Shtojca për Kulturë

Dyshja në dialog me flamengo dhe zgjerim kufijsh

Raphael Fays e Jose Palomo e kanë çuar publikun në botën magjike të flamengos, e në një rrugëtim si ky nuk ka kufij. Aty vijnë ngjyrat e diversitetit dhe është po ky diversitet që promovon koncerti i tyre. Koncerti ka qenë humanitar dhe mjetet e mbledhura i dedikohen qendrës së edukimit të romëve në Fushë-Kosovë

Ka qenë si një lloj dialogu koncerti i dyshes së njohur në Francë në Sallën e Kuqe. Kryefjala: flamengoja. Veprat, shumica të kompozuara prej Raphael Fays, kanë sjellë ritëm para të pranishmëve. Me kitaristin tjetër Jose Palomo kanë eksploruar secilin tingull. Dhe krejt kjo ka një qëllim human – mbledhjen e mjeteve për qendrën mësimore “Azure” të romëve në Fushë Kosovë. Koncerti i së enjtes ka përkuar me Ditën Ndërkombëtare të Muzikës.

Krejt dekori ka qenë veç një lule e punuar prej tekstili me ngjyrë rozë të lehtë që ka paralajmëruar për një koncert. Më tej edhe mjetet teknike, sikurse edhe perkusioni aty pranë. Bazuar në ambientin – muret e veshura me të zeza dhe dysheme e shtruar me tepisonë të kuq – ka ngjarë në një ngjarje më solemne derisa skenën e kanë kompletuar dy instrumentistët me prejardhje spanjolle, por që jetojnë në Francë prej shumë kohësh. Ka qenë koncert humanitar për një qendër edukimi të romëve, dhe pikërisht njëri prej tyre, kitaristi Raphael Fays është me prejardhje rome.

Kur Fays ka luajtur notat e para në kitarë, ka nisur edhe rrugëtimin e publikut nëpër vendet tropikale. “Azucar de amor” ka qenë interpretim i gjatë dhe tejet i veçantë në kitarë. Në veprat e tjera si “Los acors”, Quatro caminos”, “Extremadura”, “Colorines de carnavales” dhe “El Malaguena” i është bashkuar edhe Jose Palomo, i cili fillimisht ka luajtur në cajon. Ka qenë pikërisht instrumenti që u ka dhënë ngjyrë të veçantë ritmeve.

Bashkë me kitarën kanë krijuar dyshen perfekte në tingujt e veprës “Mastro Paco”. Gjithë veprat janë të kompozuara nga mjeshtri i kitarës, Raphael Fays. Interpretimi i tij bazohet në përvojën e gjatë të luajtjes në kitarë dhe nga pasioni që Raphael i kushton kitarës akustike me ritmet e bukura të flamengos.

Para të pranishmëve ai ka treguar se ishte i pasionuar pas flamengos që nga viti 1987 kur kishte takuar kitaristin e kompozitorin virtuoz spanjoll Paco de Lucia në Paris. Nëpërmjet interpretimit të tij, Fays në një formë hedh dritë të re në këtë zhanër. Kësisoj edhe zgjeron kufijtë e kësaj muzike.

“Janë stile të flamengos, janë vallëzime, ka këngë në të cilat këngëtari këndon dhe shoqërohet nga kitare. Këto janë vallëzimet me flamengo, ato që i pëlqej më së shumti pasi në to përfshihet vallëzimi, këndimi dhe kitara”, ka thënë Fays për KOHËN, pas koncertit.

Sipas tij, publiku tashmë veçse e do muzikën flamengo. Sipas Raphael Fays, nëpërmjet saj ata e përshkruajnë veten.

“Shpeshherë kur bëj muzikë flamengo dhe kur ngjitem vetëm për të interpretuar muzikën spanjolle, shpesh njerëzit më thonë se jeni një toro. Natyrisht që publiku dëshiron të shohë artistë që marrin rreziqe mbi veten. Njerëzit këtu e pëlqejnë muzikën dhe e duan muzikën tonë dhe duan të na shohin”, ka thënë kompozitori e kitaristi Fays. Në skenë ka treguar se me krenari e pranon se i përket komunitetit rom dhe se është i gatshëm të ndihmojë në çdo rast për komunitetin në cilindo vend nëpërmjet performancave të tij.

