Festivali i Filmit në Pula të Kroacisë sivjet shënon edicionin jubilar. Feston 70-vjetorin. Bën bashkë kineastë dhe personalitete botërore dhe shquhet si një prej ngjarjeve me peshë jo vetëm në rajon.
Në këtë edicion, ndër të tjera programe, shtatë filma konkurrojnë në programin e filmit kroat. “Escort” është një prej tyre që vjen si bashkëprodhim midis tri shteteve të Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën.
Producenti nga Kosova, Fatmir Spahiu, nga Pula e Kroacisë ka folur me emocion për premierën e dhënë të martën mbrëma në “Arenën” antike. Numri i madh i publikut dhe komentet pozitive, Spahiu ka thënë se janë tregues se si është pritur filmi “Escort”.
“Ka shkuar fenomenal. Arena antike ka qenë plot, zakonisht është plot, mirëpo mbrëmë ka qenë e jashtëzakonshme për shkak se përveç premierës botërore të filmit të këtij bashkëprodhimi, Festivali i Pulës dhe produksionet e kanë nderuar veprën dhe krijimtarinë e regjisorit të ndjerë të këtij filmi, Lukas Nola, i cili përfundoi filmin dhe disa javë më pas ndërroi jetë. Pra, përveç premierës së zakonshme ishte edhe një nderim për regjisorin e madh kroat”.
Sipas Spahiut është e natyrshme që vëmendja ka shkuar te produksioni kroat, mirëpo për Kosovën është e rëndësishme që të paraqitet në ekranin e një prej festivaleve më me nam në rajon.
“Kosova në këtë film është bashkëprodhim minor, është në një përqindje shumë të vogël. Është e natyrshme që krejt fokusi shkon drejt produksionit dhe pjesëmarrësve kroatë, mirëpo ishte shumë me rëndësi siç ka qenë edhe vitin e kaluar me ‘Illyricvm’ që në tërë atë sallë me mijëra e mijëra shikues të shihej logoja e Qendrës Kinematografike të Kosovës, të shtetit të Kosovës, të produksionit tim, emrat kosovarë të cilët kanë dhënë kontributin e tyre dhe kanë qenë pjesëmarrës dhe natyrshëm kemi marrë komente dhe urime të mira. Ka pasur edhe shumë shqiptarë të cilët jetojnë në rajonin e Istrës”.
Spahiu ka theksuar se “Illyricvm” i vitit të kaluar dhe sivjet “Escort” vjen si vazhdimësi e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Festivalit të Pulës, i cili për aktorët e filmat e Kosovës kishte një kapitull bashkëpunimi e që u shkëput në vitet ’90. Ikonat e kinematografisë vendore e produksionet e “KosovaFilmit” të dikurshëm zinin vend të veçantë në Festivalin prestigjioz.
“Sivjet është viti i 70-të dhe pjesëmarrja edhe e imja, edhe e kolegëve të mi është e natyrshme për shkak që ekziston një lloj vazhdimësie për shkak që shumë prodhime në të kaluarën edhe të ‘KosovaFilmit’, por edhe të aktorëve kosovarë duke filluar prej Abdurrahman Shalës, Bekim Fehmiut, Faruk Begollit, Enver Petrovcit dhe të tjerëve, janë shfaqur në ekranin e Arenës në Pula. Faruku ka qenë i shpërblyer, Bekim Fehmiu po ashtu, Faruk Begolli ka qenë anëtar i bordit drejtues të Festivalit të Pulës. Por nga 1990-ta e deri në vitin e kaluar siç duket ka qenë një shkëputje në çfarëdo marrëdhënie midis Kosovës dhe Festivalit të Filmit në Pula”.
Pjesë e kastës së filmit “Escort” vijnë pesë aktorë shqiptarë nga Kosova e Mali i Zi. Aktori Bashkim Alaj nga Ulqini për rolin e tij në film ka thënë se e ka luajtur më shumë qejf. Bashkëpunimin me producentin Spahiu ka thënë se e ka pritur me shumë kënaqësi.
“Pas një projekti të suksesshëm në Itali që e kisha me aktoren Ilire Vinca erdhi menjëherë edhe njohja e rastësishme me producentin Fatmir Spahiu, me ‘Buka Production’, ku e pata fatin ta kem bashkëpunimin e parë me Fatmirin, i cili më prezantoi mua në këtë audicion ku e fitova rolin e Steveit, një rol shumë i dashur për mua dhe të cilin e kam punuar shumë me qejf. Ka qenë një rol shumë i bukur i cili m’u përshtat edhe nga natyra”.
Aktori Dukagjin Podrimaj vjen në rolin e një regjisori kroat, i cili jeton në Angli dhe nga vendasit vlerësohet më shumë sesa që e meriton. Podrimaj për festivalin ka thënë se dhuron ndjenja të papërshkrueshme, duke filluar nga rëndësia që e ka e deri te atmosfera që krijohet. Pos tij dhe Alajt, në filmin dramë triler, që zhvillohet rreth një vrasjeje misterioze, luajnë edhe Ilir Prapashtica, Fiona Gllavica dhe vetë producenti Fatmir Spahiu.
“Kroatët, siç e kam parë unë e kanë si Festival të krenarisë Pulën. E kanë një prej festivaleve më të vjetra dhe më të rëndësishmin. ‘Illyricvm’ ka qenë premierë vitin e kaluar në të njëjtën kohë ku ka qenë madhështore, sepse ‘Illyricvm’ është një film që ka ndodhë në vitin 36 para lindjes së Krishtit e që është dhënë në një arenë që është pak a shumë gladiatoreske dhe të jep një ndjenjë shumë më ndryshe për ta parë filmin”.
Në “Escort” personazh kryesor është Miro, një biznismen 40-vjeçar i cili futet skutave kur kalon natën me një prostitutë të cilën më pas e gjen të vdekur në dhomën e hotelit. Pas kësaj, jeta e burrit të lumtur e familjar merr kah krejt tjetër dhe shfrytëzohet prej botës së krimit. Regjisori Lukas Nola, i cili vdiq në tetorin e vitit të kaluar në moshën 59-vjeçare, ka shkruar edhe skenarin e filmit.
shpallur si edicioni kushtuar audiencës dhe kineastëve, Festivali i 70-të i Filmit në Pula pati një hapje madhështore. Më shumë se pesë mijë veta u bashkuan në amfiteatrin romak, simbol jo vetëm për qytetin bregdetar, por për krejt Kroacinë. Kineastët treguan anekdota personale nga Festivali dhe premiera e parë ishte ajo e filmit “Hotel Pula“ të Andrej Korovljev nga Pula.