EXPRESS

Biblioteka e Adem Demaçit hap dyert për të gjithë

Me hapjen e Bibliotekës së Adem Demaçit brenda hapësirave të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ka nisur edicioni i 20-të i Javës së Bibliotekës në Kosovë. Para ceremonisë zyrtare të edicionit jubilar, të pranishmit janë mbledhur në katin e sipërm për të parë nga afër librat, fletoret e shënimeve e shumëçka tjetër që dikur i takonin veprimtarit e shkrimtarit Adem Demaçi, e që tash familja e tij i ka dhuruar për Bibliotekën Kombëtare. Shiritin e prenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nipi i Adem Demaçit, Diell Demaçi, dhe punëtori më i vjetër i Bibliotekës Kombëtare, Avdi Lakna. E tërë kjo ceremoni është përcjellë me këngën e Vaçe Zelës “Për ty atdhe”.

Biblioteka e Adem Demaçit, tash e institucionalizuar, edhe pse jo aq e madhe me hapësirë, brenda vetes mbart shumë histori. Zbërthen figurën e Demaçit si shkrimtar e veprimtar, i burgosur për gati tri dekada nga regjimi jugosllav për aktivitetin e tij politik.

Biblioteka ruan frymën e ambientit që Demaçi e kishte në shtëpi. Vizitori futet në përditshmërinë e tij.

Pas vizitës në Bibliotekën e Adem Demaçit, të pranishmit u zhvendosën në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të vazhduar me hapjen e Javës së Bibliotekës në Kosovë. U pritën nën tingujt e pianos së Ditë Hysajt dhe flautit të Anila Hysajt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se para bibliotekës të gjithë janë të barabartë. E me ardhjen e Bibliotekës së Adem Demaçit do të përmbushet barazia e publikut.

“Po e hapim sot Javën e 20-të të Bibliotekës, biblioteka është teknologji e lartë, arkivim i lartë është dije e lartë dhe përmban një lëndë sublime: mendimin. Andaj, edhe janë paraparë panele studiuesish, arkivuesit e bibliotekarësh. Java e Bibliotekës vetëm na bën nder, sepse është kultura për të gjithë, është dija për të gjithë, është shija për të gjithë. Përpara bibliotekës të gjitha janë të barabartë. Kjo bibliotekë nga personale po vjen dhe e përmbush barazinë e publikut. Ajo mban emrin e madh Adem Demaçi, veprimtarit dhe intelektualit të papërsëritshëm“.

I biri i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, në veçanti e ka falënderuar stafin e Bibliotekës Kombëtare. Pas falënderimeve ka ndarë me të pranishmit idenë e babait të tij në lidhje me lëvizjen politike “Harmonia”.

“Nuk do të mund të falënderoj të gjithë nëse filloj, por në veçanti e falënderoj udhëheqjen e Bibliotekës, e cila idenë e sjelljes së bibliotekës së babait tim Ademit këtu, e pranoi me zemërgjerësi dhe u organizuam. Në vend të ndonjë fjale tjetër unë këtu do të vazhdoja me fjalët që i përmendi kryeministri Albini lidhur më idetë. Këtu do ta lexoj idenë e Ademit, babait, në lidhje me lëvizjen politike ‘Harmonia’. Këtë e ka shkruar më 11 gusht në vitin 2014. ‘Lëvizja politike ‘Harmonia’, ne bijtë e bijat e kombit tonë, me vullnet të fortë po i bashkojmë të gjitha forcat e mundësitë tona që t’i shërbejmë pa hile kombit tonë dhe që të mbështesim me të gjitha mënyrat demokratike e humane qytetarët e atdheut tonë’”.

Adem Demaçi ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës gjatë viteve 2005-2007. Si shkrimtar i njohur e veprimtar për të drejtat e njeriut, Demaçi vazhdimisht ka bërë edhe thirrje për dije.

Kryefjalë e mbrëmjes të së hënës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ishte dija. Nuk mungoi në fjalimin e asnjë prej të pranishmëve. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka thënë se kjo është një ngjarje e rëndësishme kulturore që secilin e lidh me kujtesën kolektive e sociale.

“Ngjarje e çmueshme për institucionin e librit na lidh me kujtesën tonë kolektive sociale, e para me kujtesën historike e kulturore që mbart më vete Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e dyta me kujdesin institucional e individual për librin, e treta me karakterin thellësisht universal të librit dhe aspiratat tona për të qenë e për të mbetur pjesë e këtij universi “.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, hapjen e Bibliotekës së Adem Demaçit e ka vlerësuar si më të veçantën nga të gjitha aktivitetet e tjera në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë.

“Sot jemi bashkë në hapjen e veprimtarisë e edicionit të 20-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë që po shoqërohet edhe me aktivitete e veprimtari kulturore të rëndësishme. Më e veçanta që tashmë e pamë dhe morëm pjesë ishte inaugurimi i Bibliotekës se figurës emblematike të rezistencës, Adem Demaçi”.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Bardh Rugova, ka thënë se në bibliotekën me mbiemrin etiketë kombëtare, më shumë se gjithçka tjetër tregon se ka të bëjë me simbolin e një arkivi të dijes së këtij vendi, të trashëgimisë së dijes së Kosovës.

“Teoria mbizotëruese për shpjegimin e gjuhës së folur te njerëzit kundruall primatëve të tjerë është ajo e revolucionit kognitiv rreth 40 mijë vjet më parë, sipas së cilës ajo që na dallon është aftësia për të dhënë e marrë informacione, për të shkëmbyer ide. Narrativat tona të përbashkëta të këtij shkëmbimi i kemi shndërruar në ato që Foucoult i quan arkiv i dijes, simbolizuar nga bibliotekat dhe referencat tutje si simbol i përçuarjes së kësaj dije”.

E pranishme ishte edhe zëvendësdrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Etleva Domi, e cila nuk e la pa e përmendur se me gjithë zhvillimet teknologjike, nuk ka diçka që i zbeh rëndësinë e peshën e librit si rrezatimi më i mirë i dijes.

“Edhe në epokën e autostradës informatike, kibernetikës dhe internetit, të botës së virtualitetit, të modernitetit virtual, të lirisë së informimit, shprehjes për zgjedhje, e bibliotekave digjitale, në një kohë kur po rritet një gjeneratë elektronike bibliotekat vijojnë të mbeten vatrat kryesore të rrezatimit të kulturës së vërtetë librore dhe libri bartësi më i mirë i dijes dhe më i sigurti i kulturës”.

Hapjes zyrtare i parapriu një ligjëratë nga Denise Hibay, drejtoreshë e shërbimeve të koleksioneve dhe kërkimit në Bibliotekën Publike të New Yorkut dhe një ekspozitë më katalogë, revista e posterë të rrallë nga koleksioni i bibliotekës kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.