Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Pasioni i vajzave për baletin

Baleti është një mënyrë e veçantë e kërcimit në skenë. Ai është një vallëzim shumë i vjetër, i cili përmes hapave të lëvizjes, muzikës, skenografisë dhe veshjeve na tregon histori dhe nxit imagjinatën e spektatorëve. Për të bërë lëvizje të përkryera duhet ushtruar gjatë, megjithatë, baleti i zbavit pa masë ata që e ushtrojnë atë.

Për të praktikuar baletin duhet pajisur me veshjet e posaçme për balet, të cilat ndihmojnë për të lëvizur lirshëm dhe për të parë më qartë pozicionin e duarve dhe këmbëve gjatë lëvizjes. Element i veçantë dhe me shumë rëndësi në balet janë këpucët, të cilat kanë një ndërtim specifik për të ndihmuar balerinat të qëndrojnë në majat e gishtërinjve të këmbës. Me rëndësi në balet janë edhe flokët, që duhet të mbahen më kujdes dhe të mos bien në fytyrë, në mënyrë që spektatorët të mund të shohin shprehjet e fytyrës së balerinave. Gjithashtu në balet veshjet shërbejnë për të krijuar personazhe të shumëllojshme gjatë shfaqjeve.

Për të mësuar baletin ekzistojnë shkolla të ndryshme, të cilat ofrojnë mësime të këtij vallëzimi, ashtu siç është edhe shkolla e baletit “Angels”, ku fëmijët që ndjekin këtë shkollë mësojnë të kërcejnë duke bërë ushtrime të shumta me ndihmën e mësueseve të tyre. Gjithashtu krijojnë miqësi të reja me shokët dhe shoqet e baletit. Më shumë për dëshirën që ta praktikojnë këtë vallëzim, na treguan balerinat e kësaj shkolle, të cilat ushtronin me shumë energji.

Pra, ëndrra e secilës nga këto vajza ishte që një ditë të bëheshin balerina. Përveç ushtrimeve, ato në fund vallëzojnë me këngë të shumta, duke krijuar kështu koreografi shumë zbavitëse. Disa prej tyre u performuan edhe në shfaqjet e organizuara nga kjo shkollë e baletit.

Të gjitha këto arritje do të ishin të pamundura pa ndihmën e mësueses së tyre të baletit, Vlora Prizreni, e cila me një përkushtim shumë të madh u mësonte vajzave lëvizjet e këtij vallëzimi.

Në këtë mënyrë, këto vajza praktikojnë shumë për të bërë realitet dëshirën e tyre të madhe, që është të bëhen balerina të njohura dhe të performojnë në skena të ndryshme botërore. E këtë mund ta arrijnë përmes punës dhe pasionit të madh që kanë për baletin.