Koncerti i violistes Entela Qarkagjija nuk ka qenë krejt i zakonshëm kur zbërthehen veprat tok me talentin. Zyrtarisht skenës së muzikës klasike në vend i është bashkuar edhe një muzikante për ta pasuruar kështu me një instrument në formacionin e harqeve.
Tjetër kapitull në karrierën e saj ka qenë koncerti i parë recital të mërkurën mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me të cilin edhe ka kurorëzuar studimet themelore në Universitetin e Prishtinës.
Me sonatën për violë dhe piano të Brahmsit ka zbërthyer harmoninë bashkë me Lirika Pulën në piano. Mes veprash ka qenë edhe “Quasi Kaba” e Valton Beqirit. Dinamika në vepër me tinguj lirikë ka qenë veçanti që ka mbajtur ritmin nga fillimi në fund.
Entela Qarkagjija ka vlerësuar se periudha e studimeve ka qenë proces shumë i gjatë, të cilin e ka përmbyllur duke vënë në skenë vepra të epokave të ndryshme.
“Këtë program e kam zgjedhur, sepse ka përmbajtur të gjitha kohërat e muzikës klasike duke filluar nga baroku, romantizmi dhe muzika moderne. Gjatë këtij viti kemi punuar bashkë me profesorin Blerim Grubi, i cili më ka udhëzuar përgjatë procesit të ushtrimeve e deri tek arritja finale, që është koncerti”.
I pranishëm ka qenë kompozitori Rauf Dhomi, sipas të cilit, instrumentistët e rinj janë premtues për të ardhmen e skenës klasike të vendit.
“Kjo ishte e veçantë si talente, si instrumentiste, si violë që është e mangët jo vetëm këtu, por në gjithë Evropën. Në orkestër është elementi që kurorëzon harqet. Kjo ishte me potencial të jashtëzakonshëm. Ishte kënaqësi dhe është mburrje për çdo muzikant që kemi violinsite kaq të re”.
Entela kishte ndjekur mësimet në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë. Njëkohësisht ndiqte edhe mësime shtesë në Prishtinë me profesorin Blerim Grubi, në klasën e të cilit edhe kishte ndjekur studimet Qarkagjiu.
Për Grubin, rezultatet e studentëve janë pasqyrë e angazhimit të vetë atyre e përgatitjes nga stafi akademik.
“Me të vërtetë ne si profesorë rrallë kemi ata studentë që mund t’i qesim në skenë, por është një mund i madh dhe punë e madhe që bëjmë bashkërisht, sepse është mund individual. Çdo moment, çdo punë punohet me milimetra dhe për të arritur këtu kërkon shumë punë në artin tonë muzikor”.
Këtë vit akademik pos studentes Entela Qarkagjiu, para publikut me koncertin e diplomës ishte paraqitur edhe studentja Alkestra Gllogjani, gjithashtu me interpretim në violë.