Pjesë e përvojave të paharrueshme që “DokuFesti” i ofron janë edhe mbrëmjet me muzikë që njihen si “Dokunights”. Për tash e 22 edicione pas ditëve përplot me filma dokumentarë e të shkurtër dhe aktivitete të tjera, vizitorët e festivalit në mbrëmje e gjejnë freskinë te “Andrra Stage” si skena kryesore e “DokuNights”.
Jo më pak rëndësi i kushtohet edhe kësaj pjese të programit. Kuratori i programit të “Dokunights” sivjet sikurse edhe vitin e kaluar është regjisori Leart Rama. Duke qenë edhe vetë pjesë e skenës së muzikës në vend ai ka thënë se kjo detyrë është më shumë kënaqësi për të.
Këtë vit në skenën e “Dokunights” do të ngjiten DJ të njohur nga Kosova e edhe të huaj. I tërë programi me të ftuarit që të do të performojnë është bërë i ditur dhe për fansat e muzikës elektronike ka ardhur si befasi. “Peaches” sonte hap programin e muzikës. Ajo është e njohur për praninë e saj të guximshme në skenë. Si një artiste muzikore që shtyn kufijtë, “Peaches” krijoi një hapësirë unike dhe provokuese në botën e skenës muzikore në fund të viteve 1990, duke fituar shpejt vëmendjen për përzierjen e saj të paharrueshme të muzikës punk, rock dhe elektronike.
“Pas një kohe shumë të gjatë komunikimi dhe planifikimi për herë të parë në histori jemi duke e sjellë një prej artisteve me nam të madh botëror që është ‘Peaches’ e cila do të performojë koncertin e saj ‘Teaches of Peaches’. Ky vit është viti i 21-të i publikimit të albumit të saj dhe për mua është shumë speciale që kemi mbërri me e realizuar këtë koncert”, deklaroi Rama.
Përpos natës së parë që sjell një prej muzikanteve më të njohura të muzikës elektronike, “Dokunights” edhe do të përmbyllet me po aq spektakël me një nga ikonat e muzikës underground dhe elektronike nga Detroiti, “Dopplereffekt”. Për perfomancat ndërmjet, Rama ka ndarë të tjera detaje.
“Çdo natë është një temë speciale ku muzika kurohet në atë formë që secili artist me njëri-tjetrin e kanë një storje të përbashkët, por gjithashtu edhe muzikalisht përshtaten me njëri-tjetrin edhe të gjithë kurimin në përgjithësi jemi munduar ta bëjmë të larmishëm ku nata prej natës nuk është se krijon një ndryshim shumë të madh.”
Skena “Andrra” është bërë tashmë e njohur si destinacion i netëve muzikore të “DokuFestit”, mirëpo këto mbrëmje me muzikë do të shpërndahen edhe nëpër lokacione të tjera të qytetit të Prizrenit si kino “Lumbardhi” e Kalaja e qytetit të Prizrenit.
“Përveç te ‘Andrra Stage’ nëpër lokacione të tjera do të mbahen performanca speciale në ‘Lumbardhi’ dhe Kala”.
Gjatë 9 netëve të “Dokufestit” në “Dokunights” do të performojnë gjithsej 25 artistë, ndër ta “Higher Intelligence Agency”, Lyra Pamuk, “Uj pa gaz, “Despoti” dhe reperi i njohur nga Kosova Bim Bimma.