EXPRESS

“Bota ime në rreth” si dalje prej izolimit me artin e shërimit

Një artist e neuropsikiatër si Skender Boshnjaku gjithsesi se do ta fuste botën e tij në rreth. Në jetën e tij ka gjurmuar shumë më shumë përjetime duke shëruar plagë shpirtërore. Edhe të tijat. Rrethin e koncepton përtej kuptimit si figurë gjeometrike. Si izolim ku mbyllet hermetikisht pozitivja, përkundër fatkeqësive të botës. Me ekspozitën “Bota ime në rreth”, autori Boshnjaku me art shëron duke e thelluar publikun në rrathët e pikturave të tij.

Terapi ka qenë madje edhe ngjarja e hapjes së ekspozitës së dytë personale të autorit që gjatë jetës ka bartur peshën e rëndë të profesionit. Publiku i mbledhur të enjten pasdite për të parë punën e Boshnjakut në këtë rast rrethohet dyfish: në vështrim të veprave dhe në galerinë “Hani i Dy Robertëve”. Të shumtë kanë qenë të mbledhurit aty, që fillimisht janë takuar me pikturat e artistit. Ka qenë si festë, ku është kremtuar vepra e tij si shërim me art.

Janë punime me dimensione të vogla ku forma e rrethit vjen e para në shprehje. Brenda tyre duket se buron një botë përplot harmoni e gëzim. Është bota e një bote paralele. Përplot ngjyra. Aty janë përjetimet e fëmijërisë së tij, freskia e jetës.

Rrethi në disa vepra është shumë më i përforcuar e më i theksuar. Në disa, shtresohet lehtë, pak e ndajnë nga sfondi i zymtësisë. Në një pjesë tjetër rrethin figurativ të jetës e krijon qenia e njeriut si mburojë ndaj së keqes.

Në të tjera ngjyra e sfondit dhe atij brenda rrethit nuk dallon dhe krijon idenë e lulëzimit, përkundër tragjedive të jetës. Vetë artisti me art e distancon forcën e dhimbjen. Bota e tij është brenda rrethit, fatkeqësia jashtë tij. Kjo e para, sipas tij, është në kundërshtim me botën reale.

“Përpjekja ime e gjatë në imagjinatën time, ringjalljen time fëmijërore, ëndrrat e mia të dikurshme fëmijërore i fus në një rreth për të krijuar një botë që është në kundërshtim me botën përreth. Njëkohësisht kam tentuar që në botën time të përfshij edhe universet e tjera të të gjitha kontinenteve, orientimeve”.

Skender Boshnjaku ka thënë se për veprat ishte frymëzuar edhe në situatën me COVID-19. Artin e shndërroi edhe në mburojë.

“Kam pasur përpjekje që nga këto punime të rrezatoj një buzëqeshje jetëdhënëse e shpëtimtare që të ngrit moralin e individit. Jam munduar që edhe të luftohet kotësia, bezdia, pakuptimësia, që krijojnë fatkeqësi të shumta. Edhe pse kam pasur fatkeqësi brenda meje, atë e kam shndërruar në triumf të jetës, të identitetit, qenies njerëzore dhe në pakompromis dhe pamposhtje”.

Kritiku i artit e filozofi Shkëlzen Maliqi, është kurator i ekspozitës. Ka vlerësuar se veprat e Boshjakut motivohen me ambicien artistike, por edhe ndërlidhen me peshën e rëndë të profesionit që ka ushtruar gjithë jetën. Ka thënë se ka shumë më shumë brenda rrathëve të botës së artistit.

“Ky rrethi është shumë më shumë kur e shikon. Rrethi është një prej simboleve abstrakte gjeometrike më të fuqishme, më divine. Ai ka provuar të kthejë atë formën e izolimit të pandemisë në një lloj pozitivitetit. Ky është rezultati i kësaj pune të Skenderit. Është një prej njerëzve të rëndësishëm të kulturës kosovare dhe kemi dashur t’ia kurorëzojmë 50-vjetorin e veprës si kritik arti dhe që ka ndërmjetësuar e ka dhënë kontribut për kulturën kosovare”.

Artistja Zake Prelvukaj e ka vlerësuar punën e Boshnjakut si shërim me art.

“Mund të them se krijuesi Skender Boshnjaku ma ka hapur një rrugë për të punuar më shumë pasi tekstet që i bënte për mua në atë kohë, kanë qenë shumë mirë, pasi kur je i ri të impresionon dikush që di të shkruajë. Nuk është ndarë prej punës. Ka pasur rënie e ngritje shumë të mëdha. Ka punuar jashtë arteve pamore e aplikative, si neuropsikiatër. Mendoj se këto punime janë vetë mjekësia dhe simbolet e përditshme që ka përdorur, janë të karakterit universal”.

Si njeri të përkushtuar e të dedikuar e ka vlerësuar Boshnjakun artistja Eliza Hoxha, ndërsa punën e tij si mjet për të rikujtuar principet e jetës.

“Kjo çfarë shohim sot mund të ketë kuptime të ndryshme, edhe prej ciklit të asaj sesi se çfarë kemi përjetuar në kohën e pandemisë kur një virus me kurorë ka arritur të marrë jetë dhe të na mbyllë në një kuti siç kanë qenë shtëpitë tona e që në fakt na ka bërë të mendojmë shumë për jetën, ta vlerësojmë atë dhe tjetrin, diçka që ne shumë shpesh për shkak të dinamikave e presioneve të punës dhe të jetës e harrojmë”.

Bota e artistit e neuropsikiatrit Skender Boshnjaku në “Bota ime në rreth” do të jetë e hapur deri më 22 shkurt.