Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
EXPRESS

“Eminencë gri” me njeriun e tjetërsuar nga teknologjia

Estetikisht nuk e kapin syrin e njeriut, por veprat e Zgjim Zybës merren pikërisht me të. Dy instalacionet e tij, siç zbërthehet edhe në paralajmërim, ”eksplorojnë nocionin e të parit dhe lëvizjes në raport me perceptimet”. Kësisoj matet ndikimi i teknologjisë te qeniet njerëzore, por provokimi nuk përfundon këtu. Zyba thyen edhe konceptet konservative edhe për vetë objektin ku ekspozon.

Galeria Kombëtare e Kosovës ka marrë pamje tjetër nga instalacionet e Zybës. Ky ka qenë edhe njëri prej qëllimeve: të hyjë nëpër hapësirat e Galerisë, ku zakonisht ekspozohen vepra. Në oborrin gjendet vepra e titulluar “RE-All”, e cila përbëhet prej disa objekteve formash të ndryshme, të punuara prej të njëjtit material – rrëshirës. Përmes tyre Zyba rikujton pikat që në syrin e njeriut shfaqen, atëherë i ekspozohen dritës së fortë, dhe për t’i hetuar vizitori duhet t’i shohë gjatë ditës. Instalacioni tjetër përfshin disa shkallë ngjyrë gri, të cilat lëvizin nga pjesa e jashtme, nëpër kulm e deri në korridoret e brendshme të Galerisë.

“Eminenca gri (Grey eminence) është një term që përdoret në diskursin politik, nuk ka të bëjë me fuqinë e vendimmarrjes mbrapa skenës. Pse ne e kemi lidhur me eminencën gri është për shkak të teknologjisë, si faktor kryesor në transformimin e qenies njerëzore që nga shekulli i kaluar, në dy revolucionet industriale. Teknologjia është faktor që i sjell në pah problemet sociale, po ashtu edhe lëvizjet e ndryshme që janë kundër apo pro zhvillimit galopan të teknologjisë”.

Përzgjedhja e materialit është vënë në shërbim të konceptit të asaj çfarë ka dashur të shprehë autori.

“Këto shkallë të çojnë atje ku dojmë ne për shkak se ato janë një objekt që përdoren për të hipur apo për të zbritur. Unë i transformoj ato njëjtë sikur edhe pika lundruese në hapësirë të jashtme. Ato i shohim me syrin tonë. Në fakt ato janë të krijuara prej një dylli brenda syve tonë, por që unë i bie në formë të ngurtë. Ndërkaq shkallët të cilat zakonisht janë të prodhuara prej drurit apo hekurit, i transformoj në material të sfungjerit. E bëj transformimin e qenies njerëzore. Duke u larguar prej konceptit tradicional që jemi mësuar ta definoj qenien njerëzore. Lë të themi se këto dy instalacione kanë një lidhje mes vete dhe që ajo çka i prezanton më së miri është eminenca gri”.

Edhe “Eminencë gri” në provokimin e njeriut të tjetërsuar nga teknologjia Kulturë “Eminencë gri” në provokimin e njeriut të tjetërsuar nga teknologjia

Shkallët kanë një histori më vete. Krijimi i tyre kishte nisur qysh para katër vjetësh, atëherë kur Zyba ishte në përfundim të studimeve master në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, por që takimi i tyre me publikun ishte bërë tek sot.

Lidhur me këtë, ka folur kuratorja e ekspozitës, Hana Halilaj.

“Ekspozita e Zgjimit është e zhvilluar dhe ka nisur rreth një hulumtimi që ai e ka pasur më herët. Është një hulumtim drejt zhvillimit dhe historisë së zhvillimit të teknologjisë që Zgjimi e ka rishkruar dhe shqyrtuar në lidhje me evoluimin e njerëzimit dhe qysh këto evolucione dhe zhvillime janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Më pas ka ardhur deri te prodhimi i këtyre dy instalacioneve”.

Si njohëse e artit dhe punës së Zybës, Halilaj ka dhënë një shpjegim edhe për shkallët dhe rrugëtimin e tyre nëpër hapësirën e brendshme dhe të jashtme të Galerisë.

Edhe “Poligloti i heshtur” i flet zëshëm origjinës, lëvizjes e identitetit Kulturë “Poligloti i heshtur” i flet zëshëm origjinës, lëvizjes e identitetit

“Mënyra se si i kemi instaluar se çfarë kemi qenë duke menduar me Zgjimin rreth punëve që ai i ka krijuar është se ai ka dashur që t’i instalojë shkallët jashtë në çati. Ato hyjnë brenda përmes shkallëve që palosen e që vijnë nga kulmi i Galerisë. Shumë njerëz, për shkak se atje janë zyrat e Galerisë, nuk shkojnë te ajo pjesë për shkak se është njëfarë kodi i pashkruar se si duhet të sillemi në një muze apo galeri dhe karshi veprave të artit. Kjo ndërhyrje që e ka bërë Zgjimi me instalacione e aktivizon një pjesë të Galerisë dhe e kthen imazhin e institucionit dhe hapësirave se ku duhesh me qenë e ku nuk mund të hysh”, ka shpjeguar Halilaj.

Ekspozita “Eminencë gri” do të qëndrojë e hapur deri më 24 prill.