“Solea”, “Hija de la arena”, “Luna de fuego”, “Videjo pueblo” e “Verde tequiero verde” kanë qenë me ritme të shpejta e në to janë përfshirë edhe pjesë minimaliste tekstuale. Më tej, me dy kitara kanë interpretuar edhe “Csarda de monti”, “Rio ancho”, “Ballade au bout du monde” dhe “Entre dos aguas” me lojë tejet dominuese dhe unike me goditjes në trupin e kitarës, bashkë me përzierjet e rralla të Jose Palomo në perkusione.

Palomo diplomoi në Konservatorin e Parisit në drejtimin e jazzit. Është perkusionist, këngëtar, kitarist, dhe muzikant profesionist. Viteve të fundit, dyshja është bashkuar për të dhënë shfaqje të mahnitshme muzikore.

Organizimin e kishte nisur këshilltarja për komunitete e kryeministrit Albin Kurti, Elizabeth Gowing, themeluesja e “The Balkan Artists”, qendër arti me bazë në Londër, Kristale Ivezaj-Rama, Gjyzel Shaljani nga rrjeti i grave “Foleja” dhe profesoresha e muzikës, Besa Luzha.

“Faleminderit për kontributet tuaja, vazhdoni dhe mirë se vini!”, ka thënë shkurt Kristale Ivezaj-Rama.

Aktivistja e shkrimtarja Gowing, është shprehur e lumtur me kontributin e saj në Kosovë komunitete. “Tashmë kam dy kapele, një si bashkëthemeluese e organizatës ‘The Ideas Partnership’ që punon në një qendër në Fushë Kosovë me rreth treqind gra e fëmijë që vijnë për aktivitete të llojllojshme dhe tjetra është si këshilltare e kryeministrit për çështjet e komuniteteve. Ndonjëherë është shumë stresuese të kuptosh dy rolet dhe ndonjëherë, si sonte, me muzikë të mirë , me njerëz të mirë, me bashkimin e këtyre dy kauzave jam shumë krenare për kontributin e Qeverisë”, ka thënë Gowing.

Ajo ka thënë se çdo biletë e shitur për koncertin është më se e vlefshme, pasi krejt mjetet do të shkojnë në ndërtimin e objektit të qendrës “Azure” në Fushë-Kosovë.

“Me paratë e mbledhura, deri më tani kemi bërë më shumë se dy mijë euro. Është një qendër që është në ndërtim që për momentin nuk ka dyer, nuk ka izolim hiç dhe me këto mjete ne synojmë të bëjmë izolimin e qendrës me fasadë. Për fëmijët që vijnë në çerdhe, tinejxherët që vijnë për aktivizëm, apo nënat që vijnë për kontrolle, do ta kenë një vend të bukur dhe të denjë për shërbime që u duhen. Kjo do të jetë nga zemërgjerësia juaj”, ka thënë më tej Gowing.

Gjyzele Shaljani që është anëtare e rrjetit të grave “Foleja”, është shprehur optimiste për të ardhme më të mirë, bazuar prej pjesëmarrjes në koncertin e së enjtes mbrëma në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

“Jam shumë e lumtur që shoh zonja të bukura, intelektuale kosovare dhe zotërinj që kanë ardhur të dëgjojnë një stil të veçantë muzikor nga artistët romë për të bërë një shkëmbim mes kulturës sonë dhe të vendeve të tjera. Për mua është kënaqësi që qëndroj para jush, por është edhe traditë familjare, pasi babai im ishte koreograf i folklorit”, ka thënë ajo.

Disa herë në koncert është përmendur se muzika flamengo ka prejardhje rome.

Bashkorganizatorja Besa Luzha ka thënë se ka qenë bazë e thesarit në një pjesë të popullatës rome.

“Janë dy muzicientë fantastikë nga Franca, njëri me origjinë nga Spanja, por që njëri prej tyre është vetë rom me origjinë dhe që nga fëmijëria është marrë me muzikë, ka luajtur muzikë me disa prej mjeshtërve më të mëdhenj. Muzika që ata luajnë, flamengo, unë tash më parë e kuptova, se ka qenë bazë e thesarit nga ana e romëve hispaniko-andaluzianë”, ka thënë Luzha.