Kulturë

Fan Noli kompozitor harmonizohet me muzikën e re të Kosovës

Orkestra e Filharmonisë e Kosovës ka sjellë dy vepra premierë në koncertin e së premtes mbrëma. Njëra prej tyre krejt e veçantë dhe historike. Me “Rapsodi shqiptare”, Fan Noli është ngjallur si kompozitor e në koncert është harmonizuar me “Koncerti për piano” të Dafina Zeqiri-Nushit, që sjell tingujt e muzikës klasike e bashkëkohore. Si kurorëzim i koncertit dirigjuar prej Maayan Francos me solist Misbah Kaçamakun në piano, ka qenë “Simfonia nr.1” e Brahms. E ky koncert ka qenë një lloj paralajmërimi për sjelljen e katër veprave të Nolit deri në fund të vitit

Koncerti i Filharmonisë së Kosovës ka bashkuar epoka të muzikës klasike shqiptare. Nga Rilindja me “Rapsodi shqiptare” të Fan Nolit e deri më sot, me “Koncertin për piano” të Dafina Zeqiri-Nushit. Të dyja kanë qenë premiera absolute. Romantizmi është prekur me një prej kryeveprave të muzikës simfonike – “Simfoninë nr.1” – të gjermanit Johannes Brahms. Veprat e interpretuara nga Orkestra e Filharmonisë lidhen në koncertin madhështor ku, sërish, kontrasti i krejt kësaj është hapësira ku institucioni akordon tingujt për vepra madhore e muzikantë prestigjioz.

Filharmonia e Kosovës, si institucion shtetëror i muzikës klasike, sjell përherë program të ri për publikun, me të cilin edhe zgjeron repertorin e saj. Të premten mbrëma koncerti ka qenë i rezervuar për veprat premierë të kompozitorëve shqiptarë dhe jo vetëm. E para vepër e interpretuar në sallën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet, e ka sjellë figurën poliedrike të shkrimtarit, veprimtarit, teologut e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fan Noli, në një tjetër dimension prej intelektuali: atë të kompozitorit.

Vepra identitare e Nolit – thesar i muzikës klasike shqiptare

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me interpretimin e veprës “Rapsodi shqiptare” ka sjellë një pjesë të trashëgimisë së muzikës klasike shqiptare. Motivet e muzikës popullore, veçmas ngjyrat e polifonisë së jugut, e bëjnë identitare këtë vepër.

Elementet e folklorit janë të qarta kur nxirren tinguj nga tamburini e tupani që dominojnë në disa pjesë të veprës. Klarineta luan një pjesë solo që e përforcon ngjyrimin e veprës. Ngjan se kompozitori ka ndërtuar rrëfimin muzikor nga tradita e trevave të ndryshme shqiptare.

Organizatori i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka bërë të ditur se literaturën e kanë siguruar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, por se u është dashur të përpunojnë partiturat e veprës. Janë katër vepra të Nolit të cilat Filharmonia planifikon t’i sjellë sivjet.

“Katër vepra simfonike që i kemi në dispozicion të shkruara nga Noli në kohën kur ai ka jetuar dhe studiuar në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kemi planifikuar t’i fusim në repertorin e Filharmonisë pas botimit që është bërë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në Shqipëri është interpretuar njëra nga këto vepra – ‘Uverturë bizantine’. Për ‘Rapsodi shqiptare’ kjo është premierë”, ka thënë Selimaj.

Ai ka bërë të ditur se veprat kanë ardhur deri te Filharmonia si rrjedhojë e punës së kompozitorit Vasil Tole, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sipas tij, literatura muzikore shqiptare, përfshirë veprat e Nolit, nuk është ruajtur si duhet.

“Vepra është e rëndësishme sepse ne nuk kemi shumë kompozitorë të shekullit XX. Noli përtej figurës si shkrimtar, politikan, klerik, vjen edhe në dimensionin e kompozitorit dhe personalisht e shoh të jashtëzakonshëm pasi vërejmë një stil neoklasik por që ka për inspirim ndoshta Beethovenin, por që vjen me tema të muzikës shqiptare. Duhet të studiohet edhe më shumë, por kjo do të ndodhë në rast se ne do ta trajtojmë atë si kompozitor”, ka thënë Selimaj.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, e ka konsideruar veprën “Rapsodi shqiptare” si interesante për nga përfshirja e elementeve të muzikës tradicionale.

