EXPRESS

Dyshja në dialog me flamengo dhe zgjerim kufijsh

Ka qenë si një lloj dialogu koncerti i dyshes së njohur në Francë në Sallën e Kuqe. Kryefjalë ishte flamengoja. Veprat, shumica të kompozuara prej Raphael Fays, kanë sjellë ritëm para të pranishmëve. Me kitaristin tjetër Jose Palomo kanë eksploruar secilin tingull. Dhe krejt kjo ka një qëllim human – mbledhjen e mjeteve për qendrën mësimore “Azure” të romëve në Fushë-Kosovë. Koncerti i së enjtes ka përkuar me Ditën Ndërkombëtare të Muzikës.

Kur Fays ka luajtur notat e para në kitarë, ka nisur edhe rrugëtimin e publikut nëpër vendet tropikale. Me dy kitara kanë krijuar dyshen e përkryer në tingujt e veprave. Të gjitha janë të kompozuara nga mjeshtri i kitarës, Raphael Fays. Interpretimi i tij bazohet në përvojën e gjatë të luajtjes në kitarë dhe nga pasioni që Raphael i kushton kitarës akustike me ritmet e bukura të flamengos.

Nëpërmjet interpretimit të tij, Fays në një formë hedh dritë të re në këtë zhanër. Kësisoj edhe zgjeron kufijtë e kësaj muzike.

“Janë stile të flamengos, janë vallëzime, ka këngë në të cilat këngëtari këndon dhe shoqërohet nga kitare. Këto janë vallëzimet me flamengo, ato që i pëlqej më së shumti pasi në to përfshihen vallëzimi, këndimi dhe kitara”.

Organizimin e kishte nisur këshilltarja për komunitete e kryeministrit Albin Kurti, Elizabeth Goëing, themeluesja e “The Balkan Artists”, qendër arti me bazë në Londër, Kristale Ivezaj-Rama, Gjyzel Shaljani nga rrjeti i grave “Foleja”, dhe profesoresha e muzikës Besa Luzha.

Aktivistja e shkrimtarja Gowing është shprehur e lumtur me kontributin e saj në Kosovë për komunitete.

“Tashmë kam dy kapele, një si bashkëthemeluese e organizatës ‘The Ideas Partnership’ që punon në një qendër në Fushë-Kosovë me rreth treqind gra e fëmijë që vijnë për aktivitete të llojllojshme, dhe tjetra është si këshilltare e kryeministrit për çështjet e komuniteteve. Ndonjëherë është shumë stresuese të kuptosh dy rolet dhe ndonjëherë, si sonte, me muzikë të mirë, me njerëz të mirë, me bashkimin e këtyre dy kauzave, jam shumë krenare për kontributin e Qeverisë”.

Gjyzele Shaljani, që është anëtare e rrjetit të grave “Foleja”, është shprehur optimiste për të ardhme më të mirë, bazuar prej pjesëmarrjes në koncertin e së enjtes mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

“Jam shumë e lumtur që shoh zonja të bukura, intelektuale kosovare dhe zotërinj që kanë ardhur të dëgjojnë një stil të veçantë muzikor nga artistët romë për të bërë një shkëmbim mes kulturës sonë dhe të vendeve të tjera. Për mua është kënaqësi që qëndroj para jush, por është edhe traditë familjare, pasi babai im ishte koreograf i folklorit”.

Bashkorganizatorja Besa Luzha ka thënë se ka qenë bazë e thesarit në një pjesë të popullatës rome.

“Janë dy muzikantë fantastikë nga Franca, njëri me origjinë nga Spanja, por që njëri prej tyre është vetë rom me origjinë dhe që nga fëmijëria është marrë me muzikë, ka luajtur muzikë me disa prej mjeshtërve më të mëdhenj. Muzika që ata luajnë, flamengo, unë tash më parë e kuptova, se ka qenë bazë e thesarit nga ana e romëve hispaniko-andaluzianë”.

Në koncertin e së enjtes disa herë është përmendur se muzika flamengo ka prejardhje rome.