Koncerti i violistes Entela Qarkagjia nuk ka qenë thjesht një tjetër ngjarje në kalendarin e skenës së muzikës klasike. Me të ka dëshmuar se një instrumentiste e re u bashkohet vrullshëm harqeve dhe rrugëtimi i saj sapo ka nisur. E ka bërë këtë me vepra që shëtisin nëpër barok, romantizëm e muzikë moderne. Skenat edhe jashtë vendit nuk janë të panjohura për të, përderisa njohësit e muzikës e konsiderojnë si një emër që do të mbahet në mend
Koncerti i violistes Entela Qarkagjija nuk ka qenë krejt e zakonshëm kur zbërthehen veprat tok me talentin. Zyrtarisht skenës së muzikës klasike në vend i është bashkuar edhe një muzikante për ta pasuruar kështu me një instrument në formacionin e harqeve. Skenën ndërkombëtare e ka eksploruar vitin e kaluar me koncertin në festivalin “Young Euro Classic” në Berlin, në muajin gusht. Kishte qenë udhëheqëse e violave në “Wester Balkans Youth Orchestra”. Tjetër kapitull në karrierën e saj ka qenë koncerti i parë recital të mërkurën mbrëma, me të cilin edhe ka kurorëzuar studimet themelore në Universitetin e Prishtinës.
Nuk ka qenë koncert diplome ai në të cilin Qarkagjija është prezantuar në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë. Aty ku kanë interpretuar figura të shquara ndërkombëtare të muzikës klasike, edhe imazhi i violistes së re ka qenë i ngjashëm.
Me sonatën e Johannes Sebastian Bachut për violë në kohën “adagio e presto” ka sjellë emocione të veçanta te publiku. Me “Caprice për violë në c-mol” të kompozitorit belg, Henri Vieuxtemps, ka përcjellë interpretimin më të gjallë dhe ka hapur një ngjarje dramatike që në fillim, por me shumë ritëm.
Me “Sonata për violë dhe piano nr.1 në f-mol” të Johannes Brahms, ka zbërthyer harmoninë bashkë me Lirika Pulën në piano. Kur tingujt e pianos janë shuar, ka nisur edhe shkëlqimi shkallë-shkallë i violës. Që në nisje ka qenë kombinim i tingujve të ulët në njërën anë të pianos dhe dominues të violës. Në “alegro appassionato” ka qenë ritmike, por me pjesë të tingujve melankolikë të violës. Me një përshkim të krejt harkut në telat e violës e ka gjetur harmoninë. Më tej kanë vijuar tingujt e lehtë që shpesh kanë qenë nën hijen e atyre të pianos. Të violës kanë vijuar të jenë minimalistë e shpesh duke i lënë hapësirë pianos.
Në “Andante un poco - Adagio”, si viola ashtu edhe piano kanë nisur me tone tejet të ulëta që e dominojnë këtë pjesë. Derisa pianistja Pula ka luajtur me ulje-ngritje, interpretimi i Qarkagjisë në violë ka qenë konstant. Tingujt i ka depërtuar jashtë kufijve në të cilët ishte zhvilluar ngjarja deri atëherë për të arritur në një pikë më të lartë e është rikthyer në gjendjen paraprake.
Në “Allegretto grazioso” e “Vivace” ka qenë më dominuese. Tingujt me pianon shpesh janë bashkuar dhe kanë krijuar duetin magjik. Zhvillimet në pjesë i merrnin përsipër herë pianoja e herë viola për të gjetur edhe zanafillën e veprës – situatën e zymtë.
Krejt në fund, Qarkagjija ka interpretuar edhe veprën “Quasi Kaba” të Valton Beqirit. Dinamika në vepër me tinguj lirikë ka qenë veçanti që ka mbajtur ritmin nga fillimi në fund.
Entela Qarkagjija ka vlerësuar se periudha e studimeve ka qenë proces shumë i gjatë, të cilin e ka përmbyllur duke vënë në skenë vepra të epokave të ndryshme.
“Këtë program e kam zgjedhur, sepse ka përmbajtur të gjitha kohërat e muzikës klasike duke filluar nga baroku, romantizmi dhe muzika moderne. Gjatë këtij viti kemi punuar bashkë me profesorin Blerim Grubi, i cili më ka udhëzuar përgjatë procesit të ushtrimeve e deri tek arritja finale, që është koncerti”, ka thënë Qarkagjija. Ndonëse skena si vendore e më gjerë është e njohur për të, ka thënë se koncerti i diplomës ka qenë ndjesi krejt më ndryshe kësaj here për shkak të përgjegjësisë. Ka treguar se do të ketë paraqitje edhe me Operën e Kosovën kur do të jepet opera “Lo Speziale” e austriakut Joseph Haydn.
I pranishëm ka qenë akademiku e kompozitor Rauf Dhomi, sipas të cilit, instrumentistët e rinj janë premtues për të ardhmen e skenës klasike të vendit.
“Kjo ishte e veçantë si talente, si instrumentiste, si violë që është e mangët jo vetëm këtu, por në gjithë Evropën. Në orkestër është elementi që kurorëzon harqet. Kjo ishte me potencial të jashtëzakonshëm. Ishte kënaqësi dhe është mburrje për çdo muzikant që kemi violiniste kaq të re”, ka thënë Dhomi.
Entela ka ndjekur mësimet në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë. Njëkohësisht ka marrë mësime shtesë në Prishtinë me profesorin Blerim Grubi, në klasën e të cilit edhe kishte ndjekur studimet.
Për Grubin, rezultatet e studentëve janë pasqyrë e angazhimit të vetë atyre e përgatitjes nga stafi akademik.
“Me të vërtetë ne si profesorë rrallë kemi studentë që mund t’i qesim në skenë, por është një mund i madh dhe punë e madhe që bëjmë bashkërisht sepse është mund individual. Çdo moment, çdo punë punohet me milimetra dhe për të arritur këtu kërkon shumë punë në artin tonë muzikor”, ka thënë profesori Grubi.
Sipas tij, potenciali dhe niveli i studentëve të Universitetit të Prishtinës është po në atë shkallë me studentët e universiteteve jashtë vendit.
“Mund të themi se të rrallë janë studentët në Evropë që bëjnë koncerte të tilla, sidomos para përfundimit të studimeve. Jam i gëzuar që kemi arritur një standard jashtëzakonisht të lartë dhe kjo do të shërbejë për ngritjen e artit dhe kulturës në Kosovë, pasi këto kuadro të reja do të bëjnë gjëra shumë më të mëdha për të prezantuar skenën shqiptare jashtë vendit”, ka thënë Grubi, profesor i muzikës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Këtë vit akademik pos studentes Entela Qarkagjija para publikut me koncertin e diplomës ishte paraqitur edhe studentja Alkestra Gllogjani, gjithashtu me interpretim në violë.