“Një vepër shumë interesante që ngërthen në vete elemente të muzikës tradicionale, evropiane, me gërshetim të motiveve popullore shqiptare, veçanërisht të polifonisë së jugut. Siç e dimë, Fan Noli ka qenë intelektual i shumanshëm dhe ndoshta shumë pak njerëz e njohin si kompozitor, si muzikolog”, ka thënë Jashari.

Image
“Koncerti për piano” i kompozitores Dafina Zeqiri-Nushi ka qenë gërshetim i tingujve bashkëkohorë në strukturën e veprës klasike. E luajtur mjeshtërisht nga Misbah Kaçamaku, vepra çmohet për autoktoninë e saj (Foto: Arben Llapashtica)

Fan Noli ka një repertor muzikor me veprat: “Skënderbeu” për orkestër të plotë, “Gaspari i varfër” për tenor e orkestër e himne kishtare e të tjera.

“Ndër punimet e tjera të Nolit, vlen përmendur edhe ‘Psalmi 137’, ‘Anës lumenjve të Babilonisë’, ‘Sonatën në tri kohë’ për violinë e piano; ‘Uverturën bizantine’ dhe kontributet e tij për liturgjinë ortodokse me ‘Hymnoren’, Boston, mars 1936. Veprat e tij për orkestër simfonike ‘Skënderbeg’,’Rapsodi Shqiptare’ dhe ‘Gaspari i varfër’, për tenor dhe orkestër janë tipike për sa u përket përsiatjeve tona”, ka shkruar akademiku Vasil Tole për Fan Nolin.

Qasja avangarde e Dafina Zeqiri-Nushit në vepër klasike

“Koncerti për piano” i kompozitores Dafina Zeqiri-Nushi ka qenë gërshetim i tingujve bashkëkohorë në strukturën e veprës klasike. Tensioni është që në fillim të saj dhe shkon duke u rritur. Tingujt e pianos janë pa ritëm dhe me raste të çakorduara. Magjinë ia japin ata të ksilofonit. Vepra kulmon kur krejt instrumentet bëhen bashkë dhe sjellin interpretimin tejet serioz që përcjell ngjarjet dramatike në të.

Në repertorin e saj muzikor, “Koncerti për piano” ka qenë e para vepër që ia dedikon pianos.

“Për instrumentin e pianos është koncerti i parë. Kam shkruar më parë për violinë, për çello, por i pari në këtë informacion me pianon në qendër. Është vepër më bashkëkohore, përmblidhet edhe pak tradicionalja. Ka teknika, efekte, ngjyra që janë trajtuar më shumë nga kompozitorët e shekullit të 20-të, 21-të”, ka thënë kompozitorja Dafina Zeqiri-Nushi, e cila është shprehur e kënaqur me interpretimin e veprës.

“Solisti është në qendër, i cili ka interpretuar shumë mirë. Po ashtu, edhe nga Orkestra e dirigjenti kam përshtypje shumë të mira në interpretim. Është realizuar mjaft kompakte dhe shpresoj që t’i ketë pëlqyer publikut. Është vepër në tri kohë të ndara me temp dhe besoj se është mjaft karakteristike”, ka thënë Zeqiri-Nushi.

Drejtori Baki Jashari e ka konsideruar veprën me qasje avangardë e të kompletuar si i përket gjithë përfshirjes së Orkestrës në lojë.

“Spikatet në veçanti orkestrimi shumë interesant, i kompletuar, gjitha sektorët e Orkestrës Simfonike kanë qenë të trajtuar mirë në aspektin kompozitorial dhe natyrisht loja brilante e pianistit tonë të mirënjohur Misbah Kaçamaku, i cili e rrumbullakoi këtë premierë”, ka thënë ai.

Profesoresha e pianos, Besa Luzha, e ka vlerësuar veprën interesante. Ka theksuar kontrastin e veprave në raport me hapësirën ku janë interpretuar.

“Vepra e Dafina Zeqirit ishte shumë interesante. Kisha përshtypje, dhe ashtu doli të jetë, që është zgjedhur qëllimshëm që pas veprës së saj të interpretohet edhe ‘Simfonia...’ e Brahmsit, pasi pati një motiv të ngjashëm. Simfonia e Brahmsit natyrisht ishte madhështore. Përkrah janë edhe kushtet në këtë sallë që vazhdojnë të mos jenë të dinjitetshme. Megjithatë, Orkestra ia doli të na japë atmosferën e duhur”, është shprehur Luzha.

