre merr një kthesë dramatike kur ato përfundojnë duke treguar rrëfimet e tyre të pakëndshme që sistemi patriarkal e toksik u ka ofruar atyre gjatë jetës.

Morina ka thënë se edhe gjatë provave ka qenë sfiduese, pasi që ky tekst, sipas saj, shpërfaq një copëz vuajtjeje të secilës grua.

“Ka qenë aq e vështirë për arsye se të gjitha gratë që kanë qenë në shfaqje kemi pasur një vaj brenda vetes që na ka shpërthyer shpeshherë, për arsye se gjithmonë je i duke dashtë ta bëjmë komedi brenda vuajtjeve tona duke qenë shumë morbid me veten tonë, duke mos mund të themi asnjë fjalë kundër patriarkatit edhe mendimin tonë me e çuar përpara. Me këtë shfaqje kam hulumtuar edhe e kam parë që gratë kanë çfarë të thonë dhe kanë çfarë të dhurojnë. Të paktën e kanë dashurinë që reflekton në çdo mënyrë dhe në çdo formë”.

Donikë Ahmeti e portretizon Xhulian në shfaqje. Ajo është në karrocë si simbol i dorëzimit të saj ndaj shoqërisë patriarkale. Ahmeti ka thënë se fundi i shfaqjes së dhënë premierë të martën mbrëma është ndryshe nga teksti origjinali i Jules Aaron dhe María Irene Fornés.

“Unë për vete, karakteri im në këtë shfaqje e përfaqëson një grua e cila në njëfarë mënyre i është dorëzuar shoqërisë patriarkale, por në fund më ndihmën e shoqeve të saj, të gjitha së bashku ngritën”.

Në audiencë në natën e parë të “FemArt” ishte sociologia Rina Brahimi. Ka thënë se hapja e “FemArtit” me këtë shfaqje ishte e qëlluar.

“’FemArt’ e kam përcjellë edhe më herët, në edicionet e kaluara. Mendoj se kësaj here me zgjedhjen e kësaj shfaqjeje që e ka bërë Arlinda, kanë qëlluar shumë saktë për shkak që e prek një tematikë shumë të madhe sociale të cilën jemi duke e përjetuar edhe në bazë të kësaj hapjeje po besoj që pritshmëritë janë të mira sa i përket festivalit”.

E teksti i fuqishëm është ajo çfarë i ka lënë përshtypje aktivistes Luljeta Aliu.

“Sigurisht që shumë mirë. Pati shumë interesim nga publiku siç e pamë të gjithë. Teksti ka qenë shumë i fuqishëm, ndonjëherë edhe provokativ po them për shoqërinë tonë, për mënyrën tonë të komunikimit. Në disa pjesë kisha përshtypjen që publiku as nuk kishte guxim të qeshte. Natyrisht që deri tani ‘FemArt’ i ka pasur gjithmonë të qëlluara temat e këtë e ka mirëprit edhe publiku”.

Janë 28 ngjarje, 15 shtete që prezantohen dhe rreth 200 artiste dhe aktiviste nga vende të ndryshme të botës në javën e “FemArt”, që mbahet në Prishtinë dhe Mitrovicë.