EXPRESS

Fan Noli kompozitor harmonizohet me muzikën e re

Koncerti i Filarmonisë së Kosovës ka bashkuar epoka të muzikës klasike shqiptare: nga Rilindja me “Rapsodi shqiptare” të Fan Nolit e deri më sot, me “Koncertin për piano” të Dafina Zeqiri-Nushit. Të dyja kanë qenë premiera absolute. Romantizmi është prekur me një prej kryeveprave të muzikës simfonike – “Simfoninë nr.1” – të gjermanit Johannes Brahms.

Veprat e interpretuara nga Orkestra e Filarmonisë lidhen në koncertin madhështor ku, sërish, kontrasti i krejt kësaj është hapësira ku institucioni akordon tingujt për vepra madhore e muzikantë prestigjiozë.

E para vepër e interpretuar në sallën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet, e ka sjellë figurën poliedrike të shkrimtarit, veprimtarit, teologut e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fan Noli, në një tjetër dimension prej intelektuali: atë të kompozitorit.

Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, me interpretimin e veprës “Rapsodi shqiptare”, ka sjellë një pjesë të trashëgimisë së muzikës klasike shqiptare. Motivet e muzikës popullore, veçmas ngjyrat e polifonisë së jugut, e bëjnë identitare këtë vepër. Ngjan se kompozitori ka ndërtuar rrëfimin muzikor nga traditat e trevave të ndryshme shqiptare.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, e ka konsideruar veprën “Rapsodi shqiptare” si interesante, për nga përfshirja e elementeve të muzikës tradicionale.

“Një vepër shumë interesante që ngërthen në vete elemente të muzikës tradicionale, evropiane, me gërshetim të motiveve popullore shqiptare, veçanërisht të polifonisë së jugut. Siç e dimë, Fan Noli ka qenë intelektual i shumanshëm dhe ndoshta shumë pak njerëz e njohin si kompozitor, si muzikolog”.

Fan Noli ka një repertor muzikor me veprat: “Skënderbeu” për orkestër të plotë, “Gaspari i varfër” për tenor e orkestër, himne kishtare e të tjera.

“Koncerti për piano”, i kompozitores Dafina Zeqiri-Nushi, ka qenë gërshetim i tingujve bashkëkohorë në strukturën e veprës klasike. Tensioni është që në fillim të saj edhe shkon duke u rritur. Tingujt e pianos janë pa ritëm dhe me raste të çakorduara. Magjinë ia japin ata të ksilofonit. Vepra kulmon kur krejt instrumentet bëhen bashkë dhe sjellin interpretimin tejet serioz që përcjell ngjarjet dramatike në të.

Në repertorin e saj muzikor, “Koncerti për piano” ka qenë e para vepër që ia dedikon pianos.

Drejtori Baki Jashari e ka konsideruar veprën me qasje avangarde e të kompletuar sa i përket gjithëpërfshirjes së Orkestrës në lojë.

“Spikatet në veçanti, orkestrimi shumë interesant, i kompletuar, gjitha sektorët e Orkestrës Simfonike kanë qenë të trajtuara mirë në aspektin kompozitorial dhe natyrisht loja brilante e pianistit tonë të mirënjohur Misbah Kaçamaku, i cili e rrumbullakoi këtë premierë”.

Vepra nis me një zhurmë sikur tingujt burojnë nga thellësia dhe loja minimale e instrumenteve solo vjen si test. Në interpretim të veprës në tri kohë pianisti i mirënjohur Misbah Kaçamaku, ka qenë në krye të detyrës. Ai i është referuar Zeqiri-Nushit si e para kompozitore në vend, ndërsa është shprehur se ndihet i privilegjuar që ka luajtur veprën e saj si solist.

Dirigjenti izraelito-gjerman, Maayan Franco, për të tretën herë ka drejtuar Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës. Veprat premierë të Fan Nolit e atë të Dafina Zeqiri-Nushit i ka vlerësuar të mahnitshme për mënyrën se si janë ndërtuar në strukturë.

“Noli është figurë shumë interesante. Ishte shkrimtar, politikan, tani e zbuluam edhe si kompozitor. Ka disa detaje specifike që e bëjnë veprën shumë të bukur. Dafina gjithashtu është shumë e talentuar. Mënyra se si ka shkruar pjesën për piano është e mrekullueshme dhe ka disa pjesë të veçanta dhe magjike në veprën e saj”.

Në pjesën e dytë të programit është interpretuar “Simfonia No.1 in C-minor, op.68”, e kompozitorit gjerman Johannes Brahms. Vepra është sjellë e plotë dhe është interpretuar për rreth 45 minuta në katër kohë. Ajo fillon me një zhurmë të turbullt që mbledh forcë me tinguj emocionues.

Koncertin e radhës, Filarmonia e Kosovës do ta mbajë më 22 mars nën drejtimin e dirigjentit francez Aurélien Azan Zielinski. Si soliste do të paraqitet violonçelistja Aurélienne Brauner, po ashtu nga Franca. Me këtë koncert, Orkestra e Filarmonisë së Kosovës premton një përjetim të rrallë muzikor.