Image
“Noli është figurë shumë interesante. Ishte shkrimtar, politikan, tani e zbuluam edhe si kompozitor. Ka disa detaje specifike që e bëjnë veprën shumë të bukur. Dafina gjithashtu është shumë e talentuar. Mënyra se si ka shkruar pjesën për piano është e mrekullueshme dhe ka disa pjesë të veçanta dhe magjike në veprën e saj”, ka thënë dirigjenti Maayan Franco (Foto: Arben Llapashtica)

Vepra nis me një zhurmë sikur tingujt burojnë nga thellësia dhe loja minimale e instrumenteve solo vjen si test. Të pianos së Kaçamakut shkojnë duke u shuar. Tingujt që nxirren nga përshkimi lart-poshtë me dorë në telat e instrumenteve ka qenë një moment i veçantë e unik i lojës. Ndaj zhvillimeve në vepër, pozicioni i pianos është e palëkundur.

Në interpretim të veprës në tri kohë – “moderato”, “adagio” dhe “presto” – pianisti i mirënjohur Misbah Kaçamaku, ka qenë në krye të detyrës. Ai i është referuar Zeqiri-Nushit si e para kompozitore në vend, ndërsa është shprehur se ndihet i privilegjuar që ka luajtur veprën e saj si solist.

“Dafina mund të them se është kompozitorja e parë grua e jona. Vepra është shumë ekstravagante, siç e quaj unë është gati neoklasike, kështu që nuk është aq e vështirë të lexohet, të interpretohet po. Do të doja të mos jetë kjo hera e fundit që luhet vepra. Për momentin e ka vetëm një koncert për piano e orkestër dhe fatmirësisht më ka zgjedhur mua ta interpretoj. Ndihem krenar për këtë’, ka thënë Kaçamaku.

Sipas tij, kompozitorja Dafina Zeqiri-Nushi e ka stilin e saj autokton, ndërsa ka vlerësuar se vepra “Koncert për piano” ka një feminitet përbrenda.

“Dafina e ka një stil të vetin, autokton, nga gjithë gjenerata e re, e ka gjuhën e vet, njësoj sikur Kreshnik Aliçkaj dhe Drinor Zymberi. Është interesante se të luash këta tre kompozitorë duket se po luan tre kompozitorë nga tre shtete të ndryshme, nuk kanë asgjë të përbashkët. Vepra e Dafinës e ka një feminitet brenda dhe duhet pasur një qasje të duhur”, ka thënë pianisti Kaçamaku.

Dirigjenti izraelito-gjerman Maayan Franco, për të tretën herë ka drejtuar Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Veprat premierë të Fan Nolit e atë të Dafina Zeqiri-Nushit i ka vlerësuar të mahnitshme për mënyrën se si janë ndërtuar në strukturë.

“Noli është figurë shumë interesante. Ishte shkrimtar, politikan, tani e zbuluam edhe si kompozitor. Ka disa detaje specifike që e bëjnë veprën shumë të bukur. Dafina gjithashtu është shumë e talentuar. Mënyra se si ka shkruar pjesën për piano është e mrekullueshme dhe ka disa pjesë të veçanta dhe magjike në veprën e saj”, ka thënë dirigjenti Franco, i cili si dirigjent ka repertor të gjerë në muzikën e re, atë operistike e në muzikën simfonike.

Në pjesën e dytë të programit është interpretuar “Simfonia No.1 in C-minor, op.68” e kompozitorit gjerman Johannes Brahms.

Kompozitori e kishte shkruar veprën për dy flaute, dy obo, dy klarineta, dy kontrabasë, katër korno, dy bori, tre trombone, për tupan si dhe për harqe. Vepra është sjellë e plotë dhe është interpretuar për rreth 45 minuta në katër kohë. Ajo fillon me një zhurmë të turbullt që mbledh forcë me tinguj emocionues.

Koncerti i së premtes ishte planifikuar të mbahej më 10 shkurt, por ishte shtyrë për shkak të gjendjes shëndetësore të dirigjentit amerikan, Gregory Charette që do ta drejtonte Orkestrën.

Koncertin e radhës, Filharmonia e Kosovës do ta mbajë më 22 mars nën drejtimin e dirigjentit francez Aurélien Azan Zielinski. Si soliste do të paraqitet violonçelistja Aurélienne Brauner po ashtu nga Franca. Me këtë koncert, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës premton një përjetim të rrallë muzikor.