Përvojën 11-vjeçare në Baletin Kombëtar të Kosovës e ka shfrytëzuar për t’u rikthyer në hapat e parë. Fisnik Smani po ua mëson elementet fillestare të baletit vajzave që kanë ndier përvojën e të veshurit puande në një moshë të re.
“Me British School jemi qe një vit në bashkëpunim, gjindemi në Fushë Kosovë. Është një bashkëpunim shumë i mirë dhe kushtet janë të mira. Balerinat i kemi të talentuara. I kemi dy grupe të baletit, grupi i parë është prej 3 deri në 5 vjet, ndërkaq grupi i dytë prej 5 e përmbi”, thotë Smani.
Laramania e grupmoshave dhe zhvillimit artistik të vajzave të vogla e kanë bërë Smanin, siç thotë ai, të ketë më shumë durim me fëmijë. Në anën tjetër, ato tregojnë se çfarë kanë mësuar nga këshillat e tij.
“Kam mësuar pozicionet e reja të duarve dhe këmbëve dhe pozicionet e tjera që shumë janë duke më pëlqyer”, deklaron nxënësja Liza Sekiraqa.
“Kam mësuar urën, shpagën, gjithçka”, thotë nxënësja tjetër Lira Teneqja.
Me pasion për profesionin e tij, balerini Fisnik Smani tregon në mënyrë profesionale për këto elemente.
“Baleti në gjithë botën i ka hapat e njëjtë, edhe gjuha në të cilin titullohen janë të njëjta. Fillon prej... Të gjitha hapat janë me emërtime të veçanta ku përshembull një balerin edhe nëse s’e din gjuhën nëse shkon në një shtet tjetër mund të komunikojë me hapa të baletit. Kjo është edhe gjuha e vallëzimit, që e bën unike si art”, tha Smani.
Energjia dhe dashuria e nxënësve për baletin vërehen kudo, edhe në përgjigjet të cilat i japin.
“Kur t’i them unë “unë e kam mësuar ndonjë send të re”, ai më shikon mua ose një vajzë tjetër. Krejt folin “mësues, mësues”, vetëm unë e ngriti dorën”, tha nxënësja Bora Neziri.
Ky ndërrim rolesh i ka lënë mbresa edhe mësimdhënësit.
“Ndryshimi ndërmjet mësimdhënies dhe të qenurit balerin në Baletin Kombëtar të Kosovës, është shumë i madh sepse ata e kam punë, ndërsa këtu jemi me fëmijë, për të cilët kemi edhe përgjegjësi për ta për t’i mësuar hapat bazë, por shpresoj që vajzat do të jenë ardhmëria e baletit”, tregon Smani.
Përballja e parë me baletin në një moshë të re do t’iu shërbejë këtyre nxënësve në rrugëtime të reja artistike.