Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet ligjore për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, pas raportimeve se Lëvizja Vetëvendosje po mbledh nënshkrimet e deputetëve për ta thirr një seancë të tillë.
“Së pari duhet të zhvillohen konsultimet nga presidentja me partitë politike dhe të vendoset se kujt, dhe nëse do t’i jepet mandati i dytë për formimin e qeverisë. Derisa të përfundojë kjo procedurë dhe të ketë dekret për mandatarin, Kuvendi nuk ka bazë dhe rrethana për t’u mbledhur për çfarëdo votimi, përfshirë edhe atë për qeverinë”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Ai ka sqaruar se nënshkrimet që po përmenden në opinion nuk kanë efekt juridik jashtë procesit të konsultimeve, por mund të shërbejnë vetëm si provë gjatë bisedimeve me presidenten, në kuadër të “kritereve mbizotëruese”.
“Sidoqoftë, për të dëshmuar shumicën nevojiten 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 për thirrjen e seancës”, ka shtuar ai.
Cakolli gjithashtu ka theksuar se seanca e jashtëzakonshme nuk mund të thirret as për Ligjin e buxhetit, pasi detyra e parë dhe e patejkalueshme e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e Qeverisë.
“Mbi të gjitha, vetëm një Qeveri e kësaj legjislature mund të propozojë projektligj për buxhetin”, ka përfunduar Cakolli.
-
Cakolli: Po jepen sinjale se vendi mund të mbetet pa Qeveri të re edhe përtej marsit
-
Cakolli tregon datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja
-
Cakolli: Seanca e radhës mund të thirret menjëherë pas publikimit të aktgjykimit të plotë
-
Cakolli: Po futemi në krizë shumë serioze kushtetuese e politike
-
Cakolli s’pret konstituim të Kuvendit as të enjten: VV-ja s’i ka